PDK: Pyetni Ramushin pse bëri koalicion me ne

Politika

PDK: Pyetni Ramushin pse bëri koalicion me ne

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 maj 2017 Në ora: 09:23
PDK, Ramush Haradinaj

Pak ditë më parë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkonte me ngulm zgjedhjet e reja, duke akuzuar bashkëqeverisjen e PDK-së dhe LDK-së, që sipas tyre i kanë bërë vetëm dëm shtetit të Kosovës.

“Nuk do të ndodhë as pas zgjedhjeve. PDK-ja i ka bërë dëme vendit. Epilogu më i mirë për këtë parti është të qëndrojë në opozitë. E ardhmja duhet të jetë e atyre që synojnë ndryshime thelbësore”, kishte thënë Haradinaj.

AAK, madje kishte hedhur akuza në drejtim të ish-partisë së presidentit Hashim Thaçi, të cilin e kishte akuzuar edhe për arrestimin e liderit të saj, Ramush Haradinaj në Francë.

Dyshimet se Hashim Thaçi qëndronte prapa arrestimit të Haradinajt i kishte shfaqur vëllai i tij, Dauti. Madje, ai kishte marrë shembullin e rigjykimit të Haradinajt në Hagë, në vitin 2010, kur edhe në atë kohë Thaçi kishte shkuar në Amerikë.

“Hashim Thaçi mbërriti në Amerikë edhe me 21 Korrik 2010 kur u thirr Ramushi në rigjykim në Hagë.  A mos po na thotë diçka prapë?”, kishte pyetur Haradinaj.

Ndërsa, gjatë javës së kaluar, AAK bëri koalicion me PDK-në e Kadri Veselit dhe Nismën për Kosovën.

AAK hesht

Gazeta “Bota sot”, ka tentuar të marr mendimin e anëtarëve të AAK-së se pse kjo parti hyri në koalicion me PDK-në, të cilën e akuzonte madje edhe për rastin e Haradinajt, por ata nuk kanë pasur koment.

“Nuk kam koment”, ka thënë Muhamet Kelmendi, njëri nga anëtarët e Kryesisë së kësaj partie.

PDK: Pyetni Ramushin pse bëri koalicion me ne

Ndërkohë, edhe në PDK nuk kanë dashur të komentojnë për arsyen e bërjes së koalicionit me partinë që akuzonte vazhdimisht qeverisjen e tyre.

Ata madje kanë thënë se për këtë duhet të pyetet Ramush Haradinaj.

“Kjo është pyetje për Ramush Haradinajn. Ramushi duhet të pyetet pse ka vepruar kështu. Unë nuk kam koment”, është shprehur për ‘Bota sot”, ish-deputeti i PDK-së Shukri Buja.

Image
Shukri Buja

Ndërsa, analistët kanë thënë se koalicioni i ri në mes të PDK-së dhe AAK-së, është një skenar i përgatitur qysh nga arrestimi i Haradinajt në Francë.

Hertica: Haradinaj s’pati presion nga askush, nënshkroi koalicioni nga lakmia për pushtet

Ndërsa,  analisti Ali Hertica, ka thënë se arrestimi i Haradinajt, ishte një skenar i përgatitur nga dikush që është bashkëpunëtor i ngushtë me politikën e Beogradit.

“Politika dhe edukata, por edhe fjala e dhënë e një burrshteti dhe lideri, kanë peshë të madhe për shtetit, por tek ne kjo është humbur dhe janë përzier të gjitha nocionet. Andaj, arrestimi i Haradinajt, tani po del se ishte një skenar i përgatitur mirë nga dikush që është bashkëpunëtor i ngushtë me politikën e Beogradit. Ne mund të thirremi në çdo kënd, sepse në Kosovë pothuajse është bërë mish-mash politikë, por edhe nga grupet kriminale dhe spiunët e koreve diplomatike, ku tani kjo thuajse po reflekton edhe në këtë koalicion”, është shprehur Hertica.

Image
Ali Hertica

Koalicionin e ri mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, ai e ka quajtur të çuditshëm, duke theksuar se në arritjen e tij ndikoi edhe etja për pushtet, por nuk pati ndonjë trysni nga dikush.

“Koalicioni është I çuditshëm nga ata që e kundërshtonin Demarkacionin “Kullën dhe Çakorrin”, por tash ata do ta votojnë vet me nënshkrimin e dënimit për vetveten. Askush nuk mundet të ndikohë dhe të bëjë trysni për nënshkrim me partnerin e padëshiruar, kur është sovrani apo elektorati, por tek ne në shpirt e kemi egon dhe etjen e pushtetit dhe kjo ka rezultuar me marrëveshjen e dy taboreve kundërshtare”, ka theksuar analisti Ali Hertica.

Ish-anëtari i SHIK-ut: Arrestimi  i Haradinajt, vepër e Thaçit

Ndërsa, sipas ish-anëtarit të SHIK-ut, Naim Miftari, arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë, ishte vepër e shërbimit sekret francez DGSE, në të cilin ndikim pati edhe presidenti Thaçi.

“Arrestimi I Ramush Haradinajt në Francë, është vepër e shërbimit secret francez DGSE, ku pa kurrfarë dyshimi dorë ka edhe presidentin jonë Hashim Thaçi. Është e pamundur që të mos ketë ndikim direkt apo indirekt në arrestimin e Haradinajt, pasi dihet publikisht se presidentin jonë, ishte pjesëtar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i DGSE-së franceze”, ka thënë Miftari.

Image
Naim Miftari

 

Ai ka hedhur dyshime se arritja e koalicionit mes AAK-së dhe PDK-së, mund të jetë rezultat i arrestimit të 4 janarit të Haradinajt, por ka shtuar se për rezultate më sigurta, duhet të presim zgjidhjen e Demarkacionit dhe Asociacionit.

“Kjo çka ka ndodh, nuk mund të them me siguri se a është rezultat i atij arrestimi 4 mujor, pasi duhet të presim zgjidhjen e sfidave si Demarkacioni dhe Asociacioni dhe formimin e ushtrisë. Tek pastaj, mund të flasim se a ka qenë ky arrestim truk për këtë koalicion jo normal, por mbesim të presim se si do të rregullohen këto sfida”, ka shtuar Naim Miftari për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat