Vetëvendosje, kërkoi të nxirrte jashtë loje AAK-në

Politika

Vetëvendosje, kërkoi të nxirrte jashtë loje AAK-në

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 maj 2017 Në ora: 17:42
Muharrem Nitaj dhe Ramush Haradinaj

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem  Nitaj, e konsideron si hap të rëndësishëm lidhjen e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës. Nitaj, gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar në detaje mënyrën se si erdhi deri tek koalicioni me PDK-në. Po ashtu, ai ka treguar edhe arsyen se përse nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje. “AAK-40, VV-40, Nisma 20 dhe shoqëria civile 10 kandidatë për deputetë. VV e ka pasur edhe eksluzivitetin e zgjedhjes ndërmjet kandidatit për kryeministër apo bartësit të listës, por ata kërkonin më shumë dhe kjo e nxirrte jashtë lojës AAK-në”, ka thënë Nitaj.

“Bota sot”: Z. Nitaj, a mund të na thoni se si erdhi deri te vendimi për t`iu bashkuar PDK-së?

Muharrem Nitaj: AAK ishte përballë dy zgjidhjeve, ose të pajtohej me rrezikun që Kosovën ta drejtojnë Pacolli e Mustafa, edhe për katër vjet të tjera, dhe me këtë të zhvlerësohej gjithë puna e bërë në përfundimin e qeverisjes së keqe të vendit, ose të pranonte ofertën e PDK-së, me kryeministër Haradinajn. Për ne ishte e rëndësishme që të bëhëj zgjidhja më e mirë e mundshme, dhe pikërisht kjo ishte zgjidhja më e mirë, në raport me situatën e krijuar.  Tani zgjidhje përfekte nuk ka, por fakti që një bllok i tërë politik rreshtohet pas kandidaturës së Haradinajt për kryeministër, mendoj se ishte zgjidhje e mirë.  

“Bota sot”: U përfol shumë se kjo gjë ishte planifikuar më herët, se edhe mocioni që rrëzoi qeverinë Mustafa kishte për qëllim bashkimin tuaj me PDK-në, cili është versioni juaj?

Muharrem Nitaj: Jo kjo nuk është e saktë. U thashë se si rrodhën ngjarjet në raport me PDK-në. Bile për hirë informimit të opinionit, oferta ka ardhë nga PDK-ja dhe jo nga ne.

“Bota sot”: Si arritët ta bindni PDK-në sa i përket postit të Kryeministrit?

Muharrem Nitaj: Nuk kishim nevojë ta bindnim fare. Thashë oferta ka qenë e tyre dhe ata e kanë parë mbështetjen që ka Haradinaj në popull, dhe po besoj, se kjo ka qenë arsyeja pse ata janë përcaktuar për këtë format.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Premten në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat