Deklarata e Vetëvendosjes, kjo është “lidhja” e Nikolla Gruevskit me Hashim Thaçin e SHIK-un

Politika

Deklarata e Vetëvendosjes, kjo është “lidhja” e Nikolla Gruevskit me Hashim Thaçin e SHIK-un

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 maj 2017 Në ora: 10:00
Thaçi dhe Gruevski

“Këta njerëz kanë lidhje përtej institucionale me Gruevskin dhe kjo lidhje është qartazi është në fushën e biznesit për shkak se e dimë, edhe vëllezërit e personit në fjalë dmth të zotit Thaçi njihen si njerëz më shumë ndikim në biznes. Më pas edhe zyrtarë të tjerë të ShIK-ut kanë familjarë, siç është vëllai i Elim Reçicës e të tjerë që njihen si mafiozë nëpër Ballkan”, ka thënë Hoti për “Bota sot”.

Pas dhunës së ushtruar në Kuvendin e Maqedonisë ndaj deputetëve , veçanërisht ndaj deputetëve shqiptarë, ish lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në konferencën e mbajtur për media ka folur për lidhjen e Shërbimit Inteligjent të Kosovës (SHIK) me personat të cilët e shkaktuan këtë dhunë në Maqedoni.

Kurti ka thënë se ka ca lidhje midis bandave fashiste të Gruevskit në njërën anë dhe eksponentëve të ndryshëm të SHIK-ut në anën tjetër, që si duket e kanë përgatitur një lloj kurthe edhe në Kumanovë kur ndodhi tragjedia atje.

Reagimet e Thaçit dhe Veselit

Rreth kësaj deklaratave të Albin Kurtit, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti ka folur për “Bota sot”, ku sipas tij Kurti ka folur qartë në konferencë për qasjen e Gruevskit ndaj shqiptarëve si dhe për heshtjen e institucioneve të Kosovës.

Image
Shkodran Hoti

 “Siç e keni dëgjuar edhe në konferencë për media që e kemi pasur, Albini ka qenë shumë i qartë në fjalimin e tij dhe njëra ndër kritikat gjatë asaj konference përveç qasjes të cilën e ke Gruevski ndaj shqiptarëve në Maqedoni dhe ndaj shqiptarëve në tersi, ka qenë edhe heshtja institucionale e liderëve të institucioneve të Kosovës, përfshirë këtu, Veselin dhe Thaçin të cilët në fakt reaguan por siç e tha edhe ai më mirë të mos kishin reaguar fare”, ka thënë Hoti për “Bota sot”.

Hoti ka thënë se Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi reaguan, por nuk e dënuan dhunën e ushtruar ndaj deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.

 “Për shkak se reagimet e tyre ishin jashtëzakonisht të buta dhe në asnjë fjali nuk e dënuan dhunën të cilën e ushtruan fashistët apo falangat fashiste të Gruevskit ndaj deputetëve, edhe atyre shqiptarë dhe ndaj atyre të partisë të Zoran Zaevit. Pra kjo qasje e tillë ju e dini që Thaçi, Veseli por edhe Mustafa kur ka protesta që janë krejtësisht legjitime në Kosovë përdorin gjuhë mjaft të ashpër, madje shpesh nuk ngurojnë të ekzagjerojnë terminologjinë, kurse ndaj një dhune të tillë të paparë të organizuar në Maqedoni, janë jashtë zakonisht të butë dhe përdorin terma më të butë të mundshëm”, ka theksuar Hoti.

Hoti ka thënë se arsyeja është e qartë, pasi që këta njerëz kanë lidhje me Gruevskin në fushën e biznesit përtej asaj institucionale.

“Prandaj kjo është një arsye që flet qartazi se këta njerëz kanë lidhje përtej institucionale me Gruevskin dhe kjo lidhje është qartazi është në fushën e biznesit për shkak se e dimë, edhe vëllezërit e personit në fjalë dmth të zotit Thaçi njihen si njerëz më shumë ndikim në biznes. Më pas edhe zyrtarë të tjerë të ShIK-ut kanë familjarë, siç është vëllai i Elim Reçicës e të tjerë që njihen si mafiozë nëpër Ballkan”, ka thënë Hoti për “Bota sot”.

Huqja e Vetëvendosjes

Ndërsa ish luftëtari i UÇK-së, Hasan Zeneli ka thënë për “Bota sot” se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ja ka huqur me deklaratën për lidhjet e SHIK-ut me dhunën në Kuvendin e Maqedonisë.

Image
Hasan Zeneli

 “Gjithmonë kam shfaqur haptas opinionet e mija kundër SHIK-ut, në këtë rast, mendoj dhe jam i sigurt se Albin Kurti, ia ka huqur duke e lajthitur opinionin. Asnjë fije e hapur dhe e fshehtë se lidh SHIK-un me Gruevskin dhe Maqedoninë...”, ka thënë Zeneli për “Bota sot”.

Ali Ahmeti luan lojë të dyfishtë

Ndërsa, ish anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari ka thënë se Kurti është nisur nga bashkëqeverisja e Ali Ahmetiti dhe Nikolla Gruevskit .

“Albin Kurti u nis nga parimi se BDI dhe Gruevski sundojnë bashkë së paku qe 8 vite dhe se nga marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar as 10% e asaj marrëveshje. plus gjatë këtij sulmi në parlamentin Maqedoni nuk eshit rrah as gërvish asnjë deputet i BDI”, ka thënë për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se ministri i Brendshëm të Maqedonisë, Agim Nuhiu është anëtari i BDI-së dhe sipas tij Ahmeti luan lojë të dyfishtë dhe për këtë nuk e ka keq Kurti.

Image
Naim Miftari

“Qeveria e tanishme mbahet nga Gruevski dhe BDI dhe se ministër i punëve brendshme është anëtari i BDI-së,  tregon se Ali Ahmeti luan lojë të dyfishtë e kur dihet se Ali Ahmeti është anëtar i klanit LPK dhe i takon edhe klanit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit sot ku këta kanë në Maqedoni sot pasuri të përbashkëta multi milionëshe si firma, restorante, hotele, toka, pika karburanteve, fabrika ....etj. edhe nuk e ka keq Albin Kurti kur e thotë atë akuzë”, ka thënë Miftari.

Po ashtu, Miftari deklaron se nuk janë rastësi këto që kanë ndodhur deri më tani duke e përfshirë edhe vrasjen e luftëtarëve shqiptar në Kumanovë.

“Pasi gjitha këto pasuri janë bërë në kohën kur Nikolla Grueski ka qenë kryeministër i Maqedonisë duke mos harruar as kurthin e kurdisur kundër luftëtarëve shqiptar në Kumanovë para dy viteve. Nuk ka rastësi në këto ndodhi gjer sot”, ka përfunduar Miftari, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë së gjatë ditës së enjte, Talat Xhaferi u zgjodh kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, ku më pas shpërtheu dhuna antishqiptare nga një grup kriminelësh sllavomaqedon, me ç’rast u lënduar disa deputetë, e ku më së shumti e pësoi deputeti shqiptar, Zijadin Sela.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat