Presidenca deklarohet se a do ta mandatojë Thaçi Albin Kurtin për kryeministër

Politika

Presidenca deklarohet se a do ta mandatojë Thaçi Albin Kurtin për kryeministër

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 16 qershor 2017 Në ora: 07:11
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Zgjedhjet e 11 qershorit të cilat u mbajtën në Kosovë, rrezikojnë ta qojnë vendin drejtë një bllokade të re politike. Krejt kjo si pasoje që në këto zgjedhje asnjëri nga koalicionet apo subjektet politike që ishin në garë, nuk ka siguruar shumicën që ta formojë qeverinë. Nga rezultatet e deritashme, koalicioni PAN, doli fitues me 34 %, apo 39 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje me 27 % apo 31 deputetë dhe koalicioni LAA me 25 % apo 30 deputetë.

Meqenëse asnjëri subjekt politik nuk ka arritur të sigurojë shumicën, atëherë formimin e qeverisë nuk mund ta bëj asnjëri subjekt politik pa koalicion, edhe me votat e minoriteteve (20 ulëse të rezervuara në parlament).

Ndërsa, të dy kandidatët për kryeministër, Ramush Haradinaj e Abin Kurti tashmë kanë nisur konsultimet me subjektet politike. Kurti, shpreson që Haradinaj të dështoj në formimin e Qeverisë, në mënyrë që të marr mandatin ai për formimin e Qeverisë, duke e pas parasysh që në zgjedhjet e 11 qershorit Lëvizja Vetëvendosje u rendit e dyta sa i përket numrit të votave.

Por, nga shumë analistë është paralajmëruar se Kurtin mund ta bllokojë Presidenti Thaçi, i cili ka në dorë mundësinë që Kurtin ta mandatojë për kryeministër.

Gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar Presidencën, lidhur me mundësinë që Kurtit t’i jepet mandati nga Presidenti Thaçi, në rast se i nominuari nga koalicioni PAN, që doli fitues në zgjedhje, Ramush Haradinaj dështon ta formojë Qeverinë. Presidenca thotë se ata fillimisht janë duke prit çertifikimin e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

“Presidenti nuk mund të ndërmarr veprime pa u bërë çertifikimi i rezultateve zgjedhore. Pas çertifikimit, brenda afateve të përcaktuara, ai do të veprojë në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore”, thuhet në përgjigjen ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, nga Presidenca e Kosovës.

Kurse në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, koalicionit fitues i takon formimi i Qeverisë. Në këtë rast, del që koalicioni PAN, me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj do ta ketë mundësinë e parë për ta formuar qeverinë.

“Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në nenin 95, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Kosovës.

Por në rast se Ramush Haradinaj dështon ta formojë Qeverinë, atëherë, sipas nenit 95, pika 4 të Kushtetutës së Kosovës, mandati duhet t’i kaloj një kandidati tjetër.

““Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtë procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat