“Bashkimi kombëtar nuk bëhet dot kurrë prej Ramës e Thaçit sepse as njeri as tjetri nuk e duan bashkimin kombëtar. Sepse në një shtet të bashkuar të shqiptareve nuk kanë shanse të drejtojnë as Edi Rama as Hashim Thaçi”, thotë Shahu.
Deklarata së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se nëse Bashkimi Evropian ua mbyll dyert të dy shteteve shqiptare, atëherë shqiptarët do të bashkohen në një shtet të vetëm bëri bujë të madhe në mbarë opinionin publik shqiptar, por edhe në Evropë e më gjerë. Këtij mendimi të Ramës iu bashkëngjit edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Luginës Jonuz Musliu. Por deklaratat e Ramës dhe Thaçit, nxitën reagimin e zyrtarëve serbë dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Por analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike, këto deklarata të Ramës, Thaçit dhe të Musliut i shohin si marketing politik, pasi sipas tyre se bashkimi kombëtar nuk thuhet më fjalë por bëhet me vepra.
Bashkim kombëtar me vepra, jo me fjalë
Analisti Refik Hasani, ka thënë për “Bota sot” se deklarata e kryeministrit Rama dhe Presidentit Thaçi, më shumë i sheh si deklarata për marketing politik se sa diçka tjetër, pasi sipas tij, të dy vendet, Shqipëria dhe Kosova duhet të investojnë më shumë në integrimin e shqiptarëve.
“Bartësit dhe liderët e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku para se të deklarojnë për bashkim kombëtar do të duhej që të investojnë shumë më shumë në integrimin në Ekonomi, arsim dhe në projekte në avancim të shkencës dhe mbi që takimet e dy Parlamenteve e Qeverive të përbashkëta të prodhojnë shumë më shumë efekte. Bartësit dhe liderët e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku para se të deklarojnë për bashkim kombëtar kanë obligim moral, institucional dhe kombëtarë të fillon një qasje e re, e mirëfilltë, reale, të gjithë bartësit e institucioneve të dy shteteve të bashkërendojnë qëndrimet zyrtare, të harmonizojnë strategjitë e veprimi në arritjen e stabilitete ekonomik dhe social që i ka edhe BE-ja”, ka theksuar Hasani.
Ndërsa, sa i përket deklaratës së kryetarit të Këshillit Kombëtar të Luginës Jonuz Musliu ai ka thënë se së pari duhet që të alarmojë diskriminimin dhe zbrazjen e Kosovës Lindore nga Serbia.
“Kryetari i LPD-ës, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe njëherit Kryesuesi i Kuvendit të Bujanocit, Jonuz Musliu, para se të kërkoj bashkimin kombëtar të njoftoj, sensibilizoj dhe alarmoj për diskriminimin dhe zbrazja që nuk është duke u ndalur në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Prishtina dhe Tirana zyrtare para se të kërkojnë bashkimin kombëtarë edhe me këto tri komuna brenda së pari do të duhej të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët dhe të investojnë pasi ende nuk ka arritur në furnizim me Abetare e nostrifikim të Diplomave. Prishtina dhe Tirana zyrtare para se të kërkojnë bashkimin kombëtarë me këtë krahinë, përveçqë tjerash çështjen e kësaj krahine do të duhej të ngrisin në instanca të BE-se dhe OKB-së për Referendumit të 1 e 2 marsit 1992, për marrëveshje e Konçulit, për diskriminimin në këtë Krahinë etj”, ka thënë Hasani.
Ndërsa, sa i përket gjasave që të jetësohen deklaratat e Ramës e Thaçit, ai ka thënë se gjasat për bashkim kombëtar janë reale, të mundshme në një kohë që Shqipëria dhe Kosova për aq sa janë të përgatitura.
“Se kur do të ndodh bashkimi kombëtarë është aq sa punojmë dhe për sa ne jemi të gatshëm. Sa më shumë të punojmë në projekte të përbashkëta, në investime në arsim, në kulturë në programe të integruara për aq edhe do të ndodhe natyrshëm bashkimi kombëtar. Bashkimi është i pashmangshëm por unë i them shumë i nevojshëm, por jo ashtu shpejt dhe jo me deklarata në prag të zgjedhjeve”, ka thënë Hasani për “Bota sot”.
“Rama e Thaci nuk e duan bashkimin kombëtar”
Ndërkaq, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu, ka thënë se deklarata e Ramës dhe Thacit janë vetëm thashetheme dhe asgjë tjetër.
“Bashkimi kombëtar që shalon Edi Rama me ndihmën e Aleksandër Vuciqit dhe Jonuz Musliun që i duartroket është shaka pranverore kësaj radhe. Vetëm një gjë të vërtetë kanë këto thashetheme, vetëm një të mirë kanë që fjalën “bashkim kombëtar” e mbajnë gjalle për shqiptarët dhe për serbët dhe popullata ballkanase nuk e harron, nuk e lënë Rama e Vuciqi e Hashimi e Jonuzi të jetojnë ballkanasit të tashmen as në hapësirën shqiptare as në Serbi. Por bashkimi kombëtar vetëm përllomet e përlloçet prej Edi Rames apo prej Hashim Thaçit të cilët e përdorin si gomone patriotike kur janë në hall”, ka thënë Shahu.
Shahu ka thënë se bashkimi kombëtar bëhet, e nuk thuhet dhe se nuk pritet kjo të ndodhë nga Rama e Thaçi pasi që sipas tij ata nuk e duan këtë bashkim.
“Bashkimi kombëtar nuk bëhet dot kurrë prej Ramës e Thaçit sepse as njeri as tjetri nuk e duan bashkimin kombëtar. Sepse në një shtet të bashkuar të shqiptareve nuk kanë shancë të drejtojnë as Edi Rama as Hashim Thaçi. Në një shtet të bashkuar të shqiptareve, nuk ka shanc të fitojnë kurrë majtistet, enveristet, marksistet. Po ta duan bashkimin kombëtar Hashimi dhe Rama, ata i bëjnë referendumet përkatëse në Shqipëri e në Kosovë dhe e pyesin popullin a jenë dakord për bashkimin, me referendum. Pse nuk e bëjnë referendumin për bashkim kombëtar. Rama është internacionalist dhe bën shaka me fjalën bashkim kombëtar, ose e konsideron bashkim në Internacionalen Socialiste”, ka theksuar ai.
Për me tepër, Shahu ka thënë se po ta duan bashkimin kombëtar Rama dhe Thaçi, atëhere do të vepronin ashtu sic ëeri ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha me “Udhën e Kombit”, e që sipas Shahut është udha e bashkimit kombëtar të shqiptareve.
“Por ata ngaqë nuk e duan bashkimin, as referendumet nuk i bëjnë. Bashkimi kombëtar i shqiptareve mund dhe do të ndodhe kur Kosova të hyje në OKB, kur të hyjnë të dy shtetet shqiptare në BE dhe bashkimi do ndodhe në BE. Ndërsa bashkim klasik, për një qeveri e një parlament e një president, është vështire dhe këtë bashkim ëndërr shqiptare mund ta bëjë dhurata vetëm Amerika për shqiptaret. Ose ky bashkim bëhet me luftë, të cilën nuk e beri as Hashimi as Rama kur ishte koha që shqiptaret ti caktonin kufijtë e tyre me luftë në vitet 1998-1999”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.
Në fund, Shahu ka thënë se këto deklarata të bashkimit kombëtar, nxisin përfoljet në Serbi dhe dëmtojnë Kosovën në udhën e saj, por dëmtojnë edhe Shqipërinë.
“Udhëheqësit tanë në Tiranë e Prishtinë duan të ketë probleme, që popullata shqiptare të mbetet e pa integruar, e varfër, që të sundohet më lehtë”, ka përfunduar Shahu.