Albin Kurti: Kjo do të jetë Qeveria ime!

Politika

Albin Kurti: Kjo do të jetë Qeveria ime!

Më: 23 maj 2017 Në ora: 13:07
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti, pas një ligjëratë të mbajtur me studentët e ISPE dhe atyre të Universitetit Heidelbergut, tha se me qeverisjen e tyre nuk do të rritet Qeveria, por do të përforcohet shteti.

Po ashtu, ai tha se do të bëhet grumbullimi i Ministrive dhe secila Ministri do të ketë vetëm një zëvendësministër.

Kurti, ka thënë se Vetëvendosje nuk vjen në Qeveri për t’u hakmarrë ndaj askujt, por për të mirë të popullit.

Kurti: Qeveria zvogëlohet përforcohet shteti

“Me qeverisjen  e Lëvizjes Vetëvendosje nuk rritet Qeveria, qeveria zvogëlohet përforcohet shteti. Pra, ne nuk vijmë në qeveri për ta rritur qeverinë, por për ta forcuar shtetin, sepse besojmë që ka tepër shumë ministri, ka tepër shumë zëvendësministra dhe ka pak drejtësi. Në Kosovë kemi nevojë për një gjyqësor të pavarur i cili sjellë drejtësi pa hakmarrje. Lëvizja Vetëvendosje nuk vjen në qeveri për t’iu hakmarrë askujt, ne nuk vijmë për inat të askujt, por vijmë për të mirën e popullit, me ç’rast gjyqësori çlirohet nga ekzekutivi dhe sjellë drejtësi pa hakmarrje”, tha ai.

Kurti tha se me studentët  ka folur për shtetndërtimin, ku sipas tij shtetndërtimi duhet të shoqërohet me një vizion ekonomik, pasi që ndryshe nuk do të jetë i mjaftueshëm dhe i qëndrueshëm.

Kurti: Shtetndërtimi duhet të shoqërohet me një vizion ekonomik

“Shtetndërtimi duhet të shoqërohet me një vizion ekonomik përndryshe nuk do të jetë i mjaftueshëm dhe i qëndrueshëm i cili zhvillimin ekonomik nuk e sheh thjeshtë si rritje ekonomike në kuptimin sasior të fjalës, por në të njëjtën kohë si progres shoqëror duke përfshirë aty edhe drejtësinë sociale e cila nënkupton sigurimet shoqërore dhe tatimin e përshkallëzuar. Me fjalë të tjera shtetndërtimi në Kosovë gjatë këtyre gati 18 vite e ka pasur komponentin e funksionimit të institucioneve, por jo atë të zhvillimit ekonomik dhe me qeverisjen e Vetëvendosjes kjo do të ndryshojë për shkak se ne i japim prioritet zhvillimit ekonomik, i cili sjell punësim dhe në të njëjtën kohë mirëqenie për të gjithë qytetarët duke i ndihmuar më së shumti e më së pari ata që i kanë nevojat më të mëdha”, tha Kurti.

Sa i përket simboleve dhe himnit të Kosovës, Kurti tha se nuk i kanë dëmtuar asnjëherë, por që do të dëshironin që të kenë përbrenda tyre edhe historinë. Po ashtu, ai tha se beson që Kosova ka merituar simbole më të mira.

Sipas Kurtit çfarëdo ndryshimi që do të bëjnë do t’i bëjnë në përputhje me ligjin, ndryshime ligjore dhe ndryshime kushtetuese. Por, që theksi i tyre do të jetë tek përmbajtja e shtetit.

Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Kurti, tha se do të fillojnë një dialog me serbët e Kosovës, dialog të hapur, dialog shoqëror, sesa që do të fillojnë dialog me Serbinë për pajtim, përderisa ajo nuk është penduar dhe as nuk ndjen keqardhje.

Kurti: Së pari do të fillojmë menjëherë dialogun me serbët e Kosovës

“Pra, nuk do t’i shohim serbët vetëm si serbë, do t’i shohim serbët lokal në kapacitetin e tyre shoqëror, në rolin e tyre në shtetin tonë dhe për neve është shumë më rëndësishme që të takohen mjekët, inxhinierët, të takohen bujqit shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq, rom, ashkali, egjiptas e kështu me radhë, sepse nuk duhet t’i harrojmë as minoritetet tjera. Sesa që të bëjmë dialog për pajtim me Serbinë në kushtet kur ajo as nuk është penduar, as nuk ndjenë keqardhje, as nuk na e njeh pavarësinë dhe nuk do të na i paguaj dëmet e luftës. Çfarëdo bisedimesh të reja, ne besojmë që duhet të zhvillohen me një kornizë tjetër, me që rast nuk do të duhej që kushtet ti vihen Kosovës, por t’i vihen Serbisë”, tha Kurti.

Kandidati i Vetëvendosjes tha se me studentët ka folur edhe për integrimin evropian, ku siç tha ai ka shpalosur dëshirën e zjarrtë të lëvizjes Vetëvendosje që sa më parë të integrohet Kosova në Bashkimin Evropian.

Kurti: Unë kam shpalosur dëshirën e zjarrtë, sa më parë të integrohemi në BE

“E para që është mirë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të pa integruara në Bashkimin Evropian të integrohen përnjëherë, sepse nëse Serbia integrohet para Kosovës ose para Shqipërisë në Bashkimin Evropian atëherë ajo çka i bënë Greqia Maqedonisë është asgjë krahasuar me atë që do të na ndodh neve. Prandaj, këto gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhej që përnjëherë të integrohen në Bashkimin Evropian. Së dyti, besojmë që kjo nuk do të jetë shumë shpejt, prandaj ne duhet të punojmë tepër shumë në mënyrë që inkuadrimi jonë në BE të jetë sa më i shpejtë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat