Frika që bashkoi PDK-në me AAK-në e NISMA-n, koalicioni i “krahut të luftës” orkestroi mocionin kundër qeverisë

Politika

Frika që bashkoi PDK-në me AAK-në e NISMA-n, koalicioni i “krahut të luftës” orkestroi mocionin kundër qeverisë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 maj 2017 Në ora: 07:15
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Lidhja Demokratike e Kosovës, për koalicionin PDK-AAK-NISMA, thotë se është koalicion i territ, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka quajtur koalicion të zorit bashkimin  me Partinë Demokratike të Kosovës. Derisa zyrtarë nga Nisma kanë deklaruar se ky bashkim forcash erdhi pas një koalicioni të inatit që nënshkruan LDK-ja dhe AKR-ja.

Mirëpo, njohësit e rrethanave politike në vend, konsiderojnë se mocioni i votëbesimit që rrëzoi qeverinë Mustafa, ishte i orkestruar nga Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet Nismës dhe AAK-së.

Për dy vite e gjysmë, Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa, ishte përballur me kritika të shumta dhe protesta të shpeshta nga subjektet politike opozitare.

Image
Politologu Mentor Tahiri

Koordinimi mes PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s

Politologu Mentor Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se pavarësisht mohimeve të PDK-së AAK-së dhe Nismës për një koordinim ndërmjet vete për rrëzimin e qeverisë, një gjë e tillë u vërtetua në seancën e votimit të mocionit.

”Pavarësisht se përfaqësuesit e partive politike të “krahut të luftës” janë duke mohuar se kishte organizim të përbashkët për mocion, kjo ishte gati krejtësisht e dukshme si në seancën ku u votua mocioni, ashtu edhe në disa veprime para tij, e rast konkret ishin nënshkrimet me të cilat u thirr seanca”, ka thënë ai.

Kështu, sipas politologut Tahiri, koalicioni i kristalizon gjërat, por në vend se të bëjnë koalicion pas zgjedhor siç kanë planifikuar, tani bënë koalicion parazgjedhor.

“Është e qartë se sondazhet që kanë partitë në duart e tyre, nxjerrin koalicionin LDK-AKR-Alternativa para një PDK-je të vetme. Rrjedhimisht me këtë, koalicioni i “luftës” mund të quhet i zorit vetëm në kuptimin se u arrit para zgjedhjeve, por se në parim këto parti kishin koncept të qartë në synimin për të qeverisur bashkë pas zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Image
Analisti, Islam Krasniqi

Etja për pushtet, harruan vijat e kuqe

Nga ana tjetër, analisti Islam Krasniqi, vlerëson se ky koalicion është koalicion i zorit, sepse është lidhur pa vullnetin e palëve.

“Njëri subjekt nga frika së po mbetet në opozitë, dhe një tjetër subjekt nga etja për pushtet u bashkuan duke i harruar vijat e kuqe, dhe u bashkuan për ta mposhtur një pjesë tjetër të cilët ishin bashkuar me idenë për të fituar (LDK-AKR dhe Iniciativa e Kusarii-Deda)”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se lidhja e koalicionit është përgatitur më herët nga PDK-ja nëpërmjet Nismës dhe AAK-së.

“Nëse ndalemi dhe i shikojmë koalicionet para zgjedhore, kjo na tregon së kjo është përgatitur më herët, dhe mocioni ishte përgatitur nga vetë partia më e madhe në pushtet, përmes NISMA- s e mbështetur edhe nga AAK-ja, ku gjatë gjithë këtij mandate qeverisës ata në çdo formë janë munduar ta rrëzojnë këtë keq qeverisje siç e kanë quajtur ato ”Opozita”, dhe i harruan vijat e kuqe për një minutë kur erdhi në pyetje posti i kryeministrit”, ka thënë Krasniqi.

Image
Analisti, Leon Duhanaj

Rrëzimi i Qeverisë, me ndihmën e PDK-së

Ndërkaq, analisti Leon Duhanaj, i ka quajtur të pasinqerta deklaratat e zyrtarëve të AAK-së dhe Nismës lidhur me mocionin dhe koalicionin me PDK-në.

“E ka thënë edhe para që të bie Qeveria se, mocioni kundër Qeverisë Mustafa ka vetëm një shans. Pra nëse atë e përkrahë subjekti me i madh dhe me më ndikim në vend, e që është PDK. Deklaratat nga radhët e subjekteve si AAK dhe NISMA, për kin se koalicion i zotit, me duken të pakuptimta, politikisht naive dhe të pasinqerta”, ka thënë ai.

Sipas tij, AAK-ja as në ëndërr nuk do të mund ta realizonte pozitën e Kryeministrit, derisa Nisma po të mos futej në koalicion, si e vetme nuk do kalonte pragun.

“Koalicione zori?! Ndoshta për dy subjektet e mëdha e sidomos PDK-ë. Kjo për arsye se në zgjedhjet e kaluara është krijuar Presedan në lidhje më subjektin që del i pari në zgjedhje. Ndoshta në të kaluarën i ka ndihmuar PDK-së, por kësaj radhe jo edhe aq.  Kjo sepse përqindja nuk do të dalë aq e madhe sa  që do të mund të ishte pas një koalicioni pas zgjedhorë”, ka thënë Duhanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat