Pacolli: AKR është e përfaqësuar me njerëz të dinjitetshëm

Politika

Pacolli: AKR është e përfaqësuar me njerëz të dinjitetshëm

Më: 26 maj 2017 Në ora: 20:17
Behgjet Pacolli

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli gjatë një takimi të premten me të rinjtë e AKR-së, prezantoi kandidatët e kësaj partie për deputetë për zgjedhjet e 11 qershorit duke thënë se AKR është e përfaqësuar me njerëz që kanë dinjitet.

Pacolli tha se ata që votojnë për AKR-në, njëherësh do të votojnë për kandidatët e saj për deputetë të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës.

“Përfaqësimi i rinisë dhe gjinisë femërore është në listën e kandidatëve dhe AKR është e përfaqësuar me njerëz të dinjitetshëm. T’i bindni qytetarët që ata të marrin leje nga ata që t’i përfaqësojnë qytetarët me votën e tyre. Neve këto zgjedhje na karakterizojnë dhe me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Besoj se secili nga ju ka ndjenja ta përjetojë në mënyrë humane këtë muaj të shenjtë”, tha Pacolli.

Ndërsa Agim Bahtiri shprehu besimin se AKR si pjesë e koalicionit me LDK-në dhe Alternativën do të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme, pasi e meriton një gjë të tillë, ndërsa u zotua se kjo parti do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve.

“Është kënaqësi t’i takoj partisë më të devotshme. Me ardhjen time ka pasur ndryshim radikal. Ashtu si në Mitrovicë po mendojmë që do të bëjmë ndryshim pozitiv në krejt Kosovën. O sot o kurrë, qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se koalicioni jonë me të tjerët ndryshon si nata me ditën. T’i dënojmë njëherë e përgjithmonë ata që na bënë të pamundur të lëvizim të lirë, të mos gjejmë punë. Kjo nuk i duhet rinisë së Kosovës. Ne jemi ata që hapim dyer. Sot kemi një gjigant të Ballkanit, një Trump të dytë dhe të mos jetë në krye të furtunës për të ndryshuar diçka është tmerr. Kjo egërsirë që na pruri këtu të largohet nga skena dhe të vjen një diell i mirë siç është Behgjet Pacolli”, ka thënë Bahtiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat