Milaim Zeka pajtohet me Fatmir Limajn e Kadri Veselin: Në kohën e Hashimit, Drenicës i ka dal zani i zi

Politika

Milaim Zeka pajtohet me Fatmir Limajn e Kadri Veselin: Në kohën e Hashimit, Drenicës i ka dal zani i zi

Më: 25 maj 2017 Në ora: 11:29
Milaim Zeka

Shpreson që legjislatura e ardhshme do të ndryshoj, ngase mendon që Kuvendi i Kosovës në vitet e fundit, ka pasur deputet rrugaç, të pashkolluar e injorantë.

Do që të jetë pjesë e politikës, për të treguar se në Drenicë ka dhe njerëz të mençur, që e kuptojnë politikën. I ka hyrë politikës, për të treguar se në politikë ka moral dhe të sjellë një frymë të re politike, ndryshe nga ajo që ka qenë deri tani.

 Ky është kandidati i Nismës për Kosovën Milaim Zeka, i cili në një intervistë për kp, thotë se i di hallet e popullit dhe gjendjen e mjerueshme në vend, në arsim,  shëndetësi e në të gjithë sektorët dhe se do të punojë që kjo gjendje të ndryshojë.

 Zeka: Duhet me ardhë një frymë e re politike

 “Mbi bazën e krejt përvojës sime politike, gazetareske, kam vendosur me hy në politikë, me sjellë një frymë të re në politikën e Kosovës. Një frymë të re parlamentare.  Për shembull unë kam marrë shumë përgëzime prej deputetëve të partive të ndryshme. Prej të gjitha partive. Sot më uroi Arben Gashi i LDK-së. Imagjino me qenë ne në Parlament. Me u bashku deputetët e Nismës, PDK e AAK-së dhe me kundërshtuar një vendim të qQverisë sonë dhe me mbështet   një projekt të deputetëve të LDK-së ose të VV-së...As në kohën e Ahmet Zogut, as në kohën e Ismail Qemailit, e të Hasan Prishtinës, Parlamenti i Kosovës,  nuk ka pasur deputetë më injorant, më të pashkolluar, më rrugaç. Po e them,  jo të gjithë. Por në përqindje 70 përqind, banditë të pashkolluar,  pa edukatë familjare, me u sha, me u kacafyt, me gjuajt gaz, me bë filikaqa. Parlamenti i Kosovës, Parlame nti i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë, janë arena të kafshëve, të kopshtit zoologjik. Ua kisha ndaluar me pullë të kuqe, jo me i transmetu ‘live’, po mos me i pa fëmijët tanë, ato arena të përleshjeve. Duhet me ardhë një frymë e re politike në Ballkan. Duhet me ardhë një frymë e përfaqësuesve të popullit, që të paktën minimumi kanë dukatë familjare”, tha Zeka.

 Zeka, i cili nuk ka kursyer kritikat në adresë të Fatmir Limajt, kryetarit të partisë së cilës iu bashkëngjit, thotë se ka ndryshuar mendim për të pasi që ka parë fakte, të cilat dëshmojnë pafajësinë e tij dhe se iu ngritën akuza politike,  nga krerët e PDK-së, me qëllim që ta gjunjëzonin.

 Zeka: PDK deshi ta gjunjëzojë Limajn

 “Disa njerëz, vazhdimisht dhe kolegë të mi më kanë thënë ‘qysh ke mundur me shku te Nisma  kur ti e ke kritikuar aq rëndë Fatmir Limajn për punën e korrupsionit’. Janë dy gjëra që më kanë shtyrë. E para Jakup Krasniqi, të cilin e kam idol të njeriut dhe një politikani, i cili ma ka lëshuar vendin e vet në listë. Dhe e dyta më ka fascinua Fatmir Limaj, i cili më ka pranuar mua në Nisma. Sepse është shumë e vërtetë, që unë e kam kritikuar rëndë Fatmir Limajn për korrupsion. Dhe Fatmiri më ka  thënë : ‘Milaim, të jesh shumë i bindur,  që çdo akuzë në raport me mua, ka qenë shantazh politik nga krerët e partisë së tij, nga krerët e PDK-së dhe nga njerëzit e EULEX-it’. Kam me vagona dokumente, fakte, raporte, përgjime telefonike, për një korrupsion të jashtëzakonshëm brenda përbrenda misionit të EULEX-it... Duke hulumtuar punën e Salustros dhe një pjesë të gjykatësve të EULEX-it, punën e prokurores kryesore Arnal, kam ardhur në zbulimin e fakteve rrëqethëse, që aktakuzën të cilën Arnali ia ka bërë Fatmir Limës, ka qenë me porosi politike, në radhë të parë nga PDK, nga krerët e partisë, nga disa individë të PDK-së dhe qarqet e ndryshme brenda EULEX-it për ta gjunjëzuar Fatmir Limën”, tha ai.

Zeka tashmë ndihet krenar që është pjesë e Listës së Nismës. Thotë se në Parlament,  do të jetë zëri i qytetarëve të zhgënjyer, nga politika e deritanishme.

Zeka: Do të jem zëri i qytetarëve të zhgënjyer nga politika

“Iu garantoj me jetë, ata që e njohin Fatmir Limajn nga afër e dinë që prej të gjithë liderëve politik Fatmir Limaj dhe Hajredin Kuçi janë shumë demokrat. E pranojnë dhe kritikën dhe sharjen dhe të gjitha...E kam kritiku Fatmirin dhe jam krenar që e kam kritikuar. Dhe jam krenar që sot jam në një listë ku Fatmir Limaj është kryetar i kësaj partie. Me pas qenë Fatmir Limaj me atë ambicien e sëmurë në politikë, nuk më kish bë ofertë, kur më ka thënë baci Jakup je i mirëseardhur ta zësh vendin tim. Fatmiri më ka thënë: ‘Milaim a don të bëhesh kryetar i Nismës?’. Unë i kam thënë ‘ jo, sepse unë po vi me i ndihmu proceset’. Kam qejf me qenë zë në parlament, i mbrojtjes së njerëzve të zhgënjyer në politikën e Kosovës, gjatë këtyre viteve”, tha ai.

E kur flet për koalicionin e AAK-Nisma me PDK-në,  thotë se politika ndërtohet mbi bazën e rrethanave. Dhe se ky koalicion është bërë,  për të mirën e Kosovës.

Zeka: Koalicioni me PDK-në, për të mirën e Kosovës

“Nisma në krye me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, ju e dini që deri në sekondat e fundit nuk u arrit marrëveshja, dorën në zemër ka qenë kundërshtarja më e madhe e këtij koalicioni, për shkak se ne të gjithë jemi kritikuar, mirëpo Fatmirin krerët e PDK-së, konkretisht Hashim Thaçi, e ka dëmtuar shumë dhe e ka lënduar shumë. Dhe për shkak të këtij lëndimi dhe këtij dëmtimi u nda. Kështu që unë pastaj që doli dhe në opinion, unë kam qenë ‘Turbo Diesel’ , për me u arrit ky koalicion. Në një moment të caktuar kur Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj më kanë pyetur çka mendoj unë, a duhet të arrihet koalicioni AAK -Nisma -PDK, unë për me e përfunduar, shumë shkurt iu kam thënë kështu ‘ me mi vra Kadri Veseli katër vajzat, unë ia kisha fal gjakun e katër vajzave, vetëm të arrihet një marrëveshje, një koalicion për të mirën e Kosovën’”.

Zeka thotë se do që të jetë pjesë e politikës, për të treguar se në Drenicë ka dhe njerëz të mençur, që e kuptojnë politikën.

Zeka: Dua të tregoj se dhe në Drenicë, ka njerëz të mençur?

“Po du bre në njëfarë forme me tregu që Drenica nuk ka pushtet. Po dua me tregu që pos Hashim Thaçit, një njeri i gjallë në qeveri nuk ka qenë i Drenicës, që iu ka ndi zani. Po du me tregu që përpos që kanë shkuar me marrë vota, Drenica ka qenë vendi më i injoruar, më i poshtëruar. Vendi më fukara.  Dhe po du me tregu që ajo Drenicë ka edhe njerëz të mençur, që e kuptojnë dhe politikën. Që e kuptojnë edhe muzikën. Na ka dal zani që edhe ne, qysh i ka dal gjakovarëve në kohën e Fadil Hoxhës për zi. Na ka dal zani për zi në kohën e Hashim Thaçit. Po dua me ndërru pak edhe qasjen e  të menduarit. Po dua me dit që ka një drenicak, që e don Gjakovën rrafsh sa Obrinë. Ka një drenicak që i don nënat gjakovare, rrafsh sa nënën time që e kam të zhdukur. Ka një drenicak  që e don Pejën, që e kam kalu fëmijërinë time,  bash sa fshatin tim të lindjes. Prandaj edhe kjo ndarja territoriale, ë shtë shumë bre primitive. Është shumë bre raciste....Unë do të dal do i them elektoratit fushata është pazar. Kur të del ti në pazar me ble kuaj, t’i e zgjedh kalin më të mirë. Në qoftëse dikuj i dukem që jam kali i mirë, jam azgin, le të më votojnë”, tha Zeka.

Dhe për hyrjen  në partitë aktuale, të shumë emrave të njohur të mediave dhe shoqërisë civile dhe mos formimin e një partie të re, Zeka e shpjegon si diçka të pamundur tani për tani, për të arritur aty ku ata synojnë për të sjellë ndryshime.

Zeka: S’është momenti i njerëzve të mençur

“Ma merr mendja që nuk është koha momenti i njerëzve të mençur. Ne e kemi provu. Mund të jesh avokate brilante, mund të jesh gazetar briliant. Por tregu politik është pak më ndryshe. Dhe kemi ardhur në përfundim që për momentin, çdo forcë e re politike që kish me dal në treg do të dështonte. Ndoshta mbas dy viteve po”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat