“Krerët e PDK-së kanë frikë nga Gjykata Speciale, do ta godas keq PDK-në”

Politika

“Krerët e PDK-së kanë frikë nga Gjykata Speciale, do ta godas keq PDK-në”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 prill 2017 Në ora: 14:51
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli

Zgjedhjet e parakohshme  kanë qenë temë diskutimi  që nga formimi i koalicionit qeverisës LDK- PDK, mirëpo gjatë javës që e lëmë pas dhe këtë javë  mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është diskutuar nga secila parti politike në Kosovë, pra përfshihen këtu edhe dy partitë më të mëdha në vend Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Gjersa Lidhja Demokratike e Kosovës nuk pranon zgjedhje të parakohshme,  koalicioni i saj PDK-ja nuk përjashton zgjedhjet e parakohshme.

Sado që këta të fundit nuk kanë pranuar zyrtarisht që duan zgjedhje të parakohshme, zyrtarë nga LDK-ja pohojnë që Partia Demokratike e Kosovës kërkojnë përshpejtimin e opsionit për zgjedhje të parakohshme në vend.

“Koalicioni realisht do duhej të ishte në krizë, por trendet negative të PDK-së dhe rëna e PDK-së për opinionin e Kosovës, ndoshta mund të përshpejtojnë opsionin për zgjedhje të parakohshme në vend” ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muharrem Svarqa.

Image
Analisti politik, Jeton Kelmendi

Gjykata Speciale, goditje për PDK-në

Ndërsa, analistët opsionin e PDK-së për zgjedhje të parakohshme e lidhin me Gjykatën speciale dhe aktakuzat e saj.

Analisti politik, Jeton Kelmendi thotë se normalisht që PDK-ja do të kërkojë zgjedhje të parakohshme sepse ajo nuk kryeson me qeverinë.

Sipas Kelmendit, Partia Demokratike e Kosovës përmes LDK-së i ka pastruar krimet e saj.

“Është gjëja më normale e mundshme që PDK-ja të kërkojë zgjedhje të parakohshme, për faktin se PDK-ja nuk kryeson me qeverinë. PDK-ja e ka mashtruar LDK-në, gjegjësisht Thaçi e ka mashtruar  Mustafën, është ulur në postin e Presidentit dhe e ka siguruar mandatin e plotë prej 5 vitesh dhe tani më dëshiron të shkojë në zgjedhje. E ka djegur Mustafën dhe LDK-në, i ka bërë si servilë të PDK-së, i ka përdorur si joker për t’i pastruar të këqijat e saj dhe të gjitha të zezat që ia ka bërë Kosovës Partia Demokratike e Kosovës ka tentuar t’i lajë ato. Prandaj, kjo i konvenon shumë të shkojë në zgjedhje, nuk ka se çfarë të thotë shoku Mustafa para elektoratit pos të thotë se ju kemi gënjyer, ka thënë që kurrë nuk do të shkojë me PDK-në dhe ka shkuar ka bërë koalicion me PDK-në”, pohon Kelmendi.

Sipas Kelmendit, PDK-ja dëshiron të shkojë në zgjedhje sepse rivalin kryesor që e kishte, pra LDK-në nuk e ka më.

“PDK-ja gjegjësisht Thaçi e ka shitur tokën e Kosovës, në perëndim me Malin e zi  dhe Mustafa shumë më fuqishëm se vetë Thaçi ka provuar që ta mbrojë atë tradhti kombëtare të Presidentit Thaçi. PDK-ja është normale që të shkojë në zgjedhje sepse rivalin kryesor që e kishte deri më tani LDK-në nuk e ka më  rival dhe sigurisht që do ta dëmtojë seriozisht”,  thekson Kelmendi.

Ai pohon se Gjykata Speciale do ta godas më shumë PDK-në, prandaj ata kërkojnë zgjedhje për të fituar imunitet të ri.

“Gjykata Speciale sigurisht do të mund ta godas më keq apo më shumë PDK-në, prandaj shkuarja në zgjedhje po ashtu do t’i mundësoj imunitet të ri disa zyrtarëve të PDK-së , duke përfshirë nga kokat e kësaj partie. Prandaj, PDK-ja edhe për t’i shpëtuar disa analizave të vet edhe për ta dëmtuar LDK-në në çdo interes më të madh e ka të shkohet në zgjedhje. Tragjedia për Kosovën është që Isa Mustafa dhe LDK-ja i janë bërë servil PDK-së dhe Hashim Thaçit për t’i pastruar krimet e tyre të mundshme dhe akuzat e tyre nga Gjykata special”, thekson Kelmendi.

Sipas tij, frika e PDK-së nga Gjykata Speciale është e natyrshme sepse nga të gjitha qarqet është thënë që ajo do të jetë më e goditura.

“Frika as që diskutohet sepse është një gjë e natyrshme, sepse të gjitha qarqet kanë thënë që më e goditura do të jetë PDK-ja nga Gjykata speciale për faktin që PDK-ja ishte në krye të proceseve. Prandaj edhe Gjykata speciale është krijuar mbi kokën e Thaçit dhe krerëve të PDK-së, prandaj është e natyrshme që këta të kenë frikë. Pra njëherë ajo është e frikësuar, por pastaj është se do ta nxjerr komplet të dëmtuar deri në shkallën e fundit autoritetet e LDK-së, prandaj është interes i shumë-anëshëm i PDK-së që të shkohet në zgjedhje”, vlerëson Kelmendi.

Image
Analisti dhe publicisti Rexhep Shahu

PDK-ja frikë nga Specialja

Se PDK-ja dëshiron zgjedhje të parakohshme shkaku i Gjykatës Speciale, është i mendimit edhe analisti tjetër politik Rexhep Shahu.

Sipas Shahut, PDK-ja kërkon zgjedhje të parakohshme sepse dëshiron se pas zgjedhje t’i vesh me pushtet eksponentët e saj në mënyrë që të mund të përfillen nga gjykata.

“Po ka të drejtë  të kërkojë  zgjedhje PDK-ja  pasi pa paragjykuar askënd e asgjë, thirrja nesër në gjykatë  e cilitdo, nga PDK-ja  do ta cenonte apo lëndonte prestigjin e PDK-së  dhe figurave të saj. Ndaj PDK-ja  për hatër i bën zgjedhjet tash, që të votohen apo të vishen me pushtet të mëtejshëm eksponentët e saj që mund të përfliten nga gjykata apo për në gjykatë”, shprehet Shahu.

Ai pohon se krerët e PDK-së kanë frikë nga Gjykata.

 “Krerët e PDK-së  natyrisht që kanë frikë nga Gjykata, të fajshmit kanë  frikë dhe nga përfoljet e emrave të ndryshëm në PDK nuk janë engjëj as shenjtorë  as Papë nuk ka aty. Dihet se në Kosovë  ka pasë luftë  e jo mbrëmje vallëzimi, e në luftë vriten njerëz e nuk puthen, por janë shumë raste që gjykata duhet t’i qartësojë, në qofshin me faj t’i ndëshkojë  e më së paku t’i përjashtojë nga pushteti eksponenënt e përfolur. Zgjedhje kërkon tani PDK se mezallah po ia mori gjykata disa eksponentë, atëherë  deri sa të vërtetohet fajësia, populli nuk e di e nuk pret por votën nuk ia jep PDK-së  e cila e ka tepruar duke u thirrë në luftën sikur të jetë pronare e luftës dhe lirisë së Kosovës”, përfundon Shahu.

“Bota sot” ka kontaktuar zyrtar nga Partia Demokratike e Kosovës për t’i pyetur nëse ata janë duke kërkuar zgjedhje siç pohojnë analistët dhe LDK-ja, si dhe arsyen e mbajtjes së zgjedhjeve në kohën e aktakuzave të para nga Gjykata speciale, por ata nuk janë përgjigjur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat