KQZ tregon numrin e saktë, ja sa votues kanë të drejtë vote me 11 qershor

Politika

KQZ tregon numrin e saktë, ja sa votues kanë të drejtë vote me 11 qershor

Nga: Edona Osmanaj Më: 18 maj 2017 Në ora: 08:50
Valmir Elezi

Pastrimi i listave zgjedhore është një problem që tash e sa kohë, thuajse çdo herë që ka zgjedhje është një problem i madh, ku shumë të vdekur ende figurojnë në listat zgjedhore.

Por përfaqësuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor thonë se janë duke punuar intensivisht në rifreskimin e listave zgjedhore. Kështu ka bërë të ditur kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, në njërën nga intervistat e saj televizive.

Po ashtu Daka ka bërë të ditur edhe numrin e votuesve, ku sipas saj janë rreth 1.8 milion votues, 35 mijë prej tyre votues të rinjë. Por Sipas saj, duke qenë se kemi zgjedhje të parakohshme, Daka ka deklaruar se nuk kanë pasur kohë që këtë herë të edukojnë votuesit e rijnë.

“Afatet janë shume të shkurta, nuk do të kemi aq kohë që ti edukojmë të gjithë ata që do të marrin për herë të parë fletë votimin në dorë”, u shpreh Daka.

Ndërkaq, i kontaktuar nga gazeta “Bota Sot”, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar  rreth listave përfundimtare zgjedhore, të cilat sipas tij janë  paraparë që të bëhen publike në qershor.

Elezi, po ashtu ka bërë të ditur edhe njëherë numrin e votuesve që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.

“Lista Përfundimtare e Votuesve, nuk është certifikuar akoma nga Komisioni Qendror i Zgjedhje, pasi kjo është paraparë të bëhet më 1 qershor. Në bazë të Listës Jo-Përfundimtare të Votuesve, kjo listë përmban: 1 milion e 885 mijë e 147 votues”, ka deklaruar Elezi.

Ndër të tjera, ai ka thënë se brenda pak ditësh do të dihet saktë numri përfundimtarë i  personave që janë larguar nga lista.

“Ne do kemi informacione brenda pak ditësh, dhe do të mund ta dimë se sa është numri i personave të vdekur që janë larguar nga Lista Votuese dhe se sa është numri i atyre që kanë hequr dorë nga nënshtetësia, e që rrjedhimisht nuk do të jenë në listën përfundimtare të votuesve”, ka thënë Elezi.

Ndërkaq, për bashkatdhetarët ai ka thënë se KQZ është në periudhën e regjistrimit të tyre, për votim jashtë vendit.

“Në përmbushje të obligimeve ligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me datë 15 maj ka filluar periudhën e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës. Kjo periudhë do të përfundojë me 22 maj 2017”, ka përfunduar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat