Politikanët që mund të shkojnë dy herë në zgjedhje

Politika

Politikanët që mund të shkojnë dy herë në zgjedhje

Më: 21 maj 2017 Në ora: 18:59
Labinot Tahiri/Mimoza Kusari-Lila/Shpend Ahmeti

Shpend Ahmeti, Labinot Tahiri dhe Mimoza Kusari-Lila do të kërkojnë votën e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, pas 11 qershorit – datës së zgjedhjeve parlamentare. Por, rreth pesë muaj më vonë të njëjtët persona mund të kenë të njëjtën detyrë edhe në zgjedhjet lokale.

Me të shpallur listat e subjekteve politike me kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare, kanë rënë në sy tre politikanë. Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje, Labinot Tahiri nga AKR dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.

Të tre këta politikanë kanë konfirmuar se do të kandidojnë edhe në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fund të këtij viti.

Shpend Ahmeti ka deklaruar se do të rikandidojë për postin e kreut të Komunës së Prishtinës. Mimoza Kusari-Lila ka thënë se do të rikandidojë në Gjakovë. Ndërkaq, Labinot Tahiri e ka zyrtarizuar kandidimin e tij për kryetar të Ferizajt.

Të tre këta politikanë do të kërkojnë votën e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, pas 11 qershorit – datës së zgjedhjeve parlamentare. Por, rreth pesë muaj më vonë të njëjtët persona mund të kenë të njëjtën detyrë edhe në zgjedhjet lokale.

Në muajin shkurt të këtij viti, lideri i Prishtinës konfirmoi se është i gatshëm të rikandidojë në Komunën e Prishtinës.

“Nuk e rrezikojmë projektin e Prishtinës, mundem edhe të rikandidojë. Si duket do të rikandidoj dhe për dallim prej herës së kaluar, këtë herë do të kërkojë drejtpërdrejtë votën për asamblenë që mos të ripërsëriten bllokimet që mi kanë bërë për zhvillimin e Prishtinës nga asambleja komunale”, tha Ahmeti.

Njëjtë sikurse Ahmeti, edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në muajin shkurt kishte konfirmuar se do të kandidojë edhe për një mandat qeverisës në Gjakovë.

“Në situatën siç jemi tani, po unë do të kandidojë edhe një mandat për Gjakovën”, deklaronte Kusari-Lila.

Ndërkaq, për dallim nga Ahmeti dhe Kusari-Lila, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Labinot Tahiri ka shpallur kandidaturë zyrtare për kryetar të Komunës së Ferizajt.

Asnjëri prej tyre nuk ka treguar nëse do të japë dorëheqje nga pozita e deputetit, në rast se do të zgjidheshin në këtë pozitë, për të vazhduar kandidimin në komunat përkatëse.

Në një tubim me qytetarë në këtë komunë, Tahiri së bashku me presidentin e partisë, Behgjet Pacolli, e kishin zyrtarizuar kandidaturën e këngëtarit në Ferizaj.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen në fund të këtij viti, ndërsa ato parlamentare do të mbahen më 11 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat