"Ramush Haradinaj, njeriu më i papërgjegjshëm politik që ka Kosova"

Politika

"Ramush Haradinaj, njeriu më i papërgjegjshëm politik që ka Kosova"

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 maj 2017 Në ora: 10:21
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj deklaroi: " Nuk ka tepih të kuq. Këtë herë nuk mund të përfitojë askush nga rasti Haradinaj"

Që nga zgjedhja e Isa Mustafës si kryeministër i vendit, opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, duke thënë se kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi, për të sjellë një tjetër. Këtë kërkesë të partive opozitare e plotësoi partneri i koalicionit të LDK-së, PDK-ja, e cila vendosi që ta përkrahë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të nisur nga NISMA.

Tashmë zyrtarisht zgjedhjet do të mbahen me 11 qershor. Në këto zgjedhje ka tre kandidatë për kryeministër, nga dy koalicione dhe një parti.

Avdullah Hoti është kandidati nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa që nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, kandidati për kryeministër të Kosovës është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Por, në ditën kur u rrëzua qeveria Mustafa, Haradinaj deklaronte se nuk do të bënte me asnjë kusht koalicion me dy partitë që kishin qenë në pushtet, pra LDK-në dhe PDK-në. Ai u vendosi vija të kuqe këtyre dy partive.

“Pra, aleanca ka vijë të kuqe për këto parti, ne i ofrojmë sovranit opsionin qeverisës deri tani AAK-Nisma, duke shpresuar edhe në akter të tjerë, qoftë të shoqërisë civile, të opozitës, por në asnjë variant nuk do të bashkëpunojmë me paritet në pushtet. I bëjmë thirrje qytetareve që t’i gjykojnë këto parti me votë për dëmet që ia kanë bërë vendit dhe i bëjmë thirrje që të na japin besimin neve që ta shpëtojmë vendin nga katrahura ku e kanë sjellë PDK-LDK”, kishte deklaruar Haradinaj në konferencën për media, të mbajtur me 10 maj, ditën kur ra Qeveria.

Por, Haradinaj shumë shpejt harroi fjalët dhe vijat e kuqe që ai i kishte vendosur ndaj PDK-së, dhe pranoi që të hyjë në koalicion, me kushtin që të jetë kandidat për kryeministër.

Poashtu, Haradinaj kishte përkujtuar  kohë më parë se partia e tij nuk ka qenë kurrë e vetme në koalicion me PDK-në, dhe se ajo duhet të shkoj në opozitë.

“Nuk do të ndodhë as pas zgjedhjeve. PDK-ja i ka bërë dëme vendit. Epilogu më i mirë për këtë parti është të qëndrojë në opozitë. E ardhmja duhet të jetë e atyre që synojnë ndryshime thelbësore”, kishte thënë Haradinaj.

Ndërsa, pas nënshkrimit të koalicionit me PDK-në, Haradinaj ka thënë se me besimin e dhënë do ta nderoj atdheun.

“Besimin e dhënë në luftë, e kam nderu edhe te bashkëluftëtarët edhe te populli im; Besimin e dhënë nga Presidenti Rugova, e kam mbajt me nder; 
Me besimin e dhënë sot, do ta nderoj atdheun! Na priftë e mbara!”, shkroi në llogarinë e tij në Facebook Haradinaj, pas lidhjes së koalicionit me PDK-në.

Image
Avni Arifi

Arifi: Bëmë koalicion me Ramushin për kryeministër

Lidhur me nënshkrimin e koalicionit PDK-AAK-NISMA, anëtari i kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, ka thënë se është absurde të thuhet se Haradinaj e ka tradhtuar elektoratin e tij dhe sipas tij këtë e thonë ata që kanë tradhtuar elektoratin e tyre.

“Po të kishim premtuar para zgjedhjeve se nuk bëjmë koalicion e pas zgjedhjeve te kishim bërë (si LDK me 2014) atëherë kjo do të ishte tradhti. Ne kemi bërë koalicion me Ramushin kryeministër dhe me këtë ofertë po kërkojmë votë. Çka ka lidhje me tradhti kur ende nuk është votuar???”, ka deklaruar Arifi për gazetën “Bota sot”.

Image
Imer Mushkolaj

Mushkolaj: Haradinaj i harroi vijat e kuqe për të kandiduar për kryeministër

Në anën tjetër, analistët politikë mendojnë ndryshe.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” se Haradinaj kishte përmendur vija të kuqe me disa parti, por që i harroi ato kur ka vendosur të kandidojë për kryeministër.

“Koalicioni i PDK-së me AAK-në dhe Nismën është një koalicion i prejardhjes së njëjtë, i ideologjisë së njëjtë politike. Haradinaj kishte përmendur vija të kuqe, por ato i harroi kur vendosi të kandidohet për kryeministër. Kjo ishte mundësi që ai mbase edhe ta fitojë këtë post, sepse nuk është e pritshme që AAK të fitojë e vetmja zgjedhjet, në mënyrë që Haradinaj të bëhet kryeministër. Andaj, Haradinaj shfrytëzoi rastin dhe situatën e krijuar, ndërkohë që për Kadri Veselin më e rëndësishmja është që PDK të vazhdojë të mbetet në pushtet”, është shprehur Mushkolaj.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Ramush Haradinaj, njeriu më i papërgjegjshëm politik që ka Kosova

Në anën tjetër, profesori universitar Jeton Kelmendi edhe pse nuk e quan tradhti, thotë se Haradinaj është politikani më i papërgjegjshëm dhe që ka gabuar, prandaj sipas tij, elektorati do ta dënojë.

“Realisht në politikë nuk ka tradhti. Por një gjë mund ta them dhe e them me përgjegjësi të plotë, njeriu më i papërgjegjshëm politik që ka Kosova është Ramush Haradinaj. Ka një mani për të qenë kryeministër, prandaj unë dyshoj se zoti Haradinaj do të mund të bënte çdo gjë për atë post, pasi është i obsesionuar, andaj nuk them që ka bërë tradhti por është i obsesionuar dhe ka bërë gabim, e për këtë sigurisht që elektorati do ta dënojë fuqishëm dhe do të ketë probleme në zgjedhjet e tjera për ta kaluar edhe pragun dhe kjo mbetet për tu parë”, ka deklaruar Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat