"Haradinaj, kartë e djegur e Veselit", por çka i bashkoi AAK-në dhe NISMA-në me PDK-në?

Politika

"Haradinaj, kartë e djegur e Veselit", por çka i bashkoi AAK-në dhe NISMA-në me PDK-në?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 26 maj 2017 Në ora: 12:29
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Bashkëqeverisja që nga fundi i vitit 2014 e deri më 2017 ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ishte cak i kritikave dhe akuzave për abuzim me pushtetin nga partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Por, të dyja këto parti, ndonëse deri para votimit të mocionit kundër Qeverisë së Kosovës, deklaruan se kishin vija të kuqe për PDK-në, pas kalimit të tij, u bënë bashkë pikërisht me këtë parti.

Njohësit e rrethanave politike konsiderojnë se kur bëhet fjalë për të ardhur në pushtet, të gjitha partitë politike i harrojnë të gjitha akuzat.

Image
Avni Arifi

AAK: S’e kritikuam vetëm PDK-në, por edhe LDK-në

Duke komentuar koalicionin me PDK-në, anëtari i AAK-së Avni Arifi, ka thënë se kjo parti nuk ka akuzuar vetëm PDK-në gjatë qeverisjes së saj, por edhe LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Besoj që këtë përgjigje e keni marrë nga zyrtarët e tjerë partiakë. Nuk kemi akuzuar vetëm PDK-në, por edhe LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Arifi për gazetën “Bota sot”.

Image
Haxhi Shala

Nisma nuk pendohet për akuzat

Ndërsa, Nisma për Kosovën, përkundër arritjes së koalicionit me PDK-në, nuk tërhiqet nga akuzat dhe kritikat e bëra në drejtim të ish-koalicionit qeverisës LDK-PDK.

Haxhi Shala nga kjo parti, ka thënë për “Bota sot” se vazhdojnë të qëndrojnë prapa akuzave drejtuar LDK-së e PDK-së, por sipas tij, koalicioni PDK-AAK-Nisma, është ndër më të mirët që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Atë që e kemi thënë, e themi, por çka do të bëhet më pastaj, është diçka tjetër. Akuzat që i kemi hedhur, ato të gjitha qëndrojnë dhe të gjitha të këqijat që ia kanë bërë PDK e LDK, nuk kthehemi prapa”, është shprehur Shala.

I pyetur nëse Nisma konsideron që përmes koalicionit me PDK-në, do të punojë në të mirë të qytetarëve, ai ka thënë se kjo mbetet të shihet.

“Kjo mbetet të shihet në vazhdim, por mendoj që ky koalicion është ndër koalicionet më të mira që ka pasur ndonjëherë vendi ynë”, ka theksuar Shala për “Bota sot”.

Image
Islam Krasniqi

Krasniqi: PDK-AAK-Nisma, koalicion i zorit

Por, këtë koalicion e sheh ndryshe analisti politik Islam Krasniqi. Ai e ka quajtur koalicion të zorit marrëveshjen PDK-AAK-Nisma.

“Populli duhet t’i ndërtojë vijat e kuqe, pasi për lider nuk kanë rëndësi vijat e kuqe apo ndalesat. Ndryshimet duhet të vijnë nga populli, duke e hedhur votën aty ku duhet. Qeveria e kaluar me lidhjen e koalicionit, ka vërtetuar se vijat e kuqe nuk ekzistojnë, sepse morën votat duke i shpallur luftë njëra-tjetrës, por Qeverinë e ndërtuan bashkë”, është shprehur Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se akuzat në vendin tonë, bëhen për të arritur në pushtet, por ato harrohen sa hap e mbyll sytë.

“E mira e këtij koalicioni është se qytetarët nuk u mashtruan në bazë të vijave të kuqe, që nuk lidhin marrëveshje me këtë parti apo me atë, por unë mendoj se kjo është në të mirë të vendit, apo e duhur për këtë kohë, e ju jeni ata që e vlerësoni te kutia kur të votoni. Akuzat tek ne bëhen për të arritur në pushtet, ato harrohen sa hap e mbyll sytë”, ka përfunduar analisti Krasniqi.

Image
Rexhep Shahu

“AAK dhe Nisma mashtruan elektoratin”

Ndërsa, sipas analistit tjetër Rexhep Shahu, ato që bëjnë që të harrohen të gjitha akuzat kundrejt njëri-tjetrit, janë torta e pushtetit dhe nevoja për biznes fitimprurës të jashtëzakonshëm.

Sipas tij, koalicioni me PDK-në e ka dëshmuar imoralitetin politik të AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

“Torta e pushtetit dhe nevoja për atë biznes fitimprurës të jashtëzakonshëm, bën që të harrohen gjithë akuzat dhe idhtësirat, u duket mjaltë balta. Nga akuzuese të forta ndaj PDK-së, sot janë kthyer në dashnore të saj, e lëpijnë dhe i bëjnë fresk, kjo tregon imoralitet politik. Kjo tregon se imoraliteti politik nuk ka dhe nuk njeh limite. Kjo do të thotë se të gjitha akuzat apo fjalët e thëna ndaj PDK-së, kanë qenë rrena, ose kanë mashtruar drejtuesit e AAK-së dhe Nismës”, është shprehur analisti Shahu për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Haradinaj, kartë e djegur e Veselit

Se në politikën e Kosovës nuk ka moral e parime, e ka thënë edhe politilogu Faton Mehmeti. Duke komentuar për akuzat e bëra ndaj njëra-tjetrës, Mehmeti ka thënë se sa më i rëndë që të jetë fjalori mes tyre, aq më i madh do të jetë pazari.

“Sa më i rëndë të jetë fjalori ndaj njëri-tjetrit, aq më tepër rritet pazari dhe shtohet dashuria mes tyre, këto janë vetëm lojëra të tyre në sy të popullit, derisa kulaçin e ndajnë së bashku. Për ironi të AAK-së, vetëm pak ditë para se të lidhnin koalicionim me PDK-në, Ramushi tha se nuk bëjnë koalicion me partitë qeverisëse, duke aluduar në PDK-në. Por, vetëm tri ditë më vonë, ai bëri koalicion me të. Kjo është paftyrësi, hipokrizi dhe rrjedhimisht tradhti ndaj elektoratit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Isën e LDK-së, pra e keqja ka përfshirë të gjithë”, ka theksuar Mehmeti.

Sipas tij, Nisma për Kosovën, është degë e PDK-së, prandaj koalicioni me të ishte i natyrshëm.

“Dihet se Nisma është një fluskë sapuni, është degë e PDK-së dhe ishte i natyrshëm koalicioni me PDK-në, pavarësisht se në popull mundohet të jep pasqyrë tjetër. Në tërësi, politika shqiptare e Kosovës, ndodhet në kriter të profilizimit të orientimeve dhe vënies së moralit në politik bërje, pasi ajo iu shërben qytetarëve vetëm nëse është e ndershme dhe degjeron mirëqenie, derisa ajo është dyftyrëshëm, hipokrite dhe pa parime vështirë t’iu shërbejë qytetarëve. Ramushi u dëshmua edhe një herë se nuk është politikan, është kartë e djegur e Kadriut. Pasojat do t’i shoh më vonë, tani do ta shijojë muajin e mjaltit”, ka thënë politologu Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Ali Hertica

Hertica: Politikanët në Kosovë nga i njëti brum

Edhe sipas analistit Ali Hertica, liderët e subjekteve politike, të cilët me ngulm ishin kundër qeverisë së PDK-së dhe LDK-së dhe tani bën koalicion me partnerin kundërshtar, janë nga i njëjti brum.

Ai ka thënë se “koalicioni I natës dhe frikës” ishte I papritur, mirëpo në politikë, sipas tij, armiku shpejt bëhet mik e miku armik.

“Kështu e ka edhe koalicioni i krahut të luftës, që ishte ide e papritur nga askush. Kështu që politika dhe politikanët për çështje të tyre i harrojnë të gjitha akuzat që i bëjnë njëri-tjetrit vetëm për të ardhur në pushtet. Në subjektet politike te liderët e Kosovës, fjala nuk qëndron stoike kurrë, sepse ata ndryshojnë brenda natës shumë herë, kështu që të gjitha koalicionet e të gjitha subjekteve politike nuk i kanë shikuar aferat e krahut, vetëm a iu ka rënë taman. Kjo është një hipokrizi politike”, është shprehur analisti Hertica për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat