Presidenti Thaçi shkel Kushtetutën, i del në ndihmë PDK-së

Politika

Presidenti Thaçi shkel Kushtetutën, i del në ndihmë PDK-së

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 qershor 2017 Në ora: 15:41
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi

Tashmë ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, por jozyrtarisht ajo ka filluar më herët, pasi partitë politike kanë dalë në tubime nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Takime me qytetarë në këtë kohë zgjedhjesh po mban edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke nxitur kështu reagime të shumta, se edhe ai po bën fushatë, për ish partinë e tij PDK-në. Këto reagime erdhën sidomos pas vizitës në një shkollë në vendlindjen e tij, se ai po bën fushatë për një parti të caktuar.

Kompetencat e Presidentit

Sa i përket kompetencave të presidentit, ai ka për detyrë të shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij

Presidenti Thaçi, dikur lider i Partisë Demokratike të Kosovës, e ka mohuar kategorikisht përzierjen në fushatën zgjedhore.

“Në momentin që jam zgjedhur president për mua ka përfunduar çdo autoritet sa u përket partive politike në Kosovë. Kontaktet e mia nuk janë fushatë aspak. Por, tani unë kam përgjegjësitë e mia, stilin tim të punës në kuadër të kornizave kushtetuese/ Takimet që kam zhvilluar dhe do të vazhdoj t’i zhvilloj me qytetarët e Kosovës. Kjo është traditë e imja, që nga koha kur kam qenë në opozitë, mandej si kryeministër, edhe sot. Është e mirë sepse në momentin kur shkëputesh nga realiteti i jetës së qytetarit të thjeshtë lindin problemet. Nuk dëshiroj të komentoj opinionet e partive politike, por mendoj se ata duhet të jenë mirënjohës pasi i kontaktoj të gjithë, të gjitha kategoritë, të cilat s’i takojnë asnjë partie, por si president e kam për obligim t’i thërras njerëzit të dalin të votojnë”, është shprehur presidenti i vendit”, ka thënë Thaçi.

Mirëpo, njohësit e çështjeve politike në vend mendojnë ndryshe, duke thënë se presidenti Thaçi po bën fushatë për PDK-në, parti të cilës i takonte para se të vinte në postin e Presidentit.

Image
Eugen Cakolli

Thaci praktikon vizitat në kohë zgjedhjesh

Hulumtuesi Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se një praktikë e tillë për takime në kohë fushate, është bërë e zakonshme dhe ka ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve në Drenas.

“Ndonëse zyrtarisht fushata filloi dje, subjektet politike kanë përfituar nga vakumi ligjor që do të rregullonte saktësisht masat për subjektet që nisin para kohe fushatën. Sa i përket raportimeve të ndryshme për takimet e Presidentit me mësimdhënës në kohë fushate, edhe pse si praktikë është duke u bërë e zakonshme, sidomos marrë parasysh një veprim të ngjashëm gjatë zgjedhjeve në Drenas, në mënyrë indirekte mund të interpretohet si ndikim në fushatën zgjedhore. Edhe sipas dispozitave kushtetuese, Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, rrjedhimisht, do të duhej që të bënte thirrje për dalje sa më masive ditën e zgjedhjeve, dhe njëkohësisht respektimin e ligjeve dhe rregullave tjera”, është shprehur Cakolli për gazetën “Bota sot”.

Image
Imer Mushkolaj

Mushkolaj: Thaci po keqpërdor pozitën

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, se presidenti Thaçi po e keqpërdor pozitën e tij, duke bërë fushatë për PDK-në.

“Presidenti Thaçi po ndërhyn në fushatën zgjedhore. Takimet me mësimdhënës nuk duhet të mbahen në këtë kohë. Ai po mban takime në komuna të qeverisura nga PDK-ja, duke keqpërdorur pozitën e tij dhe kjo është mbështetje për ish-partinë e tij”, ka deklaruar Mushkolaj.

Në anën tjetër, avokati Adrian Gjoshi ka bërë një krahasim mes Presidentit Thaçi dhe ish presidentes Jahjaga, duke thënë se vizita të tilla do të duhej të evitoheshin.

“Në këtë fazë të ndjeshme, kur jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme, vizita të tilla të presidentit Thaçi, do të duhej të evitoheshin. Aq më tepër, kur presidenti Thaçi, ka qenë themelues dhe figura kryesore e një partie politike që garon në këto zgjedhje. Nëse ish-presidentja Atifete Jahjaga, do të bënte këso vizita, kjo askujt s’do t’i pengonte, sepse ishte apartiake që nga fillimi, të paktën formalisht. Jahjaga, edhe pse fillimisht ishte një figurë publike jo e konsoliduar dhe s’ishte legjitime, megjithatë, politikisht, ishte unifikuese dhe e pranueshme”, është shprehur Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Image
Adrian Gjoshi

Gjoshi: Thaçi nuk zhvishet nga petku partiak

Më tej, ai thotë se nëse vizitat dhe fjalimet e presidentit përbëjnë fushatë apo jo, duhet të trajtohet përmbajtja e fjalimeve, megjithëse vizitat e tij nuk janë të rastësishme.

“Megjithatë, pavarësisht përmbajtjes, duhet pranuar se, presidenti Thaçi, në sytë e elektoratit, vazhdon që më shumë të shihet si person politik, i pa zhveshur nga petku politik, sesa si person i kufizuar në “përfaqësimin e unitetit të popullit të RKS-së”. Prandaj, vetë prania e tij, dhe e kaluara e tij, është mesazh, është thirrje, për votimin e ish partisë së tij. Balotazhi në zgjedhjet lokale në Drenas, nuk mund të shihej as në ëndrrat më të mira dhe as në ëndrrat më të këqija. Megjithatë, ndodhi! Prandaj, vizitat e tilla, në këtë qytet të harruar, nuk duket të jenë të rastësishme. Sa i takon deklaratave të kundërshtarëve politik, se në rast nevoje do ta dërgojnë rastin në gjykatën kushtetuese, këto deklarata duken jo serioze dhe thjeshtë deklarative. Kjo, meqë, nëse kushtetuesja do të gjente se, presidenti ka shkelur kushtetutën; dhe po që se do të shkarkohej nga parlamenti, të gjitha partitë politike, do të detyroheshin të përsërisnin procesin zgjedhor, kështu, duke i humbur mandatet e tyre”, ka thënë avokati Gjoshi.

Image
Rexhep Shahu

Politika në shkollat e Drenasit

Se presidenti Thaçi po bën fushatë me takimet e tij në shkollat e Drenasit, mendon edhe njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu.

“Po përzihet në fushatë dhe po e tepron me këto aktivitete artificiale. Ku ka qene deri tash presidenti. Ky president nuk di të jetë president, ai xhelozon kryetarin e partisë dhe presidenti dëshiron të jetë të gjitha vetë, në të gjitha postet të jetë vetë. E ulët politika që bën në shkollat e Drenasit. Ai nëse do të merret me shkolla e dije le të takojë Akademinë e shkencave, ta lehtësojë albanologjinë, ta ndihmojë Universitetin dhe të mos rendë pas votave si kandidat për deputet, si militant i mjerë partie”, ka deklaruar Shahu për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat