Hoti: Kemi krijuar 40 mijë vende pune, do t'i hapim edhe 40 mijë vende të reja

Politika

Hoti: Kemi krijuar 40 mijë vende pune, do t'i hapim edhe 40 mijë vende të reja

Më: 22 maj 2017 Në ora: 10:25
Avdullah Hoti

Kandidati për kryeministër i LDK-AKR-Alternativa, njëherësh ministri i Financave Avdullah Hoti, ka thënë të hënën në Ferizaj se në dy vitet e fundit qeveria ka krijuar 40 mijë vende të reja të punës, ndërsa në dy vitet e para të mandatit të ri do të krijohen edhe 40 mijë vende të reja të punës.

“Ne kemi filluar reformën e parë fiskale në shtator 2015, e cila ka gjeneruar 2 miliardë euro qarkullim në ekonominë e Kosovës, ka prodhuar 400 milionë euro taksa të reja për shtetin, ndonëse barra për bizneset është zvogëluar dukshëm. Me këtë reformë fiskale ne kemi zvogëluar pagesat e tatimeve për bizneset rreth 50 milionë euro, që do të thotë se kjo shumë ka qenë përkrahje e drejtpërdrejt e shtetit për komunitetin e biznesit”, ka thënë Hoti, gjatë një vizite që i ka bërë Fabrikës “Euro-Metal” në Ferizaj.

Ai ka shtuar se masat tona ekonomike kanë gjeneruar 40 mijë vende të reja të punës vetëm në sektorin formal, ndërsa plani i ri qeverisës parasheh që në dy vitet e para të mandatit të ri do të krijojmë edhe 40 mijë vende të reja të punës në sektorin formal.

Image

“Nuk e kemi kryer krejt punën, ky është vetëm fillimi i zhvillimit të Kosovës, ashtu siç e ëndërrojnë dhe meritojnë qytetarët tanë. Plani ekonomik parasheh reforma të thella ekonomike që kanë për synim fuqizimin e ekonomisë, rritjen e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët”, ka thënë Hoti.

Ministri i Financave ka thënë se do t'i funksionalizojmë zonat ekonomike dhe jemi dakorduar me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Ministrinë e Tregtisë për t'i bërë këto zona në funksion të komunitetit të biznesit.

Një masë tjetër e qeverisë së re do të jenë edhe “pushimet tatimore për biznese të caktuara”.

“Këto masa ekonomike të cilat janë të detajizuara me gjithë legjislacionin përkatës do të dyfishojnë rritjen e bizneseve në Kosovë. Do t'i vizitojë të gjithë sektorët e bizneseve në Kosovë, për t’ju treguar planet konkrete zhvillimore në të gjitha fushat të cilat do t'i ndërmarrim. Ne jemi të sprovuar në fushën e ekonomisë dhe nuk ka temë më të rëndësishme në Kosovë se ekonomia dhe punësimi i të rinjve”, ka thënë ministri i Financave.

Ai ka premtuar se në mandatin e ri do “t'i heqë të gjitha monopolet të cilat po e ngufatin ekonominë e Kosovës”.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka thënë se kryeministri i ardhshëm i Kosovës, doktor Hoti simbolizon dije në sferën e menaxhimit të financave, pasurisë dhe parasë publike. “Ai rrezaton përkushtim për shtetin. Ai do t'i realizojë të gjitha synimet e LDK-së dhe të koalicionit qeverisës për një qeverisje me duar të pastra, një qeverisje pa korrupsion dhe pa krim të organizuar, një qeverisje e cila do të punojë për shtetin ligjor dhe për procesin e integrimeve për të cilin ka nevojë Kosova”, ka thënë Sfarqa.

Image

Ai ka shtuar se si rezultat i politikave të qeverisë po lulëzojnë bizneset në Ferizaj, mesatarisht çdo muaj regjistrohen 100 biznese të reja dhe tashmë kemi 11400 biznese të cilat zënë vendin e dytë në Kosovë për nga suksesi i afarizmit.

Pronari i Eurometal, Njazi Musliu nga Ferizaj, ka thënë se vendimet e Qeverisë së kaluar kanë ndikuar shumë pozitivisht në biznesin e tyre.

“Lehtësirat fiskale që i ka krijuar qeveria e kaluar kanë hapur mundësi të reja të biznesit dhe shtim të vendeve të reja të punës. Është fatkeqësi që nuk u miratuar pakoja e dytë fiskale që do të krijonte lehtësira edhe më të mëdha për komunitetin e biznesit, por shpresoj që pas zgjedhjeve ky do të jetë ndër veprimet e para të qeverisë”, ka thënë Musliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat