PDK-ja thikë pas shpine LDK-së!

Politika

PDK-ja thikë pas shpine LDK-së!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 29 prill 2017 Në ora: 08:11
Isa Mustafa dhe Kadri Veseli

Situata me Demarkacionin e kufirit me Malin e zi, ka bërë që zgjedhjet e parakohshme të konsiderohen të pashmangshme. Tashmë, mundësinë për dërgimin e vendit në zgjedhje në rast se nuk votohet Demarkacioni nuk po e mohon as Lidhja Demokratike e Kosovës e cila drejton qeverinë. Ndërsa, çështje e diskutueshme mbetet edhe partneri i koalicionit me të cilin LDK mund të qeverisë vendin pas zgjedhjeve të ardhshme. Kjo, për arsye se ky subjekt politik ndihet i “tradhëtuar”, nga partneri aktual qeverisës PDK, e cila po del në shesh duke insistuar në zgjedhje të jashtëzakonshme duke akuzuar për dështim vetëm LDK-n edhe kryeministrin Mustafa.  Në lidhje me atë se a do të përgatitet LDK-ja, të gjejë një partner me serioz për bashkëqeverisje të qëndrueshëm dhe të pa inkriminuar,  zv/ Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal Bajram Gecaj ka thënë, se duhet të presin ende, të paktën deri në përfundim të kësaj situate. “Duhet të presim fillimisht, se si do të zhvillohet kjo situatë deri në fund. Ndërsa koalicionin e ardhshëm e përcaktojnë rrethanat politike dhe rezultati zgjedhor”, ka thënë Gecaj.

Image
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj

Salihaj: Koalicioni i gabuar që nga fillimi

Deputeti i LDK-së Adem Salihaj, ka pohuar se koalicioni me një parti të zhytur në krim e korrupson siç ishte PDK,ishte që nga filimi i gabueshëm dhe nuk ishte dashur të bëhej fare.  Sipas tij, LDK-ja  është parti vlerave të mëdha të lirisë dhe demokracisë dhe krijimit të shtetit dhe mund të gjejë partnerë të tjerë me të cilët ka pika të përbashkëta programore. “Tradhtia nga PDK është dashur të pritet që nga fillimi, dhe këtë eshtë dashur ta dinë ata që bën koalicion me këtë parti. PDK-ja ka përfituar gjithmonë duke tradhëtuar dhe abuzuar të tjerët”, ka thënë Salihaj.  

Ndryshe, deputeti i LDK-së Blerim Grainca ka thënë, se LDK-ja nuk po kërkon partnerë për koalicion.  “Besoj shumë se PDK-ja edhe pse po ka dëshirë të bëj kolicion me LDK-në, prap nuk guxon që ti provokojë zgjedhjet dhe do duhej të tërhiqet edhe z. Thaçi, sepse ai është zgjedhur me marrëveshje. Gjithsesi LDK-ja do jetë unike në qëndrim”, është shprehur deputeti Grainca.

“Pasojat e koalicionit me një partner të inkriminuar”

Analisti politik Gazmend Islami ka deklaruar se LDK –ja,  duhet të këndellet dhe ti kthehet traditës dhe elektoratit të saj të djathtë, sepse asnjëherë LDK nuk do të mund të ketë rritje kur në koalicion është me partinë e cila në krye të saj ka njeriun më të diskutueshëm dhe më misterioz i cili nga shumë njerëz akuzohet se është jo vetëm koka e krimit por edhe vrasjeve që kanë ndodhur pas luftës.  “Mendoj se koha është për ndryshime dhe për alternativë të re. Mendoj  se grupi opozitarë i përbërë nga AAK-NISMA-Balli Kombëtar Demokrat do të ishin partnerët e mundshëm të LDK-së, për një qeverisje të pastër dhe me kuadro profesionale. Vetëm në këtë mënyrë mund të shkëputet zinxhiri i krimit dhe korrupsionit të prirë nga “Klani Pronto”, është shprehu Islami.

Image
Analisti Gazmnd Islami

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu ka vlerësuar se LDK-ja, së pari duhet të gjejë veten e saj, frymën e saj, burrat dhe gratë e saj që kanë bërë histori,që për një arsye apo një tjetër janë dëbuar apo janë shpërfillur prej saj apo figurave të saj të reja.  Sipas tij, LDK-ja domosdo,  duhet të gjejë autoritetet morale të saj e të Kosovës të cilët janë aktualisht si roje të Kosovës, të cilët duan Kosovën më shumë se karrigen apo postin e pushtetit.  “Me këto LDK-ja, duhet të bëjë së pari aleancë, ti thërrasë se ata janë në Kosovë. Së dyti si taktikë, do të ishtë e udhës që LDK-ja të bënte aleancë me Ramush Haradinajn e luftës, me Ramushin e kohës deri kur ishte kryeministër i Kosovës.   Që në krye të herës jam shprehur,  se aleanca pushtetore LDK me PDK ka qenë imoralitet i rëndë politik për hatër të stabilitetit që kërkonin ndërkombëtarët. Por, ky imoralitet për një konjukturë të çastit, për disa karrige individësh, e ka cenuar rëndë LDK, imazhin e saj, portretin e saj dhe ka shëndoshur apo pastruar sado pak imazhin negativ të komandantëve të PDK-së që e kanë zhgërryer edhe PDK-në”, ka thënë Shahu.  Sipas të njëjtit,  zgjedhjet e jashtëzakonshme që kërkon PDK-ja është që të pajisë me imunitet eksponenet e saj, që rrezikohen prej Gjykatës Speciale. “ PDK-ja  nuk do ti jepte kurrë dekorata e fletë lavdërime apo medalje e mirënjohje Isa Mustafës, por do ta ngarkojnë me gjithë akuzat e mundshme e të pamundshme, dhe me gjithë dështimet që i takojnë e që nuk i takojnë. Pasi PDK-ja është makinë gjigande manipulimi për shkak se mapipulatorët e saj janë ata që po manipulojnë luftën, lirinë, dhe cdo gjë të ndershme dhe po synojnë të shpallen pronarë të lirisë e të luftës”, është shprehur Shahu.  Nga ana tjetër analisti politik Imer Mushkolaj ka pohuar se LDK-ja e ka pasur rastin të qeverisë me parti të tjera, e jo me PDK-në dhe tash po i vuan pasojat e vendimit të Isa Mustafës që të bashkëqeveris me Hashim Thaçin.  “Përgjegjësinë për dështimin e koalicionit nuk e mban vetëm LDK-ja, por edhe PDK-ja, e cila në këtë koalicion është sjellë më shumë si opozitë, sesa si partner i LDK-së”, është shprehur analisti politik Imer Mushkolaj.

Image
Analisti politik Skender Zogaj

Koalicioni LDK –PDK, si sprovë politike

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, ka deklaruar se ky koalicion është i pa natyrshëm, sepse është fjala për dy parti me koncepte dhe programe jo vetëm të ndryshme, por antagoniste dhe refuzuese. Sipas tij, ky koalicion ka qenë i zorit prandaj edhe si i tillë ka funksionuar me vështirësi tepër të mëdha.  “ Megjithatë mendoj se ky koalicion ka qenë i rëndësishëm si sprovë politike dhe shtetërore. Bashkëqeverisja i ka zbardhur dhe i ka zbërthyer shumë gjëra me rëndësi për LDK-n, PDK-n dhe të gjitha partitë e tjera,e sidomos në zgjedhjen e partnerëve. Prandaj personalisht do të dëshiroja një bashkëqeverisje të LDK-s me AAK-n dhe AKR-n, që do të ishte vlera më e mirë qeverisëse”, është shprehur Zogaj. Edhe, njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka theksuar, se LDK-ja po i vuan pasojat e vizionit për qëndrushmëri dhe zhvillim politike.  Sipas tij, nëse ka mbetur të kërkojë partner të qëndrushëm, atëherë si do ta shpikë atë partner, përderisa në një periudhë të caktuar nuk ka ruajtur raporte me ata që ka mundur të qeverisë me stabilitet.

“ Sido që të jetë LDK-ja është parti e emocioneve, nostalgjive dhe e sakrificës së hershme e të gjithë qytetarëve dhe do të konsilidohet me forca të reja politike nëse dëshirojnë të jenë në nivelin e traditës”, është shprehur Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat