Avokati i njohur tregon pse nuk mund të zbulojë emrat që do të gjykohen nga Specialja

Politika

Avokati i njohur tregon pse nuk mund të zbulojë emrat që do të gjykohen nga Specialja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 maj 2017 Në ora: 08:46
Avokati Tomë Gashi

Gjykata Speciale është duke i bërë përgatitjet e saj të fundit për fillimin e punës. Aktualisht është në proces harmonizimi i akteve rregullative të gjykatës me Kushtetutën e Kosovës.

Javën e kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatësja, Ekaterina Trendafilova, ka mbajtur në Hagë konferencën e parë për medie përmes së cilës ka prezantuar vizionin e saj për punën që pritet të nis gjykata.

Kurse, në anën tjetër tashmë kanë filluar edhe kontaktimet nga njerëz të cilët pritën të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Avokati ndërkombëtar, Gregor D.Guy Smith dhe avokati vendor Tomë Gashi kishin pohuar që ishin kontaktuar nga njerëz që potencialisht mund të akuzohen nga kjo Gjykatë.

Ndërsa, një gjë të tillë e kishte konfirmuar kohë me parë edhe avokati Gashi, i cili kishte thënë se është kontaktuar nga njerëz të cilët pritën të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Por i pyetur nga “Bota sot” nëse mund t’i cek emrat që e kanë kontaktuar, Gashi ka thënë se për sigurinë e tij nuk mund t’i tregojë emrat.

Ai shton se as emrat konkret që do të jenë cak i Gjykatës Speciale nuk mund t’i di ndonjë kush.

 “Nuk mund të cek emra që më kanë kontaktuar, është një vetësiguri dhe vetësiguri që askush nuk mund ta di me emrin dhe mbiemrin e atyre që do të akuzohen, ka vetëm aludime se një pjesë e tyre e kanë emrin e tyre në raportin e Dick Martyt, mund të jenë të akuzuar, por për emra konkret askush nuk mund t’i di”, shprehet Gashi për “Bota sot”.

Gashi pohon se shqetësimi ka filluar nga njerëzit që potencialisht mund të gjykohen, mirëpo përgjegjësit duhet t’i mbajnë deputetët të cilët e kanë votuar këtë Gjykatë.

“Të gjitha ata që potencialisht mund të gjykohen sigurisht që mos të themi se kanë frikë, por kanë shqetësim dhe është e drejtë e tyre legjitime që të jenë të shqetësuar, mirëpo duke marrë parasysh që Kuvendi i Kosovës ka votuar një gjykatë aq të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe për individë të caktuar, unë mendoj se përgjegjësit duhet t’i kishin deputetët e kuvendit të Kosovës që para dy viteve kanë votuar për këtë gjykatë dhe jam i sigurtë që edhe një pjesë e atyre që e kanë votuar do të mund të jenë pjesë e Gjykatës Speciale” thekson Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat