Merovci zbulon të vërtetën e mospjesëmarrjes së Haradinajt në debat me Hotin e Kurtin

Politika

Merovci zbulon të vërtetën e mospjesëmarrjes së Haradinajt në debat me Hotin e Kurtin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 16 qershor 2017 Në ora: 08:31
Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti e Albin Kurti

Para zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën më 11 qershor, ishte paraparë që tre kandidatët për kryeministër, Avdullah Hoti, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj të realizonin një debat publik në një nga televizionet tona.

Megjithëse debatit i ishin përgjigjur pro kandidati i koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Hoti, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, një gjë të tillë nuk e kishte pranuar kandidati i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Haradinaj.

Në sqarimin e zyrtarëve të AAK-së, ishte thënë se Haradinaj nuk është i bashkuar debatit, për shkak të një njoftimi të lëshuar nga Komisioni i Pavarur për Media, e që sipas tyre, ky i fundit e konsideronte të jashtëligjshëm një debat të tillë.

Image
Adnan Merovci

Merovci demanton Haradinajn

Por, vet kryetari i KPM-së Adnan Merovci, ka zbuluar se institucioni që drejton nuk ka marrë kurrfarë vendimi për të ndaluar debatin mes liderëve politik, i paralajmëruar para fushatës zgjedhore.

“Ne si KPM nuk kemi marrë vendim. Ka qenë njoftim për media, për vetëdijesim, gjegjësisht për fokusim të fushatës në kohë fushate. Patën filluar shumë debate dhe veprime të fushatës, jashtë kohës së përcaktuar. Por më pastaj kush i pengoi këta liderë që të dalin në debat brenda kohës së fushatës”, ka deklaruar Merovci.

Image
Muhamet Kelmendi

AAK: Debati ishte joligjor

Në partinë e Haradinajt, vazhdojnë të konsiderojnë se çështja e debateve është joligjore.

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, anëtari i AAK-së Muhamet Kelmendi, ka deklaruar se askush nuk mundet askënd ta detyrojë që që shkojë apo të mos shkojë në debat.

Ai si shembull ka përmendur rastin e Ibrahim Rugovës, Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët sipas tij, kurrë nuk kanë qenë në debate.

“Çështja e debateve është një çështje joligjore dhe askush nuk mundet askënd ta detyrojë të shkojë apo të mos shkojë në debat. Në fushatë është bërë traditë që të ketë debate mes subjekteve politike, kandidatëve dhe të nominuarve. Kjo bëhet për të dalur kualiteti. Por, ka raste, mjaft shumë, që nuk bëhen debate. Të përkujtojmë Ibrahim Rugovën, Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Këta kurrë nuk kanë qenë në debate. Kështu duhet shikuar edhe tash mos organizimin dhe zhvillimin e debatit. Nuk është çështja e frikës, por thjeshtë e vullnetit të kandidatëve”, është shprehur Muhamet Kelmendi.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Frika nga humbja, e detyroi Ramushin të tërhiqej

Sipas analistit Faik Krasniqi, nuk ka pas arsye që KPM të marrë ndonjë vendim për të ndaluar debatin mes liderëve politik.

Por, ai ka thënë se Haradinaj, ka qenë i stresuar të futet në debat me Hotin dhe Kurtin, sidomos me këtë të fundit.

“Konsideroj që z. Haradinaj pas lidhjes së befasishme të koalicionit me PDK-në, ka qenë në stres të futet në debat me z.Kurti dhe z.Hoti, e sidomos me z.Kurti që ka pasur me qindra e mijëra argumente për të debatuar. Nga frika e humbjes së debatit, z.Haradinaj e ka parë si më të arsyeshme t’i ik debatit. Kjo edhe ka qenë arsyeja e mosrealizimit të debatit mes tre kandidatëve për kryeministër”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

“Haradinaj, larg nga Hoti dhe Kurti”

Edhe sipas politologut Faton Mehmeti, Ramush Haradinajn e kanë këshilluar këshilltarët e tij që të tërhiqet nga debati, për shkak se sipas tij, ai çalon shumë në aspektin intelektual dhe përgatitor.

“Nuk ka pas asnjë KPM në botë që e ndalon debatin në mes të pretendentëve për kryeministër apo president, në disa vende edhe e kanë si obligim. Pra, debati, është praktikë demokratike, e domosdoshme që po ndodh në vendet më të civilizuara”, ka thënë Mehmeti.

Ai tutje ka theksuar se në aspektin e përgatitjes politike dhe intelektuale, Hoti dhe Kurti qëndrojnë më lart se Haradinaj, prandaj, siç ka thënë ai, Haradinaj është tërhequr nga debati.

“Ramushi nuk është politikan, çdo herë ka rënë në grackën e PDK-së, edhe tani ka rënë përsëri dhe nuk besoj se asnjëherë Ramushi do të bëhet politikan. Kandidatët për kryeministër duhet të jenë të përgatitur, të kenë orientim dhe ide për të realizuar planin e tyre dhe t’i gjejnë njëri-tjetrit gabimet dhe të tregojnë pse është gabim dhe si do e bëjnë ata. Në debate nuk ndeshen individët, por konceptet, idet dhe planprogramet”, është shprehur më tej politologu Mehmeti.

Sipas tij, refuzimi i Haradinajt për debatin, vetëm sa ia ka ulur pikët atij.

“Refuzimi nga ana e Ramushit i debatit, vetëm sa i ka ulur pikët, pra ai e humbi debatin me refuzimin e tij. Klasa politike duhet të piqet, të arrijë nivel perëndimor, ku përmes debateve ndeshen idetë dhe konceptet, e jo akuzat nëpër tubime”, ka shtuar për “Bota sot” Faton Mehmeti.

Image
Naim Miftari

“Koalicioni me SHIK-un, e eliminon Haradinajn si politikan për jetë”

Ndërsa, Naim Miftari, ish anëtar i SHIK-ut, ka thënë se Haradinaj iku nga debati, pasi kështu kanë vepruar gjithmonë zyrtarët e PAN-it.

Ai ka thënë se dy kandidatët e tjerë, janë më të zot në sferën politike dhe ekonomike.

“Ramush Haradinaj i ka ik debatit pasi dy kundërshtarët e tij si kandidatë për kryeministër, janë më të zor në sferat ekonomike dhe politike. Pastaj, Ramushi e din shumë mirë se ka bërë të njëjtin gabim që e bëri Isa Mustafa para tre vitesh, ku nuk ia vuri veshin simpatizantëve të vet. Plus për ballafaqim direkt live, llapsuzat mund të kushtojnë shumë dhe në debat Albin Kurti është mbizotërues, pastaj Avdullah Hoti është ekspert i financave dhe profesor. Çdo ballafaqim public me Hotin dhe Kurtin, Haradinaj do të dilte i humbur dhe i turpëruar”, është shprehur Miftari.

Ai tutje ka thënë se koalicioni me skenaristët e SHIK-ut, është gabimi më i madh i Haradinajt.

“Ky koalicion i Ramushit me skenaristët e shumë fatkeqësive që na i solli pas luftës mafia e SHIK-ut, është gabim i tij. Kjo shtritje dore e krimit të organizuar, definitivisht e eliminon Ramushin si politikan për jetë”, ka përfunduar Naim Miftari për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat