Bajrami: Edhe deputetët e mazhorancës duhet t'i japin nënshkrimet kundër Qeverisë

Politika

Bajrami: Edhe deputetët e mazhorancës duhet t'i japin nënshkrimet kundër Qeverisë

Më: 28 prill 2017 Në ora: 19:09
Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës Valdete Bajrami

Nisma për Kosovën ende është duke kërkuar për përkrahjen e deputetëve nga koalicioni qeverisës në mënyrë që edhe ata të jenë për rrëzimin e Qeverisë.

Zyrtarë të këtij subjekti thonë se nuk po është i lehtë ky proces pasi që ka filluar t'u bëhet presion deputetëve për mos ta përkrahur iniciativën e tyre, por që shpresojnë se pavarësisht kësaj të njëjtët do të votojnë për ta shkarkuar Qeverinë aktuale.

Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës Valdete Bajrami tha të premten se sa i përket çështjes së mocionit janë duke punuar vazhdimisht.

“Jemi në kontakt me deputetë nga pozita me qëllim për të kërkuar përkrahjen dhe votën e tyre për rrëzim të qeverisë Mustafa. Kjo iniciativë do të duhej të përkrahje nga deputetët e mazhorancës për faktin se ka disa muaj që edhe ata vet nuk janë të kënaqur me këtë qeveri. Prandaj, jemi duke punuar intensivisht në këtë drejtim edhe përkundër asaj që nuk po është e lehtë pasi që ka filluar tu bëhet presion deputetëve për mos ta përkrahur iniciativën tonë”, u shpreh ajo.

Pavarësisht kësaj, deputetja e Nismës thotë se ka besim se të zgjedhurit e popullit do të veprojnë në të mirën e vendit.

“Unë kam besim që deputetët do të veprojnë në të mirën e vendit dhe të qytetarëve duke ia mundësuar që të kemi zgjedhje të parakohshme, kjo për faktin se jemi në krizë tash e sa muaj Kuvendi nuk është duke funksionuar dhe vendimet të cilat janë marr deri më tani nga kjo qeveri rezultuan të jenë të dëmshme” shtoi Bajrami. Madje sipas saj, java e ardhshme shpreson që të jetë java e fundit e qeverisjes Mustafa.

Kujtojmë se Nisma për Kosovën ka disa javë që e ka nisur një Mocion përmes së cilit synohet rrëzimi i Qeverisë aktuale. Deri më tani, përkrahjen ndaj kësaj nisme e kanë dhënë partitë opozitare Vetëvendosje dhe AAK, por thuhet se ka edhe brenda partive në koalicion që janë pro përkrahjes së këtij mocioni.

Subjekti politik Nisma nuk ka treguar nëse i kanë afruar nënshkrimet që mundësojnë thirrjen e seancës e që duhen 40 sosh. Ndërkaq për të kaluar mocioni duhen mbi 60 vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat