'Gabimi më i madh i Thaçit si President i Kosovës'

Politika

'Gabimi më i madh i Thaçit si President i Kosovës'

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 prill 2017 Në ora: 13:38
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Këtyre ditëve çështja e themelimit të ushtrisë së Kosovës duket sikur ka rënë në heshtje. Pas zhurmës që u bë me propozimin e Presidentit të vendit Hashim Thaçi, që me anë të ndryshimit të ligjit për FSK-në, të themelohet Ushtria e Kosovës, thuajse askush nuk flet më për mënyrën se si Kosova do të mund të ketë Ushtrinë e saj.  Tashmë është bërë e qartë se Ushtria e Kosovës, mund të formohet vetëm me anë të ndryshimeve Kushtetuese, të cilat i kundërshton Lista serbe në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti i vendit nuk arriti që t`i bindë partnerët e ndërkombëtarë, NATO-në, BE-në dhe SHBA-të, që Ushtria të bëhet pa ndryshime kushtetuese.

Komentohet iniciativa e Presidentit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se iniciativa e Presidentit vetëm sa e ka rrezikuar formimin e Ushtrisë. “Ne mendojmë se aventura e Thaçit me Ligjin e FSK-së,  e ka rrezikuar formimin e Ushtrisë më shumë sesa që i hapë rrugë asaj. Me hapur sesa Serveri ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Sekretari i Mbrojtjes se SHBA-ve dhe shtete anëtare të BE-së”, ka thënë ai.  Kështu, sipas deputetit Selimi, pa koordinim me aleatet strategjikë, sidomos me NATO-n, Ushtria e Kosovës do ta ketë rrugën shumë më të vështirë në zhvillimin e saj.  “Prandaj, rruga drejt ngritjes së Ushtrisë kalon me vullnetin,  politizim të brendshëm dhe me koordinim me aleatët”, ka nënvizuar ai.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi

Për analistin Artur Roshi, Presidenti Thaçi, u nxitua në lidhje me këtë çështje. “Krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk është një çështje imediate që i duhet zhvillimit ekonomik të vendit, por është një proces që ndiqet në mënyrë konstante dhe me një strategji të qartë dhe transparente. Krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk ka të bëjë me çështje të ekzistencës së kombit. Kur kjo çështje preket për emocione nacionaliste për të fituar kredon politike para qytetarëve,  del një bllof politik dhe një mendjelehtësi politike”, ka thënë ai.

Gabimi i Presidentit

Kurse, analisti Ajet Avdyli, iniciativën e Presidentit e ka quajtur, gabimin më të madh të tij, që nga koha kur mori postin. “Hashim Thaçi, me iniciativën e tij, për shndërrimin e FSK-së, me ligj në Parlamentin e Kosovës bëri gabimin më të madh, nga koha kur e ka marrë postin e Presidentit të Kosovës. Sjelljet e tija, por edhe deklaratat e tija, se gjoja jemi  në koordinim të plotë me aleatët tanë, tani e kanë vënë para një sprove të madhe”, ka thënë Avdyli.  Sipas tij, Presidenti duhet të deklarohet para popullit, për t`i treguar arsyet e kësaj nisme që nuk u arrit të përfundohej. “Mendoj, se ai duhet të dalë para popullit e të deklarohet se përse vallë gënjeu kur tha se ishte marrë veshë me aleatët tanë, në këtë rast me SHBA-të, dhe me Bashkimin Evropian. Kjo rrenë e një presidenti i cili me veprimet e tija e ka dëmtuar rëndë Kosovën, me një iniciativë e cila kundërshtohej nga aleatët tanë, të cilët për çdo ditë dilnin para mjeteve të informimit dhe e kundërshtonin, kurse në anën tjetër Presidenti sillej sikur nuk është duke i dëgjuar fare, por vazhdonte me avazin e tij. Tani me këto veprime të  të parit të Shtetit, mendoj se para botës kemi dalë se jemi fare joserioz, por edhe nuk dimë ta respektojmë aktin më të madh legjislativo-juridik të këtij shteti e që është Kushtetuta”, ka thënë Avdyli. Ky i fundit,  që është edhe aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka kujtuar Presidentit premtimin për dorëhqje, në rast se nuk do të votohej nisma e tij. 

Image
Analisti Ajet Avdyli

Megjithatë, nisma e Presidentit nuk arriti të procedohej në Kuvend.  “Tani kur iniciativa e Hashimit nuk shkoi as në Parlamentin e Kosovës për të u vënë në rend të ditës, tani jemi në pritje se kur Hashimi do të dal para opinionit e do të i drejtohet popullit të Kosovës, me një fjalim dhe do ta deklaroj dorëheqjen e tij, por kjo gjë ka filluar të harrohet nga ai, nga oponentët e tijë, nga partia e tij PDK, por më e keqja edhe nga mediat e shoqëria civile, nuk ka iniciativa më konkrete ku do të kërkohej dorëheqja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi”, ka shtuar analisti Avdyli. Sipas tij, tani dëmi është i pariparueshëm, pasi që Kosova është konfrontuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe është kompromentuar para miqve ndërkombëtarë,  që i sollën i lirinë si, SHBA dhe NATO.  “Me këto veprime Kryetari i Kosovës e ka favorizuar Serbinë, i ka dhënë shansin që në biseda me miqtë tanë, të i vërë para aktit të kryer, pikërisht me sjelljet e papërgjegjshme të Kryetarit të Kosovës. Mua këto sjellje më bëjnë përshtypje,  se Hashim Thaçi akoma është duke u sjellë si lider i një partie politike, e assesi nuk po e dinë se ai është President i Kosovës.  Këto sjellje të pamatura dhe të pa peshuara mirë, e kanë dëmtuar në palcë FSK-në, e cila në një të ardhme pritet të shndërrohet në Ushtri të vërtetë të Kosovës. Tani para botës jemi në një sprovë të madhe, e nuk e di se si do të veprojmë në të ardhmen. Presidenti janë nuk ka kredibilitet më as në Kosovë, por edhe ndërkombëtare, me që nuk i beson më askush, andaj veprimet e tija, e kanë vënë në në sprovë të madhe Kosovën”, është shprehur ai.

Shmangia e bisedimeve me partnerët ndërkombëtarë

Ndërkaq, analisti Albrim Badallaj, ka thënë se procesi i formimit të Ushtrisë është dashur të jetë prioritet i këtij ekzekutivi, por që temat e tjera si Demarkacioni dhe Gjykata Speciale, e lanë në rend të dytë. “Presidenti Thaçi është e vërtetë që i dha një dozë shtytëse këtij procesi, mirëpo ai është dashur paraprakisht të këshillohet me partnerët ndërkombëtar, pasi që i ka pasur referencë pothuajse në çdo vendim tjetër të tij, e sidomos kur ishte i pari Qeverisë. S'është se kjo formë e transformimit të Ushtrisë nuk ka qenë e njohur dhe alternativë, mirëpo ta themi as deputetët e as Qeveria nuk patën guxim të ndërmerrnin një hap të tillë, edhe pse i cili tanimë rezultoi i dështuar. Populli tek ne shprehet, se punët e mira duhet të shkojnë deri në fund dhe kjo e transformimit të Ushtrisë duke anashkaluar ndryshimet kushtetuese, ku kërkoheshin 2/3 e dyfishta, dështoi ende pa ia nisur. Pa i fajësuar liderët tanë, meqë ky bllokim po bëhet për shkak të fuqisë së tepruar determinuese të Listës Serbe, e cila punon dhe e përfaqëson politikën e Beogradit, e njëkohësisht edhe bashkësia ndërkombëtare po e favorizon së tepërmi e njëkohësisht zgjidhja e vetme e ofruar nga ta është kalimi në pako i Ushtrisë dhe Asociacionit, për të dytën të cilën ka shumë pakënaqësi në popull, por, që pala kosovare e ka nënshkruar dhe ka obligime ndaj saj”, ka thënë ai.  Badallaj ka theksuar se, Kosova legjislaturën e kaluar e ka pasur shumë të lehtë jetësimin e kësaj çështje. 

Image
Analisti Albrim Badallaj

“Por lufta për pushtet tek ne, i ka polarizuar tejmase subjektet politike saqë kur vjen puna për pushtet i'u verbohen sytë dhe nuk shohin anash tij”, ka thënë Badallaj.  Kurse, ish Komandanti i UÇK-së, Hasan Zeneli, ka thënë se me iniciativën e tij, Presidenti zgjoi ndjenjat e humbura të politikanëve të Kosovës dhe të shumë shteteve të rajonit.  “Themi këtë, duke u bazuar ne vullnetin e popullit të Kosovës dhe disponimin e SH B A -së. SHBA-të , ishin shumë të interesuara që Kosova të bëjë ushtrinë e vet. Pastaj, reagimet dhe zgjimi nga gjumi "Serbia menjëherë e kundërshtojë, më pas edhe disa shtete aleate të sajë dhe mbeti që të pushoj pakëz deri sa të rehatohen dhe ti zërë gjumi prapë. E them këtë, se e di që është shumë e vështirë të bëhet ushtri me emër”, ka thënë Zeneli për “Bota sot”. Për më tepër, ai tha se Kosova e ka Ushtrinë, por jo të rregullt si shtetet tjera, duke shtuar se Ushtria e rregullt do të bëhet diku kah fundi i vitit 2020. Ndryshe, zyra për informim e Presidencës, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me atë se çfarë po ndodhë me ndryshimin e projektligjit për FSK-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat