Zyrtarë nga koalicioni deklarohen për rrëzimin e Qeverisë, dhe një kërcënim nga PDK!

Politika

Zyrtarë nga koalicioni deklarohen për rrëzimin e Qeverisë, dhe një kërcënim nga PDK!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 prill 2017 Në ora: 07:56
Kabineti Qeveritar i Republikës së Kosovës

“Aq sa kam informacione në kuadër të kontakteve me bashkëpartiaket dhe me kryesinë, PDK-ja nuk do ta mbështes mocionin e iniciuar nga opozita. PDK-ja po të dojë ta shkarkojë Qeverinë, e ka mundësinë ta bëjë këtë e vetme, pa opozitën”, ka thënë deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj.

Është raportuar se koalicioni qeverisës ndërmjet dy partive më të mëdha në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, mund të prishet gjatë kësaj jave.  Koalicioni deri më tani nuk ka dëshmuar se ka siguruar votat e nevojshme për kalimin në Kuvend të Marrëveshjes së definimit të kufirit me Malin e Zi. Moszgjidhja e kësaj Marrëveshje, mund të shpie vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kjo është pohuar edhe nga vet kryeministri i vendit Isa Mustafa, i cili ka thënë se nëse Demarkacioni nuk kalon tani, zgjedhjet janë të pashmangshme.

Image
Bajram Gecaj, këshilltar politik i kryeministrit Mustafa

LDK s’ka indikacione për rrëzimin e Qeverisë

Duke folur në lidhje me këto raporte, Bajram Gecaj, këshilltar politik i kryeministrit Mustafa, ka mohuar që tek LDK-ja të ketë indikacione për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

“Tek ne nuk ka kurrfarë indikacioni të tillë që do të rrëzohet Qeveria”, ka thënë Gecaj në deklaratën e tij të shkurtër, për gazetën “Bota sot”.

Deputeti i PDK-së: Nuk i kemi votat për Demarkacionin

Por, se koalicioni qeverisës nuk i ka siguruar deri më tani votat e nevojshme për kalimin e Demarkacionit, e ka konfirmuar vet deputeti i PDK-së Bislim Zogaj. Ai në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se është në duart e dy partive më të mëdha, që të vendosin se kur do ta dërgojnë këtë Marrëveshje në Kuvend.

Image
Deputeti i PDK-së Bislim Zogaj

“Partnerët e koalicionit, duhet të vendosin se kur duhet të shkojë ajo në parlament dhe paraprakisht t’i sigurojnë votat. Ata duhet të koordinohen në vazhdimësi. Personalisht, mendoj se koalicioni nuk i ka votat”, ka konfirmuar Zogaj.

PDK dëshiron zgjedhjet, por jo mocionin për shkarkimin e Mustafës

I pyetur se a do ta përkrah PDK-ja mocionin për shkarkimin e Qeverisë, deputeti Zogaj ka përjashtuar mundësinë e tillë, madje ka thënë se nëse dëshiron, partia e tij mund ta rrëzojë e vetme Qeverinë pa opozitën.

 “Aq sa kam informacione në kuadër të kontakteve me bashkëpartiakët dhe me kryesinë, PDK-ja nuk do ta mbështes mocionin e inicuar nga opozita. PDK-ja po të dojë ta shkarkojë Qeverinë, e ka mundësinë ta bëjë këtë e vetme, pa opozitën. Kështu që, PDK-ja nuk do ta mbështes mocionin për shkarkimin e Qeverisë”, ka thënë tutje deputeti i PDK-së.

Ai ka konfirmuar se PDK-ja nuk është e interesuar që të shkojë në zgjedhje, por nuk e përjashton mbajtjen e tyre, nëse vazhdon bllokada aktuale.

“PDK-ja nuk është e interesuar të shkojë në zgjedhje, vetëm nëse vazhdohet bllokimi i jetës institucionale, qysh është tani, kuptohet demarkacioni dhe shumë tema tjera që kanë mbetur pezull”, është shprehur Bislim Zogaj.

Image
Analisti politik Muhamet Kelmendi

Kelmendi: PDK-në po e pret turbulenca e Speciales

Mundësinë për rrëzimin e Qeverisë nuk e ka përjashtuar as analisti politik Muhamet Kelmendi. Duke folur për “Bota sot”, ai ka thënë se rrëzimi i Qeverisë dhe shpërbërja e Parlamentit, më së shumti i konvenon PDK-së, edhe përkundër frikës nga Gjykata Speciale.

“Kjo I konvenon, madje shumë PDK-së, sepse aktualisht gjendet mirë. Por, natyrisht se këtë parti e presin turbulence të madhe, sidomos para fillimit të punës së Gjykatës Speciale”, është shprehur Kelmendi, derisa ka theksuar se zgjedhjet janë në interes edhe të opozitës.

“Opozita këtë e ka kërkuar dhe për ka punuar. Shkuarja në zgjedhje nuk është vetëm në interes të LDK-së, sepse kjo parti me udhëheqjen e tashme dhe me Isa Mustafën kryetar dhe kryeministër, ka humbur shumë në terren me temat e pazgjidhura. LDK dëshiron që të vazhdohet koalicioni, pasiqë me Qeveri ka pritur në stabilizimin e partisë”, ka thënë tutje analisti Kelmendi.

Ai ka shtuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje nacionale, të përbashkëta me zgjedhjet lokale.

“Jam për zgjedhje të parakohshme, por të përbashkëta me zgjedhjet lokale, sepse janë më pak të kushtueshme dhe ka kohë për të ecur në rrugën e tillë. Sido kudo, mbetet të shihet”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat