“Fillimi i Ri”, pas dështimit të Hashim Thaçit e Kadri Veselit!

Politika

“Fillimi i Ri”, pas dështimit të Hashim Thaçit e Kadri Veselit!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 maj 2017 Në ora: 11:52
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Edhe pse fushata nuk ka filluar zyrtarisht për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit në Kosovë, e që në anën tjetër po flitet edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, politikanët kanë filluar një lloj ‘fushate’ në qytete të Kosovës.

Së fundmi kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka filluar takimet me qytetarë në vende të ndryshme të Kosovës.

Më pas ai ka filluar takimet me ekspertë dhe tani me bizneset në Kosovë, duke prezantuar në këtë mënyrë kampanjën ‘Fillimi i ri’.

Se sa mund të jetë një fillim i ri për vendin me këtë kampanjë, të cilën e udhëheqë ish kreu i SHIK-ut, shërbim ky i akuzuar nga pothuajse të gjithë për të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës mbetet të shihet, e derisa PDK e sheh si një nismë të re për Kosovën, analistët janë shprehur skeptikë për këtë.

Image
Deputeti nga radhët e PDK-së Bislim Zogaj

Nisma pozitive

Deputeti nga radhët e PDK-së Bislim Zogaj,  në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se e sheh si pozitive nismën e Veselit, duke thënë se është i pari që po dëgjon hallet e qytetarëve dhe se po interesohet që të ndryshojë gjërat për të mirë.

“Për këtë nismë të re unë mendoj se është diçka e re për Kosovën, sepse është hera e parë që një lider partie i dëgjon hallet dhe kërkesat e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë pyet për të metat që janë deri tash dhe çka mund të ndryshojmë, normalisht që të arrihet një përfundim më i mirë për qytetarët. Prandaj Kadri Veseli e ka zgjedhur rrugën që të komunikojë me qytetarët, që të ballafaqohet me problemet dhe në të njëjtën kohë të marrë edhe informacione se cilat janë kërkesat e qytetarëve dhe si të zgjidhen problemet . sipas vlerësimit tim, ai deri tash është interesuar të krijojë një mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Zogaj.

Image
Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami

“Dyshja Thaçi-Veseli e kanë vendin pas grilave”

Ndërsa, Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat Gazmend Islami, në një prononcim për gazetën ‘Bota sot’ ka thënë se është koha e ndryshimeve, që pushteti t’i kthehet popullit dhe sovranitet, ndërsa që sipas tij dyshja Thaçi-Veseli e kanë vendin pas grilave.

“Bota e qytetëruar është ngopur me kapo-bandat që kanë kapur shtetin, Klani Pronto që vërtet i ka kushtuar shumë Kosovës. Zgjedhja e Veselit kryetar Partie dhe zgjedhja e Thaçit President i vendit nuk është gjë tjetër vetëm modeli Putin-Medevev, sepse fundi ky klan qëllimin ka që kjo dyshe që sipas meje vendin e kanë prapa grilave, dëshirojnë të jetë njëri Kryeministër e tjetri President, me këtë dyshe Kosova do të rrëshqet drejt diktaturës. Qytetarët e kanë kuptuar dhe do t’i dhënë grusht të fort kësaj dyshe dhe koha e alternativës të re po vjen. LDK duhet të këndellet dhe grupi opozitar AAK-NISMA-BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT do të ishin alternativë progresive”, është shprehur Islami.

Image
Ish pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari

Dështimi i “Misionit të Ri”

Në anën tjetër, ish pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë për gazetën se i kemi parë rezultatet e ‘Misionit të Ri’ nga para kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe që është shok i Veselit dhe që kanë vendosur çdo gjë për PDK-në, që nga paslufta nga Qeveria e përkohshme e deri më sot.

“Thaçi dhe Veseli kanë qenë lojtarët kryesorë që kanë vendosur për misionet e reja e që në fakt janë vetëm (misione të vjetra), poashtu besoj se edhe ky mision do të vazhdojë ashtu mirë për një pakicë milionerësh dhe shumë keq për shumicën e popullatës tonë dhe shtetin tonë, që më shumë ngjan në një karikaturë satirike, se sa një shtet parimor i zhvilluar, shtet serioz dhe i drejtë. Misionet e vjetra poashtu edhe këto nga reklamat e reja na kanë sjellë këtu ku jemi sot, si një vend për të ardhur kuq, i izoluar, i etiketuar, jo funksionuar, i padrejtë, shtet dhe popull i shkelur nga fqinjët nga të gjitha anët, shtet ku nuk ke shpresa për shumë vite se do të bëhet mirë, shtet që po të munden, emigrojnë mbi 70 përqind dhe e gjitha kjo si rezultat i misioneve politike të mëhershme por edhe këto të ardhmet janë të kamufluara kinse si të reja dhe dihet çfarë rezultati do të sjellin”, ka deklaruar ai.

Ai poashtu ka fajësuar edhe LDK-në e cila i ka dhënë mundësinë PDK-së përmes koalicionit.

“Sa i përket përgjegjësisë, një pjesë të madhe të fajit këto vitet e fundit e ka sot LDK-ja, e cila për interesa të një klani të ngushtë politik u ndihmoi këtyre (misionarëve) me koalicion jo normal, që në këtë mënyrë të vazhdojnë misionet e tyre shkatërrimtare të vendit tonë. Se a do të ndihmojë ky mision nuk dihet ende, por çdo mision i ri është po ai misioni i vjetër, së paku në këto 16 vitet e pasluftës”, ka përfunduar Miftari për gazetën ‘Bota sot’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat