E krahasoi me Ivica Daçiqin, Anton Quni ka një porosi për Bislim Zogajn

Politika

E krahasoi me Ivica Daçiqin, Anton Quni ka një porosi për Bislim Zogajn

Nga: A. Zh Më: 28 maj 2017 Në ora: 08:15
Bislim Zogaj dhe Anton Quni

Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, në të cilën u votua për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës përmes mocionit të nisur nga partia opozitare Nisma për Kosovën, pati shumë përplasje mes deputetëve.

Një përplasje ka ndodhur mes tashmë ish-deputetit të LDK-së Anton Quni dhe atij të PDK-së Bislim Zogaj.

Quni në fjalimin e tij në Kuvend, e kishte kritikuar rëndë presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veselit, për të cilët ka thënë se nuk do të ndalet derisa t’i shoh prapa grilave.

Por, akuzat e tij drejt Thaçit e Veselit nuk i kanë pëlqyer Zogajt, i cili fjalimin e Qunit e ka krahasuar me atë të ministrit serb Ivica Daçiq.

“Një koleg i joni Anton Quni ka folur, beso ma krijoi përshtypjen po flet Daçiqi, një shok i tij apo një shqiptar. Aq akuza të rënda, të paarsyeshme e të pabaza bëri dhe aq shumë foli për veten, thua se ishte Adem Jashari. Të bëjë asi akuza mu duk e pa arsyeshme. E tha dhe një tjetër, tha se do të rrijë në politikë për t’i realizuar kërkesat e tij. Më e sinqertë kishte me qenë nga ai po të thoshte se do të rri në politikë për t’i mbrojtur bizneset e mija në Prizren”, ka thënë Bislim Zogaj në Kuvend.

Por, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Anton Quni i është përgjigjur ish-deputetit të PDK-së, duke e quajtur deklaratën e tij të ngjashme me ato të gatuara në kuzhinat e njëjta me ato që dikur atakonin figura ushtarake, për të cilët ngriteshin teoritë se janë argatë të Serbisë.

Quni madje ka porositur Zogajn se emblema e UÇK-së askënd nuk e mvesh me imunitet para drejtësisë.

“Më tingëllon e ngjashme me deklaratat e gatuara në kuzhinat e njëjta me ato që dikur atakonin figura ushtarake, siç janë kolonel Ahmet Krasniqi, kolonel  Tahir Zemaj, komandant Ekrem Rexha-Drini e të tjerë, për të cilët ngriteshin teoritë se janë argatë të Serbisë. Por ai dhe gjithë të tjerët duhet të kuptojnë përfundimisht se emblema e UÇK-së askënd nuk e mvesh me imunitet, sa i përket përballjes me drejtësinë, qoftë vendore, apo atë ndërkombëtare”, ka deklaruar Quni për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat