Haradinaj nuk mund ta formojë qeverinë, ja kombinimet e koalicioneve që mund të krijohen

Politika

Haradinaj nuk mund ta formojë qeverinë, ja kombinimet e koalicioneve që mund të krijohen

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 qershor 2017 Në ora: 15:11
Ramush Haradinaj

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të kërkuara prej shumë kohësh nga opozita, por edhe nga një pjesë e PDK-së, që ishte në koalicion me LDK-në u mbajtën me 11 qershor, ku pjesëmarrja e qytetarëve ishte  41.34 për qind.

Nga rezultatet e publikuara deri më tani, prin koalicioni PDK-AAK-Nisma me 33.92 për qind, i pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 27.19 për qind, ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa renditet i treti me 25.79 për qind.

Kësisoj asnjëri nga koalicionet apo subjektet politike nuk ka siguruar shumicën që e vetme ta formojë Qeverinë e re.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, mandatari herën e parë caktohet nga koalicioni apo subjekti fitues. Në rast se dështon atëherë, mandati i jepet subjektit apo koalicionit të dytë që siguron shumicën e votave në Parlament. Kështu që, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti, kanë filluar konsultimet për formimin e Qeverisë.

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,  tashmë i ka bërë ftesë LDK-së, së bashku me partitë që ka në koalicion, për formimin e qeverisë.  Kurse kandidati për kryeministër nga PAN,  Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do ta formojë qeverinë dhe do të jetë qeveri e shumicës, derisa në anën tjetër VV dhe koalicioni LDK-AAK-Alternativa kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me PAN-in.

Image
Teuta Haxhiu

AAK: Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër

Lidhur me këtë, kandidatja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se janë në bisedime për formimin e Qeverisë, duke qenë e bindur se ajo do të formohet nga Ramush Haradinaj.

“Jemi në bisedime, momentalisht janë organet e koalicionit që ata vendosin, na njoftojnë edhe neve normalisht, edhe pse jemi struktura, por megjithatë jemi në bisedime. Me rëndësi është që Ramushi do të jetë kryeministër, kjo është në interes të të gjithëve, në interes të qytetarëve të Kosovës mbi të gjitha, pa marrë parasysh edhe partive tjera politike, por më me rëndësi është që Ramushi do të jetë kryeministër. Uroj që sa më parë të bëhet qeveria dhe të fillojë të punojë sepse qytetarët janë lodhur duke pritur dhe kanë nevojë që të shohin punë dhe angazhim për të ecur vendi përpara”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërsa, analistët japin mendime të ndryshme për formimin e qeverisë nga Ramush Haradinaj.

Image
Ramush Tahiri

Tahiri: Haradinaj nuk mund ta formojë Qeverinë

Politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se edhe pse Ramush Haradinaj, që është kandidati i koalicionit PAN,  doli fitues i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, nuk ka mundësi ta formojë qeverinë.

“Me 38-39 deputetë nuk është numër i mjaftueshëm për të bërë vet Qeverinë e as së bashku me deputetët e pakicave aq më parë kur dihet që nëntë deputetët e listës serbe nuk janë deklaruar të gatshëm të hyjnë në koalicion. Mbetet mundësi të bëjë koalicion me LAA që ka 30 deputetë por që do të jetë vështirë pasi LDK u penalizua nga votuesit pikërisht për shkak se hyri në koalicionin trevjeçar me PDK-në, prandaj rihyrja në koalicion duket se do të ishte edhe fundi i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme. Mundësi tjetër do të ishte një koalicion PAN me Vetëvendosjen por tash për tash po tregohet një kundërshtim i panegociueshëm i Vetëvendosjes. Në të dy variantet Ramush Haradinaj do të sakrifikohej dhe nuk do të mund të mandatohej si kryeministër. Varianti i tretë mbetet koalicioni qeverisës Vetëvendosje me LAA dhe me pakicat, pa Listën Serbe që do të kishte 82 deputetë ndërsa me Listën Serbe 91 deputetë. Mjaftueshëm në dy rastet për ndryshime me votim me dy të tretat në Kuvend. Atëherë mbetet të shihet edhe përkrahja ndërkombëtare për Albin Kurtin apo Avdullah Hotin kryeministër”, është shprehur Tahiri.

Më tej, ai tregon se si do të mund të vepronte presidenti në këtë rast për formimin e qeverisë dhe përkrahjen e ndërkombëtarëve.

“Presidenti Thaçi i mësuar edhe nga përvoja e Ivanovit në Maqedoni të drejtën e vet diskrecionale nuk do ta shfrytëzonte për bllokadë dhe për ta çuar vendin sërish në zgjedhje por në harmoni me Kushtetutën mandatin do t’ia jap në kohën e duhur atij që me nënshkrime deputetësh e dëshmon se e ka përkrahjen dhe votat e shumicës në Kuvend që duhet të jenë në secilin rast më shumë se 61 deputetë. Pra, krizë institucionale nuk do të ketë në Kosovë. Në ndërhyrjen e tyre miqtë ndërkombëtarë pritet të shihet se a e konsiderojnë të rrezikshme për stabilitetin e vendit mbetjen e PAN-in në opozitë dhe a e vlerësojnë stabilitetin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit me mbetjen e PAN it në opozitë apo përfshijnë një Qeveri të të gjithëve për të përfunduar edhe temat e obligimet ndërkombëtare në afat të caktuar siç janë Demarkacioni me Malin e Zi, vazhdimi i dialogut me Serbinë, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe puna e Gjykatës ndërkombëtare për UÇK në”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Image
Haki Abazi

Situatë e paparashikueshme

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se të gjitha kartat politike janë në tavolinë dhe se është një garë e ngushtë.

“Është vështirë të paramendohet se si do të lëvizin pozicionet pas përcaktimit të listës së deputetëve dhe për të parë se kush ka hyrë në parlament. Pastaj do të shihet se kush ka hyrë në lista zgjedhore për veten dhe kush për konceptet politike dhe qeverisëse. Ka disa individë që kanë treguar që lëvizin prej një partie në tjetrën dhe për tabore politike për interesa të tyre personale dhe kjo ka mundësi që të vie në shprehje më shumë se kurrë në këtë situatë, gjithashtu mendoj që ka individë të shantazhuar dhe me probleme me ligjin që gjithashtu do të tentojnë të sigurojnë veten nëpërmjet marrëveshjeve për votën. Ajo që duhet kushtuar kujdes të shtuar janë 50 mijë votat e prishura si një indikator se oferta politike e tanishme kështu siç janë partitë nuk e plotëson krejtësisht kërkesën e votuesit. Duhet analizuar demografinë e asaj vote për të determinuar se si ka ndodhur një gjë e tillë”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Elektorati ndëshkoi Ramush Haradinajn

Ndërsa analisti politik Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Ramush Haradinaj u ndëshkua nga elektorati dhe se komandantët e kanë vendin në luftë, ndërsa në paqe nevojiten njerëz të ditur e të urtë.

“Me gjithë dëshirën e mirë që individi Ramush Haradinaj si komandant lufte për deri në përfundimin e luftës, të jetë kryeministër, koalicioni i tij nuk u votua, por u ndëshkua nga populli si koalicioni i komandantëve të pasluftës që luftuan që të pasurohen pas luftës dhe e trajtuan Kosovën si plaçkë që e fituan në luftë. Kosova në fakt nuk është plaçkë e fituar nga këta komandantë por Kosova është vend i lirë falë Amerikës, NATO-s dhe UÇK-së. Nuk besoj se Ramushi mundet të bëjë koalicion të gjerë. Edhe nëse e bën nuk do të jetë koalicion i moralshëm. Zgjedhjet në Kosovë kësaj radhe ngjallën moralin dhe treguan se populli kërkon njerëz të moralshëm e të ndershëm. Nëse duhen komandantë, le të shkojnë në luftë se komandantët janë për luftë, në paqe duhen të urtë e të ditur”, ka deklaruar ai.

Më tej, ai tregon mundësitë që ekzistojnë për bërjen e koalicioneve për formimin e Qeverisë së ardhshme.

“Ramushi nuk bën koalicion me LDK-në sepse është imoralitet. Nuk bën koalicion me VV-në sepse VV bëri fushatë kundër tyre. Unë dyshoj se mund të përsëritet situata e mëparshme kur u detyruan LDK e PDK të hyjnë në koalicion dhe kjo nuk do të pranohet nga populli. VV ka më shumë shanse ta bëjë qeverinë me LDK-në. VV-ja është fituesja morale e këtyre zgjedhjeve, ndërsa LDK dhe PDK janë humbëse të shkëlqyera. Pjekuria politike e popullit në Kosovë fitoi dhe erdhi dita që të mos fitojë frika, u mund frika. PDK e komandantëve të pasluftës ofronte frikë e arrogancë, LDK ofronte zvarritje, VV ofroi qëndresë. VV dha edhe një mësim të madh në këtë fushatë, pohoi se në Kosovë jetojnë shqiptarë, kanë gjuhë shqipe e flamur shqiptar”, ka përfunduar Shahu.

Në ndërkohë, mbetet të priten rezultatet përfundimtare dhe se nga kush do të formohet Qeveria e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat