Frika e PDK-së, koalicioni si pasojë e Speciales

Politika

Frika e PDK-së, koalicioni si pasojë e Speciales

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 maj 2017 Në ora: 14:27
Selia e Gjykates SpecialeNaile Ejupi

Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë, ende nuk ka filluar me aktakuzat e para, mirëpo para votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ishte diskutuar kërkesa për ndryshimin e ligjit të kësaj Gjykate.

Kjo kërkesë kishte mbetur në gjysmë, si pasojë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme,  kurse në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit,  janë bërë bashkë komandantët e UÇK-së të cilët “e urrenin”njëri- tjetrin. Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë vendosur që në zgjedhje të shkonin si koalicion, duke lënë kështu prapa të gjitha përçmimet e akuzat që bënin në mes veti.

Image
Imer Mushkolaj

Koalicioni si pasojë e Speciales

Formimi i këtij koalicioni sipas analistëve kishte ardhur si pasojë e Gjykatës Speciale.

Analisti politik, Imer Mushkolaj ka thënë se ndryshe është për këto parti kur janë në pushtet e ndryshe në opozitë kur të shpallen aktakuzat e para.

“Një ndër arsyet pse PDK, AAK e Nisma janë bërë bashkë në këtë koalicion është edhe Gjykata Speciale, ironikisht e votuar nga ta në Kuvend. Është ndryshe që këto parti të jenë në pushtet, e ndryshe në opozitë kur të shpallen aktakuzat e para. Andaj “krahu i luftës” duket t’i ketë bërë mirë llogaritë. Është çështje tjetër nëse iu del ashtu siç e kanë menduar” ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa,  në anën tjetër mediet kanë raportuar se aktakuzat e para të Gjykatës Speciale do të jenë pas zgjedhjeve të 11 qershorit dhe sipas tyre koaliconi PDK- AAK- NISMA nuk mund të jetë jetëgjatë për arsyet e Gjykatës Speciale.

Analisti politik, Jeton Kelmendi ka pohuar se përkundër që nuk ka ndonjë datë të saktë për fillimin e aktakuzave të para të Gjykatës Speciale, ajo tashmë e ka pasur efektin e saj, e sipas Kelmendit efekti i saj është frika në palcë e të akuzuarëve potencialë.

“Gjykata Speciale deri më tani ka qenë efektive në një aspekt, vetëm u ka futur frikën  në palcë të akuzuarve potencial, njerëzve që e ndjejnë  vetën se mund të jenë pjesë të aktakuzës . Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të vetëm konkret, qoftë për aktakuza apo për ndonjë emër të saktë që do të akuzohet, prandaj nuk e di se sa mund të jetë efikase duke marrë parasysh edhe ato hulumtime të cilat i ka bërë komisoni ndërkombëtar UNMIK-u dhe misioni evropian EULEX, të cilët kishin dështuar pothuajse tërësisht në shumicën absolute të gjykimeve të vështira. Gjykata speciale nuk e di sa mund të ketë sukses, por definitivisht është e sigurt që ka arritur që mos t’i lë rehat, apo mos t’i lë komodë atyre të akuzuarve të mundshëm për të cilët akoma nuk dihet emrat konkrete” ka thënë Kelmendi.

Image
Jeton Kelmendi

Frika e PDK-së

Kelmendi ka potencuar se deri më tani Gjykata Speciale nuk ka mbajtur fjalën sa i përket datës, mirëpo frikën asaj ia kanë sidomos krerët e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Gjykata Speciale ka paralajmëruar disa herë data, apo kohën të caktuar se kur do të mund të fillojnë aktakuzat e para, mirëpo deri më tani nuk e ka mbajtur fjalën. Mirëpo, siç e thashë edhe më lart ajo ua ka futur frikën sidomos atyre krerëve të një subjekti politik që në këtë rast është Partia Demokratike e Kosovës e Kadri Veselit të cilët në një lloj mënyrë potenciojmë edhe pse janë në një barrierë nuk e di se a mund të ngrihen apo jo, Gjykata Speciale deri më tani përpos frikës ka qenë sikur ajo pushka e prishur që nuk ka dhezë, këtu duhet të themë që po të jetë pushka e mirë frikëson vetëm atë që është në cak, ndërkaq Gjykata Speciale deri më tani është treguar sikur pushka e prishur dhe ajo frikëson edhe mbajtësin e armës edhe të shenjëstruarin, pra kësi lloji Gjykata Speciale po frikëson edhe të akuzuarit e mundshëm edhe ata që në një far mënyrë janë të ndërlidhur me të aktakuzuarit” është shprehur Kelmendi.

Se Gjykata Speciale do të mund t’i godas më shumë zyrtarët e lartë të koalicionit PDK- AAK- NISMA e ka pohuar  edhe analisti Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Aktakuzat e gatshme”

Haziri ka thënë se rrethi është ngushtuar sa i përket veprimit të Gjykatës Speciale, ndërsa në anën tjetër sipas tij aktakuzat e para tashmë janë gati, por rënia e qeverisë ka bërë që të shtyhen aktakuzat.

“ Po është duke iu ngushtuar rrethi sa i përket veprimit të Gjykatës Speciale, e me këtë po iu ngushtohet rrethi dhe po e presin në ankth disa nga të supozuarit apo ata që emrat iu kanë lakuar në opinion si të akuzuarit e parë të mundshëm të Gjykatës Speciale. Është e vërtetë se tashmë vetëm se aktakuzat e para janë bërë gati dhe ato priten të ngriten në muajin shtator. Këto aktakuza, do të duhej të ngriteshin tani në këtë muaj, pra në muajin qershor, por shtyerja e tyre për në pjesën e dytë të këtij viti, pra konkretisht për në shtator, është bërë përshkak të rënies së qeverisë së Kosovës dhe shkuarjes  së vendit në zgjedhje  të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më datën 11 qershor.  Po ashtu dihet se më së shumti këto aktakuza do t’i godasin zyrtarët e lartë të koalicionit të ashtuquajturit “krahu i luftë s” apo siç po quhet tani Koalicioni e Territ PDK AAK NISMA, e më vonë edhe vetë kreun më të lartë shtetëror të Kosovës presidentin Thaçi” ka pohuar Haziri.

Edhe pse Gjykata Speciale nuk ka dalë me ndonjë emër konkret se kush do të jetë cak i aktakuzës, sipas raportit të Dick Marty njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës do të jenë cak i kësaj Gjykate, ndërsa mediet ndërkombëtare raportojnë se kjo do të bëjë që koaliconi PDK- AAK- NISMA të jetë jetëshkurtër.

PAN jetë shkurtër

Sipas analistit Jeton Kelmendi, jo vetëm mediet ndërkombëtare, por edhe analistët në Kosovë e kanë paraparë se koaliconi PDK- AAK- NISMA nuk do të jetë i gjatë për shkak të Gjykatës Speciale.

“Jo vetëm mediat ndërkombëtare, por edhe analistët në Kosovë e kanë paraparë një gjë të tillë, sepse si duket mund të del fitues koaliconi i dalë nga lufta, por nuk besoj që do të ketë komoditet që të formojnë qeverinë, pra të  fitojnë bindshëm por edhe mund të mos fitojnë fare, mund të jenë partia e parë por pa aleant nuk mund të formojnë qeverinë. Por do të jetë e vështirë, sidomos nëse dalin të vërtetat spekulimet se mund të jetë cak Kadri Veseli, prandaj kjo do të bëjë që të tronditet vendi. Kjo është vetëm shtab i frikës. Ka dozë të frikës por gjykata speciale ende nuk ka marrë ndonjë hap, qoftë edhe më të voglin hap” ka thënë Kelmendi për “Bota sot”.

Të njëjtën gjë e pohon edhe analisti Nexhat Haziri, i cili shprehet që koalicioni PDK- AAK- NISMA nëse do t’i fitonte zgjedhjet nuk do të jetë  kohë gjatë si pasojë e Gjykatës Speciale.

Sipas Hazirit, ky koalicion është formuar edhe si një përpjekje për të penguar Gjykatën Speciale, që t’i vonojë aktakuzat dhe të blejë kohë për ata që do të jenë në bankën e të akuzuarëve.

“Më këto aktakuza, nëse rastësisht kolaicioni në fjalë do të mund të dalë si fitues në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, nuk do të jetë një koalicion jetëgjatë, për shkak të tronditjeve që do t’i pësojë  nga Gjykata Speciale . Duhet cekur se ky koalicion ishte formuar edhe si një përpjekje , edhe pse e dëshpruar, për ta penguar punën e Gjykatës Speciale , në mos paralizimit të procesit, gjithsesi për vonimin ngritjes të aktakuzave dhe blerjes së kohës nga ata që tashmë vetëm kanë filluar ta shohin vetën në bankën e të akuzuarëve nga drejtësia. Por si duket, mesazhet nga faktori ndërkombëtar ishin mjaftë të qarta dhe konkrete në atë që procesi apo puna e Gjykatës Speciale nuk do të lejohet të pengohet pa marrë parasysh se kush do të qeverisë pas datës së 11 qershorit” ka potencuar  Haziri.

Image
Hidajet Ahmeti

Tronditje në skenën politike

Edhe analisti Hidajet Ahmeti, është shprehur se nëse në zgjedhjet e 11 qershorit do të dalë fitues koalicioni PDK- AAK- NISMA,  nuk do të ketë jetëgjatësi pasi që është e ditur se në shenjestër të kësaj gjykate janë kokat kyçe të PDK-së.

Sipas Ahmetit aktakuzat e para të Gjykatës Speciale janë vonuar.

 “Është e logjikshme  që brenda mandatit  ligjor që ka Gjykata Speciale, të fillojë me aktakuzat e para, edhe ashtu është vonuar. Ne mund të flasim në mënyrë hipotetike, që nëse pas këtyre zgjedhjeve, fituese do të dalë koalicioni PDK-AAK-NISMA, nuk do të këtë jetëgjatësi, pasi që dihet se në shënjestër të kësaj gjykate janë kokat kyçe të PDK-së” ka potencuar Ahmeti.

Ai ka thënë se me ngritjen e aktakuzave do të ketë tronditje në skenën politike të Kosovës, e veçanërisht tronditje ndaj këtij koalicioni.

Ahmeti ka shtuar se në determinizmin e stabilitetit të koalicioneve do të ndikojnë edhe shumë faktorë tjerë.

“Gjykoj se me ngritjen e këtyre aktakuzave do të këtë tronditje në skenën politike kosovare e veçanërisht , tronditje ndaj këtij koalicioni parazgjedhor me potencë për të udhëhequr me ekzekutivin. Realisht, ka shumë faktorë tjerë që determinojnë stabilitetin e koalicioneve, e kur dihet se Kosova ka një sistem politik parlamentar. Gjykoj se në këtë konstulacion  të barrikadimit të forcave politike do të këtë një   qeveri jo stabile. Prandaj, çdo kalkulim aritmetik në politikë  është në potencë për të dështuar. Nëse hipotetikisht, qeverinë do ta formojnë forcat politike në fjalë, njëri ndër faktoret e determinimit të jetëgjatësisë se qeverisë në këtë konstulacion të këtyre forcave do të jetë funksionalizimi i Gjykatës Speciale”  ka pohuar Ahmeti.

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri është shprehur se nëse “krahu i luftës” e paketon disi një shumicë të brishtë me anë të mandateve të komuniteteve jo- shumicë, ai edhe më shumë do të dobësojë pozitat e tij në raport me këtë vit.

Sipas Tahirit, një qeveri e tillë e një shumice të brishtë mund të mbijetojë vetëm ca muaj.

“Një gjë është e sigurt, Kosova gjendet në një momentum politik, ku tani në mungesë të një qeverie stabile, të cilën “krahu i luftës” vështirë se mund ta krijoj, është e nevojshme një qeveri e gjerë qoftë teknike, qoftë e unitetit kombëtarë. Në rast se “krahu i luftës” e paketon disi një shumicë të brishtë me anë të mandateve të komuniteteve jo-shumicë, ai edhe më shumë do të dobësojë pozitat e tij në raport me atë që do të pasoj këtë vit.

Shumicë e brishtë?

Një qeveri e tillë e një shumice të brishtë, mund të mbijetojë vetëm ca muaj, kurse në anën tjetër nuk ka as probabilitet matematikorë të çojë përpara ndonjë proces politik” ka potencuar Tahiri.

Image
Dimal Basha

Përkundër, analistëve tjerë të cilët kanë thënë se Gjykata Speciale me aktakuzat e saj do të ndikojë që koalicioni PDK- AAK- NISMA të jetë jetëshkurtër, analisti Dimal Basha shprehet ndryshe.

Sipas Bashës, partitë në pushtet nuk do të rrezikonin destabilizimin e vendit me prishjen e koalicioneve për shkak të aktakuzave.

“Nëse shohim tradiën e krijuar deri më tani, të gjithë  të akuzuarit i janë  përgjigjur pozitivisht drejtësisë  ndërkombëtare dhe rrjedhimisht nuk besoj se partitë në pushtet do të rrezikonin destabilizimin e vendit me prishjen e koalicioneve për shkak të aktakuzave të ngritura kundër disa individëve” ka thënë Basha për “Bota sot”.

Ligji prej 50 faqesh mbi Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar, është miratuar nga Kuvendi i Kosovës  që nga  viti 2015, ndërsa që atëherë  në medie është raportuar vazhdimisht për data të ndryshme për fillimin e aktakuzave të para,  mirëpo asgjë nuk ka qenë zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat