“Thaçi e Veseli shantazhojnë Mustafën”

Politika

“Thaçi e Veseli shantazhojnë Mustafën”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 maj 2017 Në ora: 20:57
Thaçi, Mustafa dhe Veseli

Partia opozitare Nisma për Kosovën ka arritur t’i sigurojë mbi 40 nënshkrime të deputetëve, të cilat i ka dorëzuar dje në Kuvend, për mocionin e votëbesimit të Qeverisë.

Menjëherë pas kësaj, kryesia e Kuvendit ka vendosur që të mërkurën, më 10 maj 2017, të mbahet seanca për votëbesimin e Qeverisë.

Nismës së kësaj partie përveç partive opozitare, i janë bashkuar edhe deputetë të koalicionit qeverisës LDK dhe PDK, të cilët janë të pakënaqur me çështjet e mëdha si Demarkacioni e Asociacioni. Madje, përplasjet dhe akuzat ndërmjet partnerëve të koalicionit tashmë kanë arritur kulmin.

Por, derisa opozita dhe PDK kërkon zgjedhjet e jashtëzakonshme, ato nuk i përkrah SHBA dhe Gjermania. Zyrtarë të ambasadave të këtyre dy vendeve, janë shprehur kundër organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Politika e Kosovës s’i bind ndërkombëtarët

Ata kanë deklaruar se nëpërmjet zgjedhjeve të reja, Kosova do të humbte kohë dhe para ndonëse, siç thonë ata, nuk dihet nëse zgjedhjet do të ndryshonin diçka thelbësore në vend.

Image
Haki Abazi

Duke komentuar deklaratën e tyre, drejtori për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit “Rockefeller Brothers”, Haki Abazi, ka thënë se do të jetë e vështirë që akterët e tanishëm të bindin bashkësinë ndërkombëtare që zgjedhjet janë zgjidhja për Kosovën.

“Ky është shkaku që zgjedhjet janë duke u shtyer. Nuk ka përmirësim me njerëzit që kanë shkaktuar krizat bllokadën institucionale për të prezervuar fuqinë e tyre politike. Por ajo kohë po mbaron”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

“Problemet madhore mbesin pa u zgjidhur”

Ndërsa, analisti politik, Muhamet Kelmendi, ka thënë se pavarësisht asaj se a shkohet apo jo në zgjedhje të parakohshme, në Qeveri dhe në Kuvend, mbesin problemet madhore pa u zgjidhur.

Image
Muhamet Kelmendi

“Para Kuvendit është Demarkacioni dhe Asociacioni, papunësia, gjendja doviale, shëndetësia dhe sidomos problemet me Serbinë dhe serbët, që janë shumë të rënda”, ka përmendur Kelmendi, derisa ka theksuar se nga zgjedhjet e reja, do të krijohen koalicione të reja.

“Nuk mendoj se veç koalicionit AAK dhe Nisma para zgjedhjeve, do të krijohen koalicione domethënëse. Nga kjo bën përjashtim AKR-ja, e cila mund të futet në koalicion. Pas zgjedhjeve, do të ketë domosdo koalicion, pasi nuk ka mundësi që një subjekt i vetëm të fitojë shumicën e votave. Por, kush do të jetë në koalicion, mbetet të shihet. Opsionet janë të hapura”, ka thënë analisti Kelmendi për “Bota sot”.

Se në Kosovë mund të ketë së shpejti zgjedhje të reja, e ka pohuar edhe analisti i çështjeve politike, Jeton Kelmendi. Në prononcimin për gazetën “Bota sot”, ai ka përmendur edhe dobësitë e Qeverisë Mustafa.

“Në aspektin ekonomik është Qeveria më e mirë që nga paslufta, sepse ka nënshkruar marrëveshjen me Bankën Botërore. Por, mendoj se  fajtorit apo aleatit të saj të madh PDK-së,  i pengon suksesi i Kosovës në kohën kur ajo nuk e qeveris vendin. Kjo qeveri ka sjell dy të zeza të mëdha Kosovës, Marrëveshja që bëri kryeministri Mustafa për Asociacionin dhe Marrëveshja të cilin e kishte bërë tash presidenti i vendit Hashim Thaçi me Demarkacionin”, ka thënë Kelmendi.

 Sipas tij, shkuarja në zgjedhje të parakohshme sivjet, do ta dëmtojë Kosovën dhe këtë meqë ato nuk i mbështesin as SHBA dhe as Bashkimi Evropian.

Kelmendi: Veseli kryeministër do të thotë tragjedi për Kosovën

Ai ka shtuar se riciklimi i figurave politike, do të thotë instalim i pushtetit të mëhershëm “të krimit”.

“Riciklimi i figurave të krimit do të thotë instalim i një pushteti siç ishte i mëhershmi, pushtet i krimit. Tash paramendoje t’i hapet rruga njeriut të SHIK-ut Kadri Veseli që të kalojë nga pozita e kryeparlamentarit në kryeministër. Do të thotë një ekonomi, 20 vrasje. Kjo çështje ishte kështu me kryeministrin Mustafa, por do të jetë shumëfish më e brishtë me Kadri Veselin”, ka theksuar tutje analisti Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Ai është shprehur se Kosovës nuk i duhen zgjedhjet e parakohshme, dhe se do të duhej që Qeveria aktuale të dërgojë deri në fund mandatin e saj, derisa ka shtuar se një koalicion i mundshëm ndërmjet PDK-së, AAK dhe Nismës, do të ishte tragjik për vendin.

“Thaçi e Veseli po shantazhojnë Mustafën”

“Kosova duhet të adresojë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin dhe kjo Qeveri duhet të vazhdojë deri në vitin tjetër me shpresë që në zgjedhjet normale do të ketë ndryshim kualitativ. Përndryshe, do të fitojë PDK-ja, do të ketë përkrah AAK e Haradinajt dhe Nismën për Kosovën. Ky kombinim do të jetë edhe më i keq dhe më tragjik për Kosovën, prandaj asessi nuk e shoh të nevojshme të shkohet në zgjedhje. LDK-ja sigurisht do t’i humb zgjedhjet, për faktin do të del partia e tretë, për shkak se kreu i saj bashkë me zyrtarët tjerë të saj, është historikisht një nga më të dobëtit, është i shantazhuar nga Thaçi e Veseli dhe prandaj do t’i humb zgjedhjet dhe humbja e zgjedhjeve do ta degradojë edhe më shumë atë”, ka përfunduar analisti Jeton Kelmendi për gazetën.

Edhe sipas analistit Blerim Burjani, shtetit të Kosovës nuk i konvenojnë zgjedhjet pa i zgjidhur problemet si Demarkacioni.

“Partia që do të vijë në pushtet, do të ketë telashe për numrat e deputetëve. Së dyti, Asociacioni dhe Forcat e Armatosura që duhet të themelohen, pastaj të nxirret ligji për sigurimet shëndetësore, të kryhet procesi i filluar me pensionistët dhe kategoritë e tjera, të fillojë zbatimi i pakos së dytë të Qeverisë… le të shohin qytetarët përfitimet nga këto tri vjet nga ky koalicion, pastaj le të bëhet reofrma zgjedhore dhe të ndryshohet sistemi elektoral në gjysmë mazhoritar për t’I ikur Qeverisë prej 5-6 partive politike, që gjithmonë ka rezultuar me dështime dhe jo efikasitet”, është shprehur Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai ka theksuar se zgjedhjet dhe koalicionet e ardhshme do të jenë të kota, sepse sipas tij, kjo klasë politike, mbetet kjo që është.

“Këta njerëz nuk mund të bëhen të reformuar brenda natës dhe të vetëdijësuar që të mos zhvatin më buxhetin e qytetarëve. Pse zgjedhje pa zgjidhje dhe pa rezultat? Pse vota koti? Qytetarëve nuk iu intereson kush po fiton dhe kush po humb prej partive, por sa po përfitojnë prej koalicioneve dhe qeverive. Nëse nuk fitojnë ata asgjë, do të duhej të dalin në zgjedhje për të ricikluar njerëz që rrisin pagat e tyre dhe privilegjet. Nuk shoh zgjidhje nga këto zgjedhje. Ato I konvenojnë vetëm opozitës, e cila nuk po mundet të qëndrojë në opozitë dhe pa zhvatur buxhetin, që është e njëjtë me këtë qeveri aktuale pa kurrfar ndryshimi”, ka shtuar analisti Blerim Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat