Paralajmërimi për PDK-AAK-Nisma: Specialja do ta trondit rëndë koalicionin

Politika

Paralajmërimi për PDK-AAK-Nisma: Specialja do ta trondit rëndë koalicionin

Abnore Zhushi Nga Abnore Zhushi Më 26 maj 2017 Në ora: 08:34
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Koalicioni i nënshkruar mes Partisë Demokratike të Kosovës, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, së bahsku me Nisma-në, nga njohës të zhvillimeve në vend dhe analistë po vlerësohet si koalicion i krijuar nga frika e Gjykatës Speciale.

Sipas analistëve, krahu i luftës” ka nuhatur “goditjen” nga Specialja, prandaj çdo kalkulim është bërë brenda kornizës së interesave reciproke, ku sipas tyre koalicioni PDK-AAK-Nisma është bërë për të përballuar më lehtë punën e Gjykatës Speciale.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor i Fondacionit “Rockefeller Brothers” Haki Abazi, duke folur për koalicionin në mes të PDK-AAK-Nisma , ka thënë se duke parë historinë e tij, ai është një koalicion për tradhtinë e vendit.

Ai ka thënë se PDK-ja ia ka çelë varrin vetes me Gjykatën Speciale, andaj sipas tij, koalicioni PAN është shumë afatshkurtër.

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, Abazi ka theksuar se në të gjitha parallogaritë dhe parashikimet, asnjë parti apo koalicion që do të dalë nga procesi zgjedhor në vend, nuk do të jetë në gjendje që të bëjë qeverinë e vetme.

Image
Haki Abazi

Abazi parasheh fazë të re negociatash

Kësisoj, sipas tij, detyrimisht do të shkaktojë një fazë të re të negociatave, nga të cilat do të dalin të hidhëruar një numër i deputetëve dhe kandidatëve për Kuvendin e Kosovës.

“Kjo në vete paraqet një sfidë për të krijuar numra të qëndrueshëm dhe bllok të votuesve, të cilët do të mund të qëndrojnë së bashku në rastin e dorëzimit të të akuzuarve në Gjykatën Speciale, Demarkacionin dhe Asociacionin si dhe sfidat tjera, që kemi parë të paraqiten si formë e realizimit të interesave individuale për t’u bërë ambasador apo për të kontrolluar borde të rëndësishme, apo forma tjera të kapitalizimit të pozitës dhe të votës”, është shprehur Abazi.

Zgjedhjet e reja, problemet e vjetra

Duke komentuar në lidhje me deklaratën e Abazit, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se koalicionet parazgjedhore kanë krijuar një realitet tjetër në skenën politike të Kosovës, i cili mund të përkthehet në një status qou për zgjidhjen e problemeve.

Image
Hidajet Ahmeti

“Zgjedhjet nuk janë garanci se  mund të prodhojnë zgjidhje dhe kjo është dëshmuar gjatë historisë politike. Qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me probleme të njëjta dhe me qasje të njëjtë  dhe dosmosdo do të ketë kontinuitet në problemeve të njëjta me çështjen e Demarkacionit, Asociacionit dhe gjendja e rëndë socio-ekonomike”, është shprehur për “Bota sot” Ahmeti.

Ai ka theksuar se funksionalizimi i Gjykatës Speciale, do të trondit skenën politike në vend, derisa përkrah mendimin e Haki Abazit, se nëse qeveria e ardhshme do të formohet nga partitë në fjalë PDK-AAK-NISMA, nuk do të mund ta çojë mandatin deri në fund.

“Gjykoj se me funksionalizimin e Gjykatës Speciale do të tronditet skena politike e Kosovës dhe njëkohësisht, nëse qeveria e ardhshme do të formohet nga partitë në fjalë PDK-AAK-NISMA, nuk do të mund ta çojë mandatin deri në fund. Edhe ashtu, mbështetur në historinë politike të pas luftës dhe në Sistemin Paralamentar që ka aktualisht Kosova, qeveritë e koalicioneve janë në potencë për të mos përfunduar mandatin kushtetues e ligjor. Kur kësaj të fundit iu shtohet edhe funksionalizimi i Gjykatës Speciale, do të pamundësohet përfundimi i mandatit ligjor e kushtetues e posaçërisht  kur dihet se Gjykata Speciale do të godasë kokat e zyrtarëve të lartë të PDK-së”, ka thënë tutje Ahmeti.

Sipas tij, “Krahu i luftës” ka nuhatur “goditjen” e tillë, prandaj çdo kalkulim që ka bërë  brenda kornizës së interesave reciproke, ka kalkuluar edhe  koston e funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

“Lufta me çdo kusht për të qenë në kolltukun e pushtetit përkthehet nga partitë në fjalë, domosdo brenda matematikës politike është edhe Gjykata Speciale. Pa marrë parasysh gjahet nga kjo gjykatë me shënjestër tek zyrtarët e lartë të PDK-së, nuk do të amnistohen edhe ata të cilët kanë pozita të larta publike dhe shpëtimi i tyre nuk do të mund të fshehët prapa qeverisë së ardhshme”, ka përfunduar analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Burjani: PDK-AAK-Nisma u formua nga frika e Speciales

Edhe analisti politik Blerim Burjani, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë shpresëndhënëse. Ai ka theksuar se koalicioni PDK-AAK-Nisma është bërë për të përballuar më lehtë punën e Gjykatës Speciale, Demarkacioni, Asociacionin dhe themelimin e ushtrisë.

 “Këto janë idetë, por ky koalicion nuk ofron zhvillim ekonomik dhe gjëra të tjera dhe s’do të ketë as kapacitet professional në Qeveri. Shteti mund të përballet me ngërç politik edhe një kohë pas zgjedhjeve  deri në formimin e qeverisë. PDK nuk do ta votojë një kryeministër që vjen nga një subjekt i vogël politik dhe i margjinalizuar si subjekt, kjo parti njihet veç me lider politik, por jo me strukturë dhe program politik”, ka nënvizuar Burjani për “Bota sot”.

Image
Albrim Badallaj

Badallaj: Jo të gjithë të akuzuarit e Gjykatës, do të shpallen fajtorë

Por, ndryshe është shprehur politilogu Albrim Badallaj. Ai ka thënë se në Kosovë është bërë praktikë që mandatet qeverisëse asnjëherë të mos dërgohen deri në afatin e paraparë ligjor, e kjo sipas tij, për shkak të mosfunksionimit të qeverisjes së partnerëve sa për ta dobësuar politikisht njëri-tjetrin.

Por, sipas Badallajt, mund të mos ketë fare individ nga koalicioni PDK-AAK-Nisma që do t’i prek Specialja.

“Mbetet të shihet se sa jetëgjatë do të jetë ky koalicion e këtu është fjala për “koalicionin e luftës”, meqë ka indikator që tregojnë se do të jenë mazhoranca e ardhshme, por që janë proceset e ndjeshme ato të cilat kanë ditur të prodhojnë zgjedhje të parakohshme. Unë nuk besoj dhe nuk dua të besoj që ky koalicion është bërë për t’i ikur Speciales, meqë mund të mos ketë fare individ nga këto parti që do t’i prek Specialja, apo mund të ketë individë edhe nga partitë tjera që mund të jenë në radarin e Speciales”, ka thënë ai.

Badallaj tutje ka shtuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës, e kanë votuar funksionalizimin e kësaj Gjykate, për të larguar njëherë e përgjithmonë njollën që binte ndaj Kosovës.

“Besoj që ata e kanë marr parasysh edhe rriskun, nëse akuzohet ndonjëri nga ta, por që ata e kanë demonstruar se interesat shtetërore apo kombëtare, peshojnë më shumë se sa partiake apo individuale. Të vetmet janë krimet e luftës që nuk amnistohen dhe prej të cilave nuk ka imunitet, e kësisoj bie në ujë ajo që po pandehin disa. Mbi të gjitha jo të gjithë ata që i merr Gjykata Speciale, do t’i dënojë medoemos, meqë edhe Gjykata Speciale ka zhvilluar seanca ndaj shumë personave, të cilët pastaj i ka shpallur të pafajshëm”, është shprehur Albrim Badallaj.

Sipas tij, qeveria e ardhshme do të jetë stabile dhe e zhvillimit ekonomik e sundimit të ligjit.

“Koalicionet bëhen për shkaqe politike dhe në të dy krahët, kemi arsye pse është ndërmarr një veprim  i tillë, ngaqë ata nuk mund të ndikojnë në politikat e ndërkombëtarëve që të krijojnë skenare të tilla, në të cilat po aludojnë disa. Besoj dhe shpresoj se Qeveria e ardhshme do të jetë stabile, e zhvillimit ekonomik, e sundimit të ligjit, e reformave në drejtësi dhe reformës së thellë zgjedhore dhe në këtë mes duhet të kihet parasysh që nuk prishet sistemi për shkak të një apo të disa individëve”, ka përfunduar politologu Badallaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat