Klasa politike, fajtore për dështimin e reformës zgjedhore

Politika

Klasa politike, fajtore për dështimin e reformës zgjedhore

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 maj 2017 Në ora: 13:20
Kuvendi i Kosovës

Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit do ta gjejnë Kosovën pa reformë zgjedhore. Ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit, kur Presidenti i vendit Hashim Thaçi, kishte deklaruar se duhet të bëhet reforma zgjedhore. Madje, vetë Presidenti Thaçi kishte mbledhur disa herë përfaqësuesit e subjekteve politike në Kosovë për të diskutuar për reformën zgjedhore. Këto takime ishin refuzuar nga subjektet politike opozitare.  Nisma e Presidentit, në atë kohë, ishte përkrahur edhe nga kreu i PDK-së Kadri Veseli, i cili pati deklaruar se deri në dhjetor të vitit 2016 reforma zgjedhore do të përfundonte. Të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjen e gazetës, nëse mungesa e reformës zgjedhore do të shkaktojë pasoja.

Reformë në teori

Image
Blerim Burjani

E këto iniciativa, për ish anëtarin e Komisionit Qendror zgjedhor, Blerim Burjani, nuk janë gjë tjetër përveçse fjalë. Sipas tij, përgjegjësia për mungesën e reformës zgjedhore bie mbi partitë politike.“Asnjëherë nuk kishte interesim që të ketë reformë zgjedhore të mirëfilltë, por kishte më shumë politike, pra fjalë. Është bërë dëm mjaft i madh në këtë çështje, derisa pa reformë erdhën sërish zgjedhjet. Përgjegjesia bie te partitë politike dhe te Presidenti, i cili është dashur kaherë të përfundojë, por jo të fillojë e të mbetet në gjysmë. Zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të vijnë në secilën etapë. Andaj duhet të kihet parasysh edhe planifikimi dhe përfundimi e reformës. Jo reforma përjetësisht.  Reforma  nuk duhet të mbetet përjetësisht e njëjtë”, ka thënë ai. Burjani ka deklaruar,  se  ligji aktual zgjedhor asnjëherë e nuk ka garantuar cilësinë, por vetëm organizmin e zgjedhjeve. “Problemet e mëdha ligjore kanë shtyrë shtetin sërish të hyjë në zgjedhje pa reformë të mirëfilltë,  që do të prodhonte një qeverisje efektive, por jo të kësaj natyre të deritashme që nga viti 2001, po sikur të ishte reforma zgjedhore p.sh. sistemi gjysmë mazhoritarë, ne nuk kishim pas kaq shumë parti të vogla politike, në lojën politike, por kishte pasur më së shumti 3 parti të mazhorancës dhe partitë e pakicave”, është shprehur ai.

Mungon vullneti politik për reformën zgjedhore

Avokati Adrian Gjoshi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se Kosovës i ka munguar vullneti politik për ta reformuar sistemin elektoral, prandaj reforma ka mbetur në tentativë. 

Image
Adrian Gjoshi

“Reforma e sistemit elektoral është çështje e një debati politik dhe e një procesi vendimmarrës. Kalimi nga një sistem në sistemin tjetër elektoral, përveç që kërkon profesionalizëm dhe ekspertizë, poashtu, kërkon edhe vullnet politik, i cili vullnet është vendimtarë. Kosovës i ka munguar vullneti politik për ta reformuar sistemin elektoral, prandaj reforma ka mbetur në tentativë”, ka thënë ai.  Sipas tij, sistemi elektoral aktual u ka konvenuar partive politike në vend dhe prandaj, e kanë preferuar këtë status quo. “Mund të thuhet se, pjesërisht, një hezitim i tillë ishte edhe i arsyeshëm, sepse disa nga propozimet për reformë ishin joadekuate. Zvogëlimi i numrit të deputetëve dhe rritja e pragut elektoral, do të ndikonin negativisht. Njëra do të cenonte përfaqësimin dhe tjetra pluralizmin politik. Sistemi elektoral aktual, nuk ofron zgjedhje të drejta dhe demokratike, meqë ende ka probleme me administrimin e zgjedhjeve, transparenca financiare e partive politike mungon, procedura e ankimimit nuk është e kënaqshme, gjobat ndaj partive politike që bëjnë shkelje mbesin qesharake etj. Kosovës i duhet një sistem elektoral i cili do të promovonte demokraci dhe do t’i përshtatej rrethanave të vendit tonë”, ka theksuar ai. Gjoshi ka nënvizuar se, për të pasur një përfaqësim sa më të denjë, duhet kaluar nga sistemi proporcional në sistem proporcional regjional me 6 zona zgjedhore “Sistemit elektoral në Kosovë i duhet një reformë rrënjësore. Përfundimisht, Kosovës i duhet një sistem elektoral, i cili i ofron qytetarëve mundësi për të zgjedhur deputetët e duhur, që krijon legjitimitet, përfaqësim parlamentar, llogaridhënie dhe mbi të gjitha, një sistem i cili i inkurajon qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje (qoftë duke e shfrytëzuar të drejtën e votës aktive, qoftë atë pasive)”, ka përfunduar ai.

Kosova duhet të ndahet në zona zgjedhore

Ndërkaq, politologu Mentor Tahiri, ka thënë, se Kosova nuk ka arritur një stad të kulturës politike, aq sa subjektet politike të ndjejnë përgjegjësi ndaj qytetarit për qasjet e gabueshme që i japin rrjedhës politike në Kosovë.

Image
Mentor Tahiri

“Diskursi politik në Kosovë, sidomos ai ndërpartiak, vuan nga mungesa e vullnetit për konsensualitet qoftë edhe në rastet, kur për këtë ka interes nacional. Subjektet politike nuk po arrijnë t’i tejkalojnë ambiciet e tyre të ngushta dhe me këtë po dëshmojnë se nuk janë në shërbim të qytetarit. Si duket Kosova nuk ka arritur një stad të kulturës politike, aq sa subjektet politike të ndjejnë përgjegjësi ndaj qytetarit për inputet e tyre të gabueshme që i japin rrjedhës politike në Kosovë. Në këtë aspekt, duhen gjykuar edhe çështjen e ngecjes shumëvjeçare të reformës zgjedhore”, është shprehur ai.  Për politologun Tahiri, sistemi aktual zgjedhor në Kosovë ka disa defekte të cilat qartë po reflektojnë në një proporcion të zhbalancuar të përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës.  “Natyrisht këtu vjen në shprehje edhe mungesa e demokracisë së brendshme në subjekte politike, e cila pastaj reflekton me këto zhbalancime, por gjithashtu qytetarit as që po i jepet mundësi të zgjedhë si duhet. Për të përmirësuar këtë gjendje, është e nevojshme që Kosova të ndahet në zona zgjedhore ku si kriter duhet të merret elementi gjeografik dhe numri i banorëve”, ka thënë ai.  Po ashtu, politologu Tahiri ka kujtuar faktin se deri tani, ishte vetëm LDK-ja subjekti politik që ka përkrahur idenë për më shumë zona zgjedhore, por nuk ishte kuptuar nga partitë tjera. “Një aspekt tjetër që duhet shqyrtuar në sistemin aktual zgjedhor të Kosovës, është pragu i lartë zgjedhor prej 5% për të hyrë në Kuvend. Ky kriter që në start është i aranzhuar që të ngulfatë iniciativat e reja politike, çfarë edhe ka ndodhur në traditën politike të Kosovës”, ka shpjeguar Tahiri.

Image
Ismet Haziri

Kurse, për analistin Ismet Haziri, sistemi kushtetues i Kosovës është i dizajnuar dhe i ndërtuar,  sipas vështrimeve ndërkombëtare dhe i harmonizuar në kundërshtim me interesat shumicë të Kosovës. “Prandaj as sistemi zgjedhor nuk bën përjashtim nga kjo tërësi defekteve, të cilat në fakt e dëmtojnë përfaqësimin proporcional të popullit. Ne fakt kjo gjendje edhe mund t’ ju shkojë përshtat subjekteve me bastione, sikurse që është PDK -ja dhe kjo mund të jetë arsyeja që Thaçi dhe Veseli e kaluan në heshtje  çështjen e reformës zgjedhore”, ka thënë ai. Ndryshe, zyra për Informim e KQZ-së nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës nëse mungesa e reformës zgjedhore mund të ketë pasoja në organizimin e zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat