Pazaret e Kadri Veselit me Listën Serbe, çfarë u premtoi për rrëzimin e Qeverisë Mustafa?

Politika

Pazaret e Kadri Veselit me Listën Serbe, çfarë u premtoi për rrëzimin e Qeverisë Mustafa?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 qershor 2017 Në ora: 09:40
Kadri Veseli

Kreu i PDK-së Kadri Veseli, arriti ta bind Listën serbe që ta rrëzojë Qeverinë Mustafa, por nuk arriti ta bind atë për votim të Demarkacionit të kufirit me Malin e zi. Një pazar ndërmjet Veselit dhe Listës serbe, sipas njohësve të çështjeve politike, mund të bëhet edhe në të ardhmen. Sipas tyre, në gjithë këtë proces të këtij bashkëpunimi në mes PDK-së së Kadri Veselit dhe Listës Serbe, janë edhe pazaret që ai, sikur edhe më parë Presidenti Hashim Thaçi , i kanë ofruar kësaj liste, për këtë shërbim që kjo e fundit ua bëri në rrëzimin e qeverisë.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: Thaçi dhe Veseli “detyruan” Listën Serbe të votojë mocionin

Zyrtari i LDK-së dhe Zv/ Ministri në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal Bajram Gecaj, ka thënë se Lista Serbe, por edhe komunitetet tjera, deri në momentin e fundit kanë insistuar se ishin kundër zgjedhjeve të parakohshme.

Por, sipas tij, ndërrimi i shpejtë i qëndrimit të saj, është bërë pas insistimit të Veselit.

“Megjithatë, të gjithë kemi qenë dëshmitarë të ndërrimit të shpejtë të qëndrimit, pas involvimit agresiv të kryesisht binomit Thaçi-Veseli. Madje edhe Presidenti i shtetit ka kërkuar nga pjesëtarë të komuniteteve të përkrahin mocionin”, ka thënë Gecaj.

Por, në lidhje me akuzat e Gecajt, nga partia e Kadri Veselit, nuk kanë pranuar të përgjigjen për gazetën “Bota sot”.

Ndërkohë, analistët politikë, kanë dhënë mendimet e tyre për “lidhjet” e Veselit dhe PDK-së me Listën Serbe.

Image
Nexhat Haziri

Lidhjet e ish kreut të SHIK-ut me Listën Serbe

Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se për “ Bota sot” se Kadri Veseli nuk e ka pasur aspak të vështirë se për ta bindur Listën Serbe që ta votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, pasi sipas tij, lidhjet e tyre janë të vjetra.

Sipas tij, Veseli ishte akoma duke “eksploruar” nëntokën e Kosovës, si shef i  organizatës së SHIK-ut, ku me disa nga liderët e Listës serbe, bënin me dhjetëra miliona dollarë qarkullim nga tregtia e paligjshme përmes pjesës veriore të Kosovës.

 “PDK-ja, asnjëherë nuk ka pasur një qasje serioze sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi, duket që ka luajtur në mënyrë perverse me këtë çështje, për ta dëmtuar vetë LDK-në dhe për t’ia lënë siç thuhet “këmbët e arushës” në duar, edhe pse ky Demarkacion si i tillë në formë dhe përmbajtje, është derivat i politikës së mbrapshtë dhe puro klientaliste e PDK-së. Dhe natyrisht se në gjithë këtë process të këtij bashkëpunimi në mes PDK-së së Kadri Veselit dhe Listës Serbe, janë edhe pazaret që Veseli, sikur edhe më parë Thaçi, i kanë ofruar Listës serbe, për këtë shërbim që kjo e fundit ua bëri në rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë Haziri.

Ai ka vlerësuar se këtu ka dyshime të bazuara se këto pazare mund të prekin edhe bërthamën e shtetësisë së Kosovës, duke e bërë Republikën si shtet jofunksional, sidomos përmes Asociacionit të Komunave Serbe, nëse ky asociacion kalon kornizën, të cilën ia ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

“Veseli dhe PDK-ja, me çdo kusht do të tentojnë ta mbajnë pushtetin në Kosovë, dhe për këtë ata janë të gatshëm edhe për pazare të tjera, sidomos me Listën serbe. Veseli dhe të gjithë të inkriminuarit e tjerë nga koalicioni i territ (PDK, AAK dhe NISMA) janë të vetëdijshëm se qëndrimi i tyre jashtë pushtetit, do të thotë ballafaqimi i tyre me drejtësinë, andaj vetëm me të qëndruarit në pushtet, këta tentojnë ta mbajnë të kapur sistemin e drejtësisë dhe të papërfillshëm në raport me veprat e tyre kriminale”, ka thënë Haziri.

Image
Ajet Avdyli

“Serbia po favorizon Ramushin për kryeministër”

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Ajet Avdyli duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “ Bota sot” se të gjithë janë dëshmitarë të një situate e cila ngërthen në vete, gjëra që na bëjnë të dyshojmë se kohëve të fundit ka disa lëvizje politike dhe opsione të çuditshme, por edhe të pa pritshme në skenën politike të Kosovës.

 “Ne e përjetuam mocionin e mosbesimit, i kemi zgjedhjet e parakohshme, e kemi Listën Serbe të dakorduar me PDK, AAK e Nisma, të cilët kohëve të fundit janë bërë faktor, të dëgjueshëm, sidomos atëherë kur është puna që të veprohet dhe të bëhet diçka kundër LDK-së, një parti politike e themeluar nga Dr. Ibrahim Rugova. Rikthimi i Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, vasaliteti i tyre ndaj PDK, AAK-së, por edhe i Nismës, shtron disa dilema që po bëjmë përpjekje të japim mendimet tona. Ramush Haradinaj u ndalua në Francë, me aktakuzë të ngritur nga Serbia, u lirua, u bë mire që iu kthye familjes, por edhe jetës politike në Republikën e Kosovës. Pas kthimit, dihet këtë radhë nuk e pati tepihun e kuq, por e pati tepihun e zezë, sidomos të përgatitur prapë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Kur jemi te mocioni i mosbesimit në Parlamentin e Kosovës, e kemi një situatë e cila kërkon një kthjellim, meqë është e kamufluar, por edhe e nxjerrë nga binarët e normales”, ka thënë Avdyli.

Sipas tij, Lista Serbe, e dirigjuar nga Vuçiqi, për çudi nuk bënë as një hap në Kosovë pa e marrë pëlqimin nga patroni i tij, por u dakordua dhe e votoi Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa.

 “Këtu e kemi një problem, në njërën anë Serbia e kërkon Ramushin për krime lufte kundër civilëve, e në anën tjetër, e favorizon dhe i jep impuls pozitiv, por ta themi më troç e promovon për zgjedhjen e tij në postin e kryeministrit. Dihet kur Serbia kërkon nga Brukseli se nuk pajtohet me Ramushin kryeministër, atëherë këtu kemi të bëjmë me favore që i bëhen Ramushit pikërisht nga Serbia. Në mentalitetin ballkanik e sidomos në atë të Kosovës, i bie se nëse Serbia e lavdëron dikë, në Kosovën tonë kanë me shpall tradhtar dhe me akuzua për bashkëpunëtor të Serbisë, por, nëse dikë Serbia e shpall të kërkuar për krime kundër popullatës serbe, në një fushatë paraelektorale, atëherë kemi të bëjmë me një përkrahje tërthorazi, përpjekja për ta ngritur personalitetin e personit që e akuzon, se kështu e ha pazari në Kosovë dhe se gjithmonë në këtë formë Serbia ka bërë lojëra të ndyta, edhe kur dihet se Serbia ka për qëllim që në udhëheqjen e Kosovës të ketë njerëz të përfolur, për krime e për korrupsion, prandaj kështu do ta ketë më lehtë ta diskreditojë Kosovën para faktorit ndërkombëtar”, është shprehur Avdyli.

Sipas tij, Hashim Thaçi tani president i Kosovës, sa herë ka dashur ka arrit të luajë me Listën Serbe, mirëpo për çudi, në rastin konkret të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, nuk e bëri këtë.

“Shtrohet pyetja, se  përse nuk e bëri këtë, dihet se, qëllimi i Hashim Thaçit e Kadri Veselit nuk ishte, kalimi i Demarkacionit me Malin e Zi, sepse po ta bënin këtë punë, atëherë Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa do të fitonte imazh krejtësisht tjetër në popull, dihet mirëfilli se do të liberalizoheshin vizat, andaj Kadriu e Hashmi luanin me kartën e zgjedhjeve të parakohshme, ku edhe e bënë këtë punë”, ka thënë Avdyli.

PDK-AAK-Nisma po kërkon anulimin e ligjit të Speciales

Ai ka vlerësuar se projekti rus në Ballkan është shumë fuqishëm, i cili ka filluar kaherë që të marrë shtat në këtë pjesë, për interesa strategjike të tyre.

“Kohëve të fundit, Hashim Thaqi e Kadri Veseli kanë filluar të jenë tepër kritikë me BE-në, me që Kosovës i paskan vënë kushte shtesë, për liberalizimin e vizave me çka, vendet të tjera nuk i kanë pasur. Tupani ka filluar të bie, dhe këtë e deklaruan botërisht edhe zyrtarët e BE-së, se ky kusht është me propozimin dhe dakordimin e Hashim Thaçit. Vasaliteti i Listës Serbe, ndaj Vuqiqit, dhe ndaj Kadrisë e Hashimit sikur e kanë hutuar opinion, i cili me të vërtetë po kërkon të di më shumë, se çfarë në të vërtet po ndodhë. Kjo dukuri është tepër shqetësuese ne shoqërinë tonë, është bërë akoma më aktuale me koalicionin e Natës në mes PDK-së, AAK-së, e Nismës. Në opinion po qarkullojnë zëra se duan që ta shantazhojnë Brukseli e Amerikën, dihet qëllimi është i përbashkët i këtyre tri partive, rikthimi i Ligjit mbi Gjykatën Speciale, por edhe anulimi, në Kuvend”, ka thënë Ajeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat