Zbardhet lidhja e Kadri Veselit me Vetëvendosjen

Politika

Zbardhet lidhja e Kadri Veselit me Vetëvendosjen

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 maj 2017 Në ora: 07:21
Gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, Kadri Veseli

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi duke folur për ish-koalicionin qeverisës LDK-PDK, ka thënë se gazi lotsjellës nuk e ka penguar Qeverinë,  që ta luftojë korrupsionin, por ka penguar një të keqe të madhe për këtë vend. Ai iu është kundërpërgjigur akuzave, se kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka ndikim tek Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se ndikimi i këtij të fundit është tek LDK-ja e jo tek lëvizja e tij. “Kadri Veseli mund të ketë ndikim në LDK, por jo në Lëvizjen Vetëvendosje. Qëndrimi i PDK-së për Demarkacionin do të thotë që ka hequr dorë nga ratifikimi”, ka deklaruar deputeti Kurteshi.

Kurteshi mohon që Veseli të ketë ndikim në VV

I pyetur nga gazeta “Bota sot”, se cili mund të jetë ndikimi i Veselit tek ish-partneri i tij qeverisës, Kurteshi ka thënë se ndikimi i tij është parë në praktikë.  “Kjo është parë në praktikë, pasi Kadri Veseli dhe PDK-ja në Qeverinë e Isa Mustafës kanë pasur ndikim të madh. Ajo ka qenë përgjigje në një akuzë ku është thënë që PDK-ja dhe Kadri Veseli ka ndikim nëVetëvendosje, por unë nuk kam parë ansjë element nga ajo që e ka thënë dhe kam thënë se ka shumë elemente të cilat flasin për të kundërtën, se ndikimi është atje e jo këtu në Vetëvendosje”, ka theksuar deputeti i Vetëvendosjes. 

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi

I pyetur se a po tenton Veseli të përçajë LDK-në në prag të zgjedhjeve, Kurteshi ka përjashtuar një mundësi të tillë, duke thënë se Kadri Veseli, i ka realizuar deri tani të gjitha qëllimet e tij me LDK-në.  Ai ka shtuar, se synimi i tashëm i kryetarit të PDK-së, është posti i kryeministrit.  “Jo unë mendoj se qëllimet i ka realizuar, e ka bërë Thaçin president, veten kryetar të Kuvendit deri tash dhe njeri me ndikim, e tash kur më tutje, ka konsideruar që nuk i nevojitet partneriteti me LDK-në, e ka prish edhe koalicionin dhe synon që të marrë nën mbikëqyrje dhe nën kontroll edhe Qeverinë. Por, unë shpresoj që qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar, nëse jo herave të tjera, të mërkurën në seancë nga akuzat që ia kanë bërë njëri-tjetrit partnerët e koaliconit, se me kë kanë të bëjnë dhe nuk do të mashtrohen edhe një herë nga partnerët e koalicionit”, është shprehur deputeti Kurteshi.

LDK: Veseli i bëri favore të veçanta Vetëvendosjes

Por, në LDK mohojnë ndikimin e Veselit në këtë parti, madje pohojnë se ndikimi i këtij të fundit, shihet tek VV-ja.  Duke komentuar në lidhje me deklaratën e Kurteshit, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja Adem Salihaj, ka thënë se LDK-ja do të luftojë që Veselin me “SHIK-un e tij të mos ketë kurrfarë ndikimi” në këtë parti. 

Image
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj

Ndërsa deklaratën e tij, Salihaj e ka quajtur qëllimkeqe dhe të papjekur.  “Ne do të luftojmë që Kadri Veseli me SHIK-un e tij famëkeq, të mos ketë kurrë farë ndikimi në LDK. Kjo thënie e tij më tepër është një insinuatë se sa realitet. Konsideroj, se kjo deklaratë e Ismajl Kurteshit është qëllim -keqe dhe nuk është e para e ketij lloji. Ai edhe më parë ka dhënë deklarata të tilla të papjekura për LDK-në. Por, Ismajl Kurteshi të mos jetë i sigurtë se Kadri Veseli nuk ka ndikim në VV”, ka deklaruar deputeti Salihaj për gazetën “Bota sot”.  Ai madje ka akuzuar Veselin se gjatë kohës sa Vetëvendosje ka hedhur gaz lotjsellës në Kuvend, ai i ka dhënë hapësirë të pakufizuar kësaj partie.  “Kadri Veseli i ka kordinuar veprimet e tij me ato të Vetëvendosjes gjatë kohës sa Vetëvendosje ka hedhur gaz në Kuvend, si dhe i ka dhënë hapësirë të pakufizuar kësaj partie, duke i krijuar favore të mëdha dhe të veçanta. Prandaj, Ismajl Kurteshi nuk duhet të japë këso deklaratash të pamatura e të papjekura”, ka shtuar Adem Salihaj.

Kelmendi e quan joserioze deklaratën e Kurteshit

Ndërsa, sipas analistëve politikë, deklaratat si të Kurteshit, në prag dhe gjatë fushatës zgjedhore, nuk duhet të merren seriozisht.  Duke folur për këtë çështje, analisti politik Muhamet Kelmendi, ka theksuar se shkaku i kësaj është se tashmë jemi de-fakto në zgjedhje.  Sipas tij, ndikimi i secilit politikan në partinë tjetër, duhet të analizohet vet nga partia.  “Çdo subjekt politik, individ a politikan, përpiqet që të depërtojë te partia tjetër dhe të marrë sa më shumë njerëz me vete. Ndërsa, fakti se sa është në gjendje Kadri Veseli të depërtojë në LDK, nuk mund të them. I takon vetë çdo subjekti të analizojë veten e vet dhe të ardhmen”, ka thënë Kelmendi për “Bota sot”. 

Image
Muhamet Kelmendi

Ndryshe, akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje në drejtim të ish-kreut të SHIK-ut, janë shtuar shumë së fundmi.  Sekretari Organizativ i kësaj Lëvizje, Dardan Molliqaj e ka drejtuar gishtin kah Kadri Veseli si fajtorë për kërcënimet që kanë ardhur në adresë të tij. Molliqaj e ka akuzuar Veselin edhe për një sulm që kishte ndodhur ndaj aktivistit të VV-së, Agron Kabashi, në të cilin ishte i përfshirë edhe vet Molliqaj. “Është e qartë se prapa këtyre kërcënimeve janë grupe kriminale në Kosovë, të cilat në masë të madhe udhëhiqen nga strukturat e SHIK-ut dhe nga drejtuesi i saj, Kadri Veseli”, ka deklaruar Molliqaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat