BE ofron një shans tjetër për Demarkacionin e vizat, si do të veprojnë partitë politike?

Politika

BE ofron një shans tjetër për Demarkacionin e vizat, si do të veprojnë partitë politike?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 27 maj 2017 Në ora: 18:10
Ilustrim

Deklarata e Shefës së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova për rinegociimin e demarkacionin  me Malin e Zi ka dhënë shpresë kundërshtuesve të kësaj marrëveshje. Kjo pasi çështje e Demarkacionit mund të rinegociohet përsëri ndërmjet Kosovës dhe Malit të zi.

“Raporti ka qenë shumë i qartë që ka thënë se Kosova nuk humbet territor. Në pajtueshmëri me botëkuptimin tonë, ky demarkacion është i drejti, i duhuri. Por, nëse Kosova vendos që ta gjejë ndonjë mënyrë tjetër për zgjidhjen e kësaj çështje, rinegociimi me Malin e Zi, angazhimi i një komisioni të ri për shqyrtimin e kësaj çështje, të kalohet në arbitrazh apo çfarëdo mënyre për zgjidhjen e demarkacionit, do të pranohet nga BE-ja. Nuk jemi ne ata që të ju mësojmë se si ta bëni, por për neve është me rëndësi rezultati. Gjithmonë varet prej jush, ju vendosni se si e bëni këtë”, ka deklaruar e shefja së Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova .

Partitë politike kanë thënë se nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre të mëhershme sa i përket kësaj marrëveshjeje.

Kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë në një konferencë për media se tani marrëveshja mbetet çështje e Parlamentit të ardhshëm të Republikës së Kosovës.

“Natyrisht se sa i përket LDK-së ne e kemi përkrahur marrëveshjen dhe nuk kemi lëvizje nga ajo, por është Kuvendi i ardhshëm ai i cili do të marrë vendime”, ka thënë Mustafa të martën.

LDK: Me Demarkacionin merremi pas 11 qershorit                         

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj ka konfirmuar për “Bota sot” se  me çështjen e Demarkacionit me Malin e zi do të merren pas zgjedhjeve të 11 qershorit.  

“Me demarkacion merremi pas zgjedhjeve”, ka thënë Gecaj.

PDK: Besojmë në negocimin e marrëveshjes

Ndërsa, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Nait Hasani e ka mirëpritur deklaratën e Apostolovës pasi që gjithnjë ka menduar se do të duhet të bisedohet sërish për Demarkacionin.

Image
Nait Hasani

 

“Unë kam menduar se gjithherë ka mundësi në negocim me Malin e zi për çështjen e Demarkacionit, prandaj dhe deklarata e Apostolovës se mund të negociohet, është  ajo që e kam thënë dhe e kem mbrojtur për kufitin”, ka thënë Hasani  për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se do të mbetet qëndrimi i tij i njëjtë për negociimin e kësaj marrëveshje.

“Unë besoj në negocimin e marrëveshjes, sepse ne jemi për  marrëdhënie të mira me Malin e zi si shtet fqinj. Qëndrimi im ka qenë dhe është negocimi  i Demarkacionit”, ka thënë Hasani.

Vetëvendosje: Të mos cënohet territori i Kosovës

Ndërsa, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë për “Bota sot” se rinegociimi i marrëveshjës me Malin e zi duhet që të bazohet në raporte reciproke që të mos cenohet territori i këtyre dy shteteve.

Image
Rexhep Selimi

“Pikërisht ky është qëllimi ynë, që të hedhim poshtë versionin e marrëveshjes aktuale dhe të ruajmë territorin e Republikës të paprekshëm. Demarkimi i kufirit me Malin e Zi duhet të ndodhë bazuar në raporte të mira reciproke me Malin e Zi pa u cenuar territori i asnjërës palë, por të mbetet aty ku duhet.”, ka thënë Selmi.

Po ashtu, ai ka shtuar se nga vendosmëria kundër Demarkacionit, ka rezultuar që Bashkimi Evropian të kërkojë një zgjidhje të drejtë.

“Vendosshmëria jonë ka rezultuar që tash edhe BE-ja të reflektojë dhe të kërkojë zgjidhjen  e drejtë”, ka thënë Selimi për “Bota sot”.

AAK: Kufiri është në Kullë e Çakorr

Kurse, ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj ka thënë se për rinegociimin e marrëveshjes me Malin e Zi do të merren të gjitha hapat e nevojshëm për një zgjidhje të drejtë.

“Do të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm me çdo njërin, duke përfshirë edhe me fqinjin tonë, Malin e Zi, për t’i dhënë njëherë e mirë zgjidhjen e drejtë dhe të pranueshme për palët, pa pas nevojë as me marr,  por as me i dhënë tokë askujt”, ka thënë Brahimaj.

Image
Lahi Brahimaj

I pyetur nga gazeta se si do ta zgjidh AAK Demarkacionin nëse vjen në pushtet, ai ka thënë se kufiri i Kosovës do të jetë ai që është deri në Çakorr.

“Shumë e thjeshtë, do ta lëmë aty ku ka qenë "dem baba dem", në Kullë e Çakorr. Aty ku në fakt e kanë lënë po këta fqinjë pasi kanë përvetësuar tokat shqiptare në të kaluarën. Prandaj bëjmë thirrje që të mos insistohet të merret edhe më tutje”, ka thënë ai.

Kurse, sa i përket, se a është tërhequr AAK-ja nga qëndrimet mëparshme, Brahimaj ka thënë se të tjerët tërhiqen nga qëndrimet e tyre për fatin e Kosovës, jo ata.

“Kjo pyetje s'është relevante për neve...të tjerët janë ata që tërhiqen nga qëndrimet e tyre për fatin e Kosovës, jo ne”, ka thënë Brahimaj.

Mirëpo, ekspertët vlerësojnë se partitë politike mund të tërhiqen nga qëndrimet e tyre ndaj Demarkacionit për shkak të liberalizimit të vizave.

Zogaj: Partitë politike do të tërhiqen nga qëndrimet e mëparshme

Sipas analisti politik Skender Zogaj, Demarkacioni me Malin e Zi ka nxjerr në shesh egocentrizmin e skajshëm të partive politike, të cilat për pushtet janë të gatshme të kurbanizojnë komb e atdhe!

Image
Skender Zogaj

 

“Këtë e tregoi Demarkacioni, që i kushtoi shtrenjtë popullit të Kosovës, duke e lënë të izoluar nga bota. Kjo është arsyeja që shefja  e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se BE-ja do të pranojë edhe mundësinë e rinegociimit të Demarkacionit me Malin e Zi, vetëm që të zgjidhet kjo çështje”, ka thënë Zogaj.

Ndërsa për deklaratën e Apostolovës, ai ka theksuar se ajo është paralajmërim për Qeverinë e re të Kosovës, që të kthjellet dhe ta zgjidh këtë marrëveshje që, sipas tij, është vendimtare për shtetin e Kosovës.

“Partitë politike jam i bindur se do të tërhiqen nga qëndrimet e mëparshme sepse, më nuk mund të vazhdojnë të këmbëngulin, teksa e kanë arritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme dheçfarëdo që të jetë rezultati i zgjedhjeve, janë të detyruara që t'i binden situatës, duke kompiluar me fakte të reja dhe me deklarimet paraprake që i kanë bërë. Kjo është politika rurale e Kosovës”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Negocimi varet nga pala malazeze

Ndërsa, analisti tjetër, Faik Krasniqi është shprehur se Demarkacioni nga një çështje teknike, u shndërrua në një çështje politike.

Image
Faik Krasniqi

“Për një çështje teknike qytetarët e Kosovës ngelën të izoluar. Bashkimi Evropian siç ka thënë edhe shefja  e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, do të pranonte edhe mundësinë e rinegociimit të Demarkacionit me Malin e Zi, vetëm që të zgjidhet kjo çështje”, ka thënë Krasniqi.

 Por, sispas tij, kjo varet nga pala malazeze se a do të pajtohej që çështja e Demarkacionit të rinegociohej.

“Nëse pala malazeze do të pranonte një gjë të tillë, atëherë edhe BE-ja do ta hiqte si kusht, për t'i hapur rrugën liberalizimit të vizave. Nëse jo, atëherë as BE-ja nuk do të lëshonte pe për liberalizim të vizave, deri sa deputetët e Kosovës ta ratifikonin në Kuvend”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se në fund shumica e partive do të tërhiqeshin nga qëndrimet e tyre të mëparshme, me arsyetimin që këtë po e bëjmë për të mirën e qytetarëve, në mënyrë që të lëvizin lirshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat