Parashihen “dënime të përjetshme” nga Gjykata Speciale

Politika

Parashihen “dënime të përjetshme” nga Gjykata Speciale

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 8 qershor 2017 Në ora: 14:26
Selia e Gjykates Speciale

“Në kohën kur pretendohen të jenë kryer veprat penale, në Kosovë, nuk ka qenë i paraparë dënimi me burgim të përjetshëm, kurse me ligjin për Gjykatën Speciale parashihet një gjë e tillë. Kjo do të ishte në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, i cili është parim universal”, ka shtuar avokati Gjoshi.

Gjykata Speciale, e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, e që selinë do ta ketë në Holandë, tashmë sa kohë ka paralajmëruar ngritjen e aktakuzave të para, por deri më tani ende nuk është ndërmarrë një gjë e tillë. Së fundit, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova ka dërguar në Kushtetuese për vlerësim nëntë prej rregullave të gjykatës nga Rregullorja e Procedurës dhe të Provave të Speciales, pasi janë rishkruar ato. Kushtetuesja, në fund të prillit 2017, kishte shpallur këto nëntë rregulla, 19, 31, 32, 33, 35, 36, 38, 54, dhe 158 të rregullores së Procedurës dhe të Provave në shpërpushje me Kushtetutën e Kosovës, dhe nenet që garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut.

Kushtetuesja, tash ka kohë deri në 30 ditë për rishqyrtimin e Rregullores, për të siguruar përputhshmërinë e saj me Kapitullin II, përfshirë nenin 55, të Kushtetutës që garanton të drejtat themelore.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, i referoi Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese Rregulloren e Procedurës dhe të Provave pas rishikimit të saj prej gjykatësve të mbledhur në seancë plenare në muajin maj. Referimi bëhet pas rishikimit të nëntë prej 208 rregullave në bazë të Aktvendimit të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 prill 2017.

Image
Mazllum Baraliu

“Gjykata Speciale në kundërshtim me Kushtetutën”

Në lidhje më këtë profesori universitar Mazllum Baraliu ka thënë për “Bota sot”, se Gjykata Speciale e gjitha është në kundërshtim më Kushtetutën e Republikës se Kosovës. Sipas tij është e drejtë e çdo deputeti që brenda mundësive të parapara më rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë të marr çfarëdo iniciative për të përmirësuar gjendjen në legjislacion dhe për të avancuar lidhjet e mundshme më të mira me te.

“Sa i përket gjykatës speciale e tera për mendimin tim është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës edhe gjithë ajo iniciativë dhe Ligji që është miratuar nga deputetët më shumë vështirësi sepse në fillim pati rezistencë të madhe por që më bindje e imponime ndaj deputetëve madje edhe më deklarime  të vetë atyre që ishin eksponent kryesor të pushtetit në atë kohë dhe se është e dëmshme për Kosovën por ja që do duhej ta bënin atë. Vetë ai ligj për Gjykatën Speciale është kundër kushtetues dhe pretendimi më vonesë të madhe pas një kohe të gjatë ngase edhe prej atyre disa që e kanë votuar fillimisht ose edhe ata që se kanë votuar, por tash janë kujtuar që ta rishikojnë dhe ta përmirësojnë në segmente të caktuara ligjin është një veprim “Sui Generis” është një veprim që donë shpjegim dhe studim”, ka thënë profesori Baraliu.

Ai hedh shumë kritika ndaj deputetëve për të cilët thotë se marrin vendime me imponime.

“Se çështje kjo punë më ne, më përfaqësuesit tanë në Kuvend të cilët hera herës shpejt e shpejt pa i analizuar mirë dhe më imponim pra në kundërshtim më mandatin e tyre personal pranojnë që dikush t’ua dhunoj mandatin tua imponoj mendimin ndryshe madje edhe në kundërshtim më kushtetutën. Iniciativa është legjitime por nuk besoj që do të pranohet nga Bashkimi Evropian nga ata që kanë iniciuar dhe imponuar dhe bashkësia ndërkombëtare po ashtu, që e kanë imponuar një zgjidhje që është punë e kryer në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës një krah i thyer që nuk ka kokë as këmbë në  aspektin e drejtës ndërkombëtare të mirëfillta që është  në kundërshtim më gjithë sistemin juridik tonë dhe juridiksionin”, ka shtuar ai.

Sipas Baraliut, varet nga aspekti politik dhe do të shpallen aktakuzat e para.

“Patjetër para dy tre dite është rishqyrtuar nga ajo dhoma që quhet dhoma kushtetuese e gjykatës speciale rregullorja e gjykatës dhe është evituar e cila është konsideruar se është në kundërshtim kinse më Kushtetutën e Kosovës dhe tashmë Gjykata është në funksion të plotë dhe varet nga aspekti politik dhe pritet që të shpallen aktakuzat e para”, ka përfunduar kështu profesori universitar Mazllum Baraliu.

Image
Adrian Gjoshi

Aktakuzat mund te ngritën në fund të vitit

Kurse sipas Adrian Gjoshit, avokat dhe drejtor i Institutit për hulumtime ligjore ALFA, veprimi i fundit nga Trendafilova, është një veprim i duhur pasi shumë çështje procedurale dhe materiale të ligjit për Gjykatën Speciale,  kanë dalë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e aplikuara të Republikës së Kosovës.

“Referimi i nëntë prej rregullave të cilat janë pjesë e Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara në Gjykatën Kushtetuese, është veprimi i duhur pasi shumë çështje procedurale dhe materiale të ligjit për Gjykatën Speciale, kishin dalë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e aplikuara të Republikës së Kosovës. Për ilustrim, në kohën kur pretendohen të jenë kryer veprat penale, në Kosovë, nuk ka qenë i paraparë dënimi me burgim të përjetshëm, kurse me ligjin për Gjykatën Speciale parashihet një gjë e tillë. Kjo do të ishte në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, i cili është parim universal. Rishikimi i këtyre rregullave nga ana e Dhomave të Specializuara bëhet me qëllim që të pamundësohet prishja e aktgjykimeve të kësaj gjykata për çështje bazike procedurale dhe materiale”, thekson avokati Gjoshi.

Sipas tij Dhomat e Specializuara duan që sa më pak të lënë mundësinë që procedurat gjyqësore penale të kthehen në pikën zero.

Sipas Gjoshit, karakteri “sui generis” dhe eksperimentues i kësaj gjykate, ka bërë që shumë çështje të mos kenë pajtueshmëri me standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe me Kushtetutën e Kosovës, por që brenda 30 ditësh sa ka kohë kjo gjykatë, do të dalë më një vendim i cili do të jetë vendimtar dhe qartësues.

“Pas qartësimit të çështjeve se si duhet vepruar në rastet e mungesës së gjykatësve dhe vijimit të procedurave, çështja lidhur me masat hetimore që merr Prokurori i Specializuar, rivlerësimi i paraburgimit dhe çështja që ka të bëjë me lirimin e personave të shpallur të pafajshëm nga trupi gjykues Dhomat e Specializuara do të funksionalizohen tërësisht në aspektin gjyqësor dhe do të jenë të gatshme për kryerjen e procedurave gjyqësore. Sa i takon çështjes së ngritjes së aktakuzave, kjo çështje nuk varet nga Dhomat e Specializuara por nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ku pas harmonizimit të këtyre rregullave me frymën e ligjeve të Kosovës do të plotësohen kushtet që aktakuzat e tyre të mund të trajtohen nga gjykata”,  ka potencuar Gjoshi, ku sipas tij aktakuzat nga gjykata speciale mund të ngritën në fund të vitit 2017 ose në fillim të vitit 2018.

Image
Blerim Burjani

Përpjekje të ndalën proceset

E për analistin Blerim Burjani  kjo çështje është duke u zgjatur vetëm për të ndal procese dhe për të bërë rezistencë.

“Kjo është çështje e kryer, është përpjekje  për të ndal procese dhe për të bëre rezistencë, faktikisht kjo gjykatë solli edhe këto zgjedhje të jashtëzakonshme në një dimension të zhvillimeve ndërkombëtare, ky presion është duke u shtuar dhe nuk ka dalje tjetër pra do të fillojë të ngritën aktakuzat e para në këtë anarki ne shtet, është e vërtetë që këto zhvillime të planifikuara ne Kosovë kanë  shtyrë veprimin e kësaj gjykate deri me tash për shkak të jo stabilitetit dhe rendit dhe ligjit, këta njerëz janë të fuqishëm politikisht edhe financiarisht të bëre nga periudha e pas luftës”,  ka thënë Burjani.

Sipas tij, Gjykata Speciale do at ketë të vështirë të merret me njerëz të cilët kërcënohen me stabilitet.

“Është vështirë të merret kjo gjykatë me këta njerëz të cilët kërcënohen me jo stabilitet dhe çështje tjera, pra nëse kështu shkon mund të këtë më shumë anarki në vend pra ka probleme të mëdha ne këtë temë, Kosova s’ka pas nevojë fare për këto zgjedhje ka pas nevojë për  zgjidhje, më fjalë tjera ka pas tema të shpikura të panevojshme si demarkacioni për të ndal procese dhe për të shtyrë veprimin e gjykatës speciale, kjo është e kotë. Kosova mund t izolohet nderkombetarisht po qe se Kuvendi i ardhshëm apo Gjykata Kushtetuese do të anuloj çfarëdo veprimi të kësaj gjykate”, ka përfunduar  analisti Blerim Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat