Loja me lista, ja kush janë kandidatët për deputetë që kanë probleme me ligjin

Politika

Loja me lista, ja kush janë kandidatët për deputetë që kanë probleme me ligjin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 maj 2017 Në ora: 17:13
Ilustrim

Subjektet politike të premten më 19 maj, kanë dorëzuar listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Edhe pse listat nuk janë zyrtarizuar, në këto lista gjenden edhe njerëz të cilët kanë problem me ligjin si të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Partia Demokratike e Kosovës, kishte qenë partia e cila në legjislaturën e fundit ka pasur deputetë të cilët janë nën hetime apo akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Edhe pse jo zyrtarisht në listën zgjedhore të PDK-së, për kandidatë për deputetë hyjnë Elmi Reçica, Zenun Pajaziti, Bekim Haxhiu, Nait Hasani, deputetë këta të cilët janë nën hetime apo akuzohen për vepra  të ndryshme penale.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidat për deputet edhe pse jo zyrtarisht është Naser Osmani. Osmani ka qenë deputet nga radhët e kësaj partie dhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa. Ai akuzohet nga Prokuroria e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje, ka një numër të madh të të akuzuarve për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, si shenjë kundërshtimi për dy marrëveshjet Demarkacioni dhe Asociacioni.

Në listën e kadidatëve për deputetë nga radhët e VV, të cilët njëkohësisht akuzohen janë: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Aida Derguti, Faton Topallit, Donika Kadaj-Bujupi, Ismajl Kurteshit Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina, e Glakuk Konjufca.

Edhe nga radhët e AAK-së dhe Nisma-s, janë deputetët të cilët kanë problem me ligjin.

Pal Lekaj ish- shefi i GP të AAK-së, përballet me aktakuzë për keqpërdorim të detyrë zyrtare gjatë kohës sa ka qenë kryetar i komunës, por që ditë më parë u shpall i pafajshëm, ndërsa Fatmir Limaj është duke u përballur me rastin për kohën kur ishte ishte ministër  i Transportit dhe Telekomit, ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte. Kurse, bashkëpartiaku i tij, Haxhi Shala akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës.

Kandidatët me akuza në lista, e dëmshme për subjektet politike

Sipas ekspertit të çështjeve juridike- kushtetuese, Mazllum Baraliu, sipas ligjit nëse personat nuk kanë vendim të prerë, pra nuk shpallen të fajshëm ata konsiderohen të pafajshëm, dhe për këtë kanë mundësi të lira edhe të garojnë për deputet.

Image
Mazllum Baraliu

Baraliu shprehet se në aspektin etiko-moral nuk është mirë që personat që janë me probleme ligjore të jenë të përfshirë në institucione apo edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Në aspektin ligjor që është në fuqi, nuk mund t’ia ndalosh askujt, as s’mund t’ia mohosh askujt që të kandidojë për vetë fakti që vetëm pse është i akuzuar apo është në një procedurë gjyqësore që nuk ka marrë vendimin apo formën vendimtare, pra vendim të prerë. Sepse ligjet tona në fuqi dhe në gjithë botën është parim që deri sa një person nuk ka vendim të plotfuqishëm, nuk ka vendim të formës së prerë të ndonjë vepre penale nuk konsiderohet i fajshëm, pra konsiderohet i pafajshëm si njeri i cili i gëzon apo duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat njerëzore, por edhe politike. Por, realisht në aspektin etiko-moral dhe të kredibilitetit të subjekteve politike nuk do të ishte mirë, do të ishte një vlerë shtesë nëse kandidatët e tyre të kandidimit janë shmangur nga emërtimet të kandidatëve që kanë probleme me ligjin”, shprehet Baraliu.

Sipas Baraliut, është e dëmshme për subjektet politike, por edhe për vendin që në lista për deputetë të ketë njerëz me të kaluar kriminale.

Ai thotë se nëse një vend pranon në gjirin e vet personat me të kaluar kriminale nuk është vend serioz e as perspektivë.

“Në radhë të parë në aspektin etiko-moral është e dëmshme   për vetë subjektet politike është më tepër degraduese se sa afirmuese, më tepër dëmsjellës në kuptimin e sjelljes së votave, abuzimit me votën dhe gjërat tjera apo kushtëzimet e votës e kështu me radhë me vende punë e benificione, sepse përndryshe ndikon negativisht në radhë të parë të subjektit politik dhe sigurisht që ndikon negativisht edhe në imazhin dhe kredibilitetin e institucionit me të cilën deligohet, pra në kuvend apo në qeveri dhe sigurisht edhe në imazhin e shtetit për arsye se një shtet i cili i pranon në gjirin e vet institucional personat me të kaluar kriminale nuk mund të konsiderohet as nuk mund të vlerësohet si serioz e as si perispektivë. Prandaj, në të gjitha dimenzionet e mundshme mund të ketë efekte negative futja në lista të kandidatëve për deputetë të individëve me të kaluar kriminale, me vendime të formës së prerë. Duhet që secili subjekt politik t’i shmangte”, pohon Baraliu.

Thirrje që të kenë kujdes gjatë hartimit të listave të kandidatëve për deputetë, ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Baraliu shton se ata thirrje të tilla kanë pasur që nga koha e mëhershme.

“Edhe ne kemi bërë thirrje që nga dita kur ka rënë qeveria, por edhe më herët para se të bëhej koha e zgjedhjeve, kemi bërë thirrje pikërisht këtë që e bëjnë tani që subjektet politike të kenë kujdes për të mirën e vendeve, por edhe për të mirën e tyre, ta ruajnë kredibilitetin e subjektit të tyre, që të mos kandidojnë kadidatë me të kaluar kriminale”, thekson Baraliu.

Deputetët të pastër para ligjit

Nga organizata Demokracia në Veprim ishte ngritur një kampanjë me moton “AsUnë”, e cila nënkuptonte mos votimin e kandidatëve të korruptuar, ndërsa përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se përfshirja në lista zgjedhore të personave që kanë probleme me ligjin është lajm i keq për Kosovën.

Image
Artan Murati

Sipas tyre, kjo gjë është e dëmshme për vendin dhe shoqërinë demokratike.

Artan Murati nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se roli i deputetëve është i madh, prandaj ata duhen të jenë të pastër para ligjit.

“Përfshirja në lista zgjedhore të personave që kanë probleme me ligjin paraqet lajm të keq për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Roli i deputetëve është shumë i madh në proceset vendimmarrëse, dhe për të qenë i denjë për të ushtruar funksionin e përfaqësuesit të popullit, një person së paku duhet të jetë i pastërt para ligjit”, shprehet Murati.

Murati tregon se me qëllim të parandalimit të fenomenti për mos kandidimin e personave që kanë probleme me ligjin ata kanë organizuar edhe kampanjën AsUnë.

“Me qëllim të parandalimit të një fenomeni të tillë, edhe rrjeti i organizatave "Demokracia në Veprim", sikurse Ambasada Amerikane, u kishin bërë thirrje partive politike mos t'i kandidojnë persona të tillë për postin e deputetit. Arsyet përse partitë nuk i kanë marrë parasysh këto thirrje mund të jenë të ndryshme, por ndoshta më kryesorja është sepse ka persona që janë nën hetime por mund të sjellin shumë vota për parti të caktuara, dhe rrjedhimish lënja jashtë listave të këtyre personave mund të ndikojë direkt në numrin e votave të partisë. Gjithsesi, Demokracia në Veprim ka lansuar kampanjën #AsUnë, me anë të së cilës u bëhet thirrje të gjithë votuesve të mos i votojnë kandidatët e korruptuar dhe ata që bien ndesh me ligjin”, pohon Murati.

Jo serioziteti i partive politike

Ndërsa, Genc Nimoni nga organizata Çohu, thotë se pjesëmarrja e kandidatëve për deputetë të dyshuar për vepra penale dëshmon jo seriozitetin e subjekteve politike.

Image
Genc Nimoni

Ai këtë e konsideron një gjë të dëmshme për shoqërinë dhe jetën demokratike në Kosovë.

“ Pjesëmarrja e kandidatëve të dyshuar për vepra penale të korrupsionit në garën zgjedhore për ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dëshmon edhe njëherë jo-seriozitetin e subjekteve politike. Konsideroj se një gjë e tillë është e dëmshme për shoqërinë dhe jetën demokratike në Kosovë dhe në kundërshtim me interesin publik e cila shpërfaqë mungesën e vullnetit të subjekteve politike për të kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve”,  thekson Nimoni.

Sipas Nimonit, pjesëmarrja në listat e deputetëve të cilët janë në problem me ligjin tregon që përfaqësimi i tyre nuk është në të mirën e interesave të qytetarëve.

“Edhe pse ende nuk kemi dispozita ligjore të cilat pamundësojnë garimin e kandidatëve të tillë, mos-futja e tyre në listën e kandidatëve për deputet do të duhej të merrej parasysh nga vet subjektet politike, në veçanti për kandidatët të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në vepra penale të keqpërdorimit të pozitës publike. Pjesëmarrja e kandidatëve të tillë në listat për deputetë dhe rrjedhimisht përfaqësimi i tyre në legjislaturën e radhës, edhe njëherë nuk garanton përfaqësimin më të mirë të interesave të qytetarëve dhe është në kundërshtim me parimet e përfaqësimit demokratik”,  shprehet Nimoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat