LDK-ja në maj zbulon kandidatët, Rugova tregon se cilat kritere duhet t`i plotësojnë

Politika

LDK-ja në maj zbulon kandidatët, Rugova tregon se cilat kritere duhet t`i plotësojnë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 prill 2017 Në ora: 08:04
Foto arkiv, Mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, së fundi ka mbajtur Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, duke prezantuar platformën për zgjedhjet lokale. Rëndësia më e madhe e kësaj platforme u është kushtuar kandidaturave për kryetar të komunave.

Në fjalimin e tij, Kryeministri dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka potencuar se për kryetar të Komunave do të propozohen individë të afirmuar të cilët kanë përkrahje nga anëtarësia dhe qytetarët të cilët mund të fitojnë dhe të cilët mund të udhëheqin me komunat në të cilat garojnë.

Po ashtu, thuhet se LDK-ja do të bëj përpjekje maksimale që në radhët e kandidatëve për kryetar të komunave të ketë gra dhe të rinj.

Mirëpo, deri më tash, për kandidme për kryetar të Komunave nga radhët e LDK-së, janë përmendur vetëm emra të personaliteteve të cilët kanë qenë edhe më herët në poste publike duke përfshirë këtu edhe persona që kanë qenë kryetar komunash. 

Madje, ditëve të fundit ka pasur zëra se LDK-ja do të kandidoj në disa komuna kandidatë që tash e disa herë kanë qenë kandidatë dhe kanë humbur zgjedhjet lokale.

Image
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova

LDK-ja cakton kriteret

Por, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka mohuar këta zëra duke thënë se, kandidaturat do të shkojnë në bazë të propozimeve nga degët e ndryshme.

“Ne nuk kemi marr vendim ende. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm i kemi vendosur disa kritere, mirëpo kandidaturat nuk janë shpallur ende. Sigurisht që ato kandidatura do të shkojnë në bazë të propozimeve nga degët e ndryshme, për kandidatë të mundshëm për kryetar komune edhe për asamblenë komunale, në mënyrë që pastaj në kryesi dhe në këshillin e përgjithshëm ato të shpallen”, ka thënë Rugova për gazetën “Bota sot”.

Duke komentuar emrat të cilët po përmenden si kandidat të mundshëm për Kryetarë komunash, Rugova ka thënë se është tjetër gjë që dikush e shpallë veten kandidat, mirëpo, LDK-ja do t`i shpallë kandidatët në bazë të vlerësimeve të strukturave të partisë.

“Është tjetër gjë që dikush e shpallë vetveten, mirëpo, ajo është në rregull, mirëpo do të provojmë të zgjedhim kandidatë që ne i shohim në bazë të vlerësimeve që i ka partia për kandidatët e mundshëm që t`i fitojmë zgjedhjet lokale. Kjo është ideja, unë emra nuk mund të jap se ato tash janë kalkulime politike që i bën partia vet, në bazë të vullnetit të degëve dhe qytetarëve që jetojnë nëpër komuna përkatëse”, ka nënvizuar ai.

Për më tepër, nënkryetari i LDK-së Haki Rugova, ka bërë të ditur se shumicën e kandidatëve do t`i zyrtarizojnë në muajin maj.

“Deri këtu kemi arritur por asgjë nuk është finalizuar. Unë besoj që shumicën e emrave të kandidatëve do t`i publikojmë gjatë muajit maj. Ndoshta jo me të gjithë, nuk është e domosdoshme, mirëpo ata që do të jenë kandidat të sigurt me një fjalë, në mënyrë që ata të kenë kohë të bëjnë edhe aktivitete”, është shprehur ai.

Image
Analisti Skënder Zogaj

LDK në rrezik nga figurat e "harxhuara"

Ndërkaq, analisti Skënder Zogaj, ka thënë se LDK-ja është në një situatë mjaftë të ndërlikuar sa i përket zgjedhjeve lokale e po ashtu edhe atyre qendrore.

“LDK-ja ndonëse ka pasur një varg luhatjesh, konsideroj se vazhdon të mbetet partia kryesore e besimit dhe vlerave të mirëfillta demokratike, sepse, tradita e saj në inercion, e ruan kontinuitetin dhe, duke i absorbuar ne çastin final edhe atë pjesë të elektoratit të saj që ka shumë vërejtje dhe që ka bërë kritika të shumta në adresën e LDK-s. Pra, anëtarësia e LDK-s ka një konstante partiake nga e cila nuk heq dorë lehtë dhe kjo e ka mbajtur dhe e mbanë në rangun elitar. Vitet e fundit, qe ishin me turbulenca të shumta e kanë vërtetuar se, LDK-ja është parti e fortë dhe i mbijeton situatat. Një situatë mjaft t ndërlikuar e ka përpara, me zgjedhjet lokale dhe qendrore, në të cilat e presin sfida të mëdha”, ka thënë Zogaj.

Për analistin Zogaj, LDK-ja duhet të ikë nga figurat e "harxhuara", mirëpo sipas tij, edhe më e rrezikshme është nëse insistohet me çdo kusht të merren figurat "adoleshente".

“Këtë e dimë të gjithë, prandaj, ka shumë opinione, sidomos rreth kandidaturave të ardhshme, që nuk është se nuk kanë rëndësi, mirëpo, jo në masën siç interpretohen nga kuluare të caktuara. Është fakt se duhet ikur nga figurat e "harxhuara", mirëpo, edhe më e rrezikshme është nëse insistohet me çdo kusht të mirën figurat "adoleshente", sepse, realiteti aktual në Kosovë është mjaft i ashpër dhe, është e domosdoshme që, në këtë situatë të kërkohen figurat me përvojë të mirëfilltë dhe që kanë "guximin" e ballafaqimit me sfida të mëdha”, ka thënë ai.

Zogaj është shprehur se  nuk është aspak e lehtë që të gjinden kandidatët e merituar dhe të denjë për situatën.

“Mirëpo, është fat i mirë që LDK-ja, ka kuadro të mjaftueshme që janë verifikuar me punën e tyre shumë vjeçare dhe figura të reja me potence të fortë shkollore dhe intelektuale, kështu që, besoj kandidimet nuk do të paraqesin ndonjë problem shumë të madh. Me rëndësi është që gjithçka të bëhet marrëveshje partiake dhe me sqarime të qëllimit që synohet të arrihet me rastin e çdo kandidati”, ka nënvizuar ai.

Image
Analisti Nexhat Haziri

“Beteja për jetë a vdekje”, në mes LDK-së dhe VV-së”

Edhe sipas analistit Nexhat Haziri, LDK-ja, nëse ka ndërmend t`i qaset më seriozisht procesit të zgjedhjeve lokale, konform edhe nevojave dhe përgjegjësisë që ka ndaj anëtarësisë së sajë dhe qytetarëve, do të duhet të nxjerrë njerëz të ri që kanë besim moral, aftësi profesionale dhe janë të pranueshëm nga votuesit.

“Në të kundërtën ricikilimi i njerëzve të harxhuar, humbësve të përseritshëm, njerëzve pa kredidibilitet moral e profesional, në bazë të grupeve dhe interesave të ngushta , do të jetë e dëmshme për vetë LDK-në , por edhe për elektoratin e saj dhe qytetarët në përgjithësi. Unë kujtoj se LDK-ja, ka potencial të ri, të kuadrove profesionale që do të mund të jenë kandidat serioz për ti  fituar zgjedhjet lokale në komunat më kryesore të vendit”, ka thënë ai.

Haziri ka komentuar edhe situatën e LDK-së, në Komunën e Prishtinës, duke theksuar se  në zgjedhjet lokale këtu do te jetë një betejë si “për jetë a vdekje”, në mes LDK-së dhe VV-së.

“LDK-ja duhet të mendoj mirë se kë do t`ia vë përballë Shpend Ahmetit, kryetar aktual i Prishtinës dhe sipas të gjitha gjasave ai do të jetë sërish kandidat i Vetëvendosjes për kryeqytetin. Ka një disponim te LDK-ja por edhe te qytetarët e Prishtinës, për një ndërrim pushteti në kryeqytet në favor të LDK-së, por ky disponim nuk guxon ta deh vetë LDK-në që ta shtyj për një kandidim të ndonjë personaliteti të harxhuar dhe pa kredibilitet, por duhet të jetë një përgjegjësi për partinë që në të kaluarën ka qeverisur me Prishtinën në periudhë të gjatë, që të zgjedhë një kandidat  të ri,me kredibilitet moral dhe profesional dhe që do të jetë premtues për një qeverisje të mirë të kryeqytetit. Këtë e meritojnë dhe e presin edhe vetë qytetarët e Prishtinës”, ka përfunduar ai.

Ndryshe Synimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është që në këto zgjedhje t`i fitoj komunat e mëdha të cilat i kishte humbur në zgjedhjet e kaluara lokale, si Prizrenin, Mitrovicën e Prishtinën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat