Koalicioni LDK-Vetëvendosje formohet pas zgjedhjeve?

Politika

Koalicioni LDK-Vetëvendosje formohet pas zgjedhjeve?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 maj 2017 Në ora: 11:02
Isa Mustafa dhe Visar Ymeri

Zgjedhjet që do të mbahen me 11 qershor bënë që të formohen dy koalicione të mëdha, LDK-AKR-Alternativa dhe në anën tjetër PDK-AAK-Nisma, derisa Lëvizja Vetëvendosje zgjodhi të shkojë e vetme në zgjedhje.

Pavarësisht bisedimeve për një koalicion mes LDK-së dhe LDK-AKR-Alternativa, nuk u arrit një marrëveshje mes tyre.

Gazeta “Bota sot” ka realizuar sondazhin se a duhet VV-ja të bëjë koalicion me LDK-në dhe AKR-në e Alternativën, ku 95.6 përqind prej tyre kanë qenë pro, ndërsa vetëm 4.4 përqind kanë qenë kundër një koalicioni të tillë.

LDK s’e përjashton mundësinë e koalicionit me VV

Ndërsa, LDK-ja nuk e mohon se mund të ketë një marrëveshje paszgjedhore me VV-në.

Image
Sadri Ferati nga LDK

“Koalicioni jonë e sheh një frymë dhe një besim që qytetarët do të dëshirojnë një qeverisje më të mirë dhe një votë bindëse për koalicionin tonë dhe e lënë pastaj të hapur mundësinë për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen, në mënyrë që pa pengesa ta ushtrojmë qeverisjen në maksimum për të prodhuar rezultate të mira. Unë mendoj se tani krijimi i këtyre dy koalicioneve, LDK-AKR-Alternativa dhe PDK-AAK-Nisma janë koalicione afatmesme, ndoshta edhe afatgjate, nuk mund ta dimë, por jam i bindur se këto janë dy blloqe afatmesme, kështu që nuk e besoj se mes këtyre dy blloqeve mund të ketë bashkëpunim në periudha derisa këta politikanë janë në skenë”, ka deklaruar kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati për gazetën “Bota sot”.

Vijat e kuqe të LDK-së për PDK-në

I pyetur nëse e hedhë poshtë mundësinë për të bashkëpunuar me PDK-në, Ferati ka thënë se LDK nuk bënë koalicion me këtë parti.

“Po e hedh poshtë. Nëse ata dalin fitues ne shkojmë në opozitë, por nëse ne dalim fitues, nuk ju japim ofertë”, është shprehur ai.

Vetëvendosje kundër një koalicioni për inat të dikujt

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar se nuk kanë arritur të pajtohen me LDK-në për koalicion, ndërsa tregon se secila parti duhet të ketë program të saj dhe jo vetëm etjen për pushtet.

Image
Sami Kurteshi nga VV

“Një herë e kemi parë se nuk ka gatishmëri për një koalicion parazgjedhor. Unë mendoj se ky është parimi i drejtë demokratik, që secila parti duhet të konkurrojë me një program të vetin edhe njerëzit ta kenë të qartë kënd po e votojnë dhe pse po e votojnë, kështu që këto koalicione parazgjedhore pa pajtueshmëri objektive programore, janë vetëm koalicione për pushtet. Vetëvendosje nuk i ka bërë ato, nuk dëshiron t’i bëjë edhe ne e kemi parë që për këtë arsye jemi ku jemi. Ato dy koalicione i kemi të mëdha, janë koalicione parazgjedhore, ato janë frikësuar për shkak të pushtetit dhe votave”, ka deklaruar Kurteshi.

Më tej, ai ka folur edhe për faktorët që ndikojnë për një koalicion paszgjedhor, duke thënë se LDK-ja nuk është alternativë e vetme.

“Tash nuk është patjetër që të bëhet koalicion paszgjedhor me LDK-në, nuk është LDK-ja e vetmja alternativë, mendoj se janë shumë faktorë, por faktori kryesor është pajtueshmëria objektive programore. Unë dhe shumica e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje janë kundër një koalicioni për inat të dikujt, apo për hatër të dikujt. Natyrisht që Vetëvendosje është shumë e interesuar dhe do të punojë në atë drejtim që dy partitë e mëdha, PDK-në edhe LDK-në t’i dërgojë në opozitë, qofshin edhe në koalicione, sidomos këto dy parti, sepse kanë qenë bashkë në koalicione dhe këto e kanë sjellë këtë gjendje që e kemi sot dhe kjo gjendje duhet ndryshuar. Dhe, siç duket është futur në kokat e njerëzve se ndryshimi është i domosdoshëm”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Por, duke mos e mohuar mundësinë për të bashkëpunuar me PDK-në, Kurteshi ka thënë se do të bashkohej me opozitën, mirëpo ajo po lufton për pushtet dhe VV-ja nuk e do një gjë të tillë me çdo kusht.

“Nuk mendoj se në këtë gjendje ato janë për një koalicion programor, natyrisht koalicioni më i mirë do të ishte me partitë e opozitës, ato tashmë kanë lidhur një koalicion me PDK-në, dmth kanë dëshmuar se ato janë të interesuara vetëm të jenë në pushtet dhe mendoj se ky do të jetë problem shumë i madh dhe një koalicion, natyrisht nëse nuk e fiton asnjëra parti shumicën, ne natyrisht se do të fitojmë në këto zgjedhje, do të duhej të bëhen bisedime shumë të gjata programe. Por, sigurisht që Vetëvendosje nuk do të pajtohet apriori që ta dërgojë dikë në opozitë ose ta sjellë dikë në pushtet ose vetë të mbetet në pushtet, sigurisht që këtë nuk do ta bëjë, nëse nuk ka program të qartë çfarë kërkon edhe përmirësimin e gjendjes, ndryshimin e gjendjes thelbësore, me ndryshime paradigmatic. Mendoj se nuk do të kishte me qenë e mirë, nuk do të ishte veprim demorkatik të bëhen koalicione të tilla vetëm sa për të ardhur në pushtet”, ka thënë Kurteshi.

Gashi: Zgjedhjet do t’a qartësojnë çështjen e koalicionit

Image
Analisti Arber Gashi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve aktuale në vend, Arbër Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mbetet për t’u parë nëse VV do t’i bashkohet koalicionit LDK-AKR-Alternativa pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

 “Zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti pritet të sjellin një qartësi rreth faktit se sa të paqartë jemi në artikulim të interesave tona dhe se sa joparimor jemi në lidhjen e koalicioneve. Si koalicioni i LDK-së, po ashtu edhe koalicioni i PDK-së, në radhët e tyre posedojnë kuadro që mund të japin rezultate të mira për Kosovën, nëse në krye të këtyre subjekteve do të qëndronin më të merituarit, e jo assesi njerëzit e përfolur për krime, korrupsion dhe kapje të institucioneve. Në këtë situatë aspak të favorshme, LVV-së si subjekt i ofrohet mundësia të rritë numrin e deputetëve dhe të lozë rolin e vet në proceset që priten të ndodhin pas zgjedhjeve. Se a do të bashkohet ky subjekt në koalicion me LDK-në, apo do vazhdojë ta luajë rolin e gaz-hedhësit të Kadri Veselit, mbetet të shihet gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme”, është shprehur Gashi.

Zogaj: LDK-VV, partitë më të pastra dhe më të përgatitura për qeverisjen e vendit

Image
Analisti Skender Zogaj

Ndërsa analisti Skender Zogaj, ka thënë se LDK dhe VV nëse ia duan të mirën njëri-tjetrit, duhet t'i ofrohen njëra-tjetrës, sepse, edhe pse kanë programe dhe vizione të ndryshme partiake, janë më të përgatitura për qeverisjen e vendit.

“Koalicionet ndërpartiake janë vlera fondamentale dhe kuptimplotë e shoqërisë demokratike, ku vullnetet e mira i tejkalojnë të gjitha mospajtimet e zakonshme partiake dhe për realizimin e qëllimeve të dobishme për kombin dhe atdheun bashkohen dhe bashkëveprojnë fuqishëm. Praktikat botërore të vendeve të civilizuara kanë dëshmuar se edhe partitë më të kundërta dhe refuzuese të njëra tjetrës, mund të krijojnë bashkëpunime të frytshme dhe të realizojnë kthesa të mëdha e të dobishme historike. Pavarësisht nga bindjet e mia shumë negative për VV, në rrethanat që u krijuan në Kosovë, them se, pikërisht LDK-ja dhe VV nëse janë vetëm pak koshiente dhe nëse vetëm pak ia duan të mirën vendit dhe popullit të vet, duhet t'i ofrohen njera-tjetrës, sepse, edhe pse kanë programe dhe vizione të ndryshme partiake, janë dy partitë më me pak mëkate, pra janë partitë më të pastra dhe më të përgatitura për qeverisjen e vendit, dhe kjo është dëshmia se ato të mund të bashkëpunojnë”, është shprehur Zogaj.

Sipas tij, LDK-ja është deklaruar dhe ka dëshmuar në praktikë se mund të qeverisë suksesshëm edhe më partnerë të kundërt.

“Koalicioni LDK-AKR-Alternativa me VV-n, është jo vetëm i mundshëm, por edhe nevojshëm, jo për ta dërgua PDK-n ne opozitë, por për ta kthye politikën e Kosovës kah perspektiva, për ta pastrua Kosovën nga krimi dhe korrupsioni i organizuar, për ta rikthye besimin e shtetasve të Kosovës në shtetin dhe institucionet shtetërore dhe për të treguar se shqiptarët e Kosovës e meritojnë lirinë dhe pavarësinë”, ka theksuar analisti Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat