Donika Gërvalla e quajti vrasës, kjo është përgjigjja e Daut Haradinajt

Politika

Donika Gërvalla e quajti vrasës, kjo është përgjigjja e Daut Haradinajt

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 qershor 2017 Në ora: 12:34
Donika Gërvalla dhe Daut Haradinaj

Ditë më parë, Donika Gërvalla, bija e heroit të Kosovës, Jusuf Gërvalla, përmes një postimi kishte pyetur Daut Haradinajn, njëherit vëlla i Ramush Haradinajt, se si e kujton Rexhë Osajn, ushtarin e vrarë të Ibrahim Rugovës, duke e quajtur edhe vrasës Dautin.

Krejt kjo kishte ardhur pasi Daut Haradinaj, përmes një videospoti e kishte kujtuar Presidentin Rugova.

“Po Rexhë Osajn, ushtarin e Presidentit Rugova, si e kujton ky vrasës. Edhe atë me shumë dhimbje? Zgjedhjet në Kosovë e marrin kuptimin e plotë vetëm atëherë kur ligji ia ndalon kandidimin gjithkujt që është i dënuar për një vepër të konsiderueshme penale, e aq më tepër dikujt që është i dënuar për vrasje. Gjithçka tjetër është thjesht farsë”, ka shkruar Gërvalla, përcjellë “Bota sot”.

Image
Daut Haradinaj

Por deklaratën e Gërvallës nuk ka dashur ta komentoj fare Daut Haradinaj.

Ai në një prononcim për “Bota sot” thotë se ka respekt për familjen Gërvalla.

“Unë krejt çfarë mundem me thanë është se kam respekt të veçantë për familjen Gërvalla”, ka thënë Haradinaj, duke mos dashur të komentojë me shumë rreth asaj që ka deklaruar Gërvalla.

Kujtojmë se Daut Haradinaj ishte dënuar me 5 vite burg, dhe grupi i njohur si “Grupi i Dukagjinit”, pjesë e të cilit ishte Haradinaj, ishin dënuar me gjithsej 31 vjet burg për vrasjen e Rexhë Osajt me 3 bashkëluftëtarë tjerë në rajonin e Dukagjinit.

Ndërsa, lidhur me deklaratën e saj, Donika Gërvalla nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës në lidhje me këtë çështje.

Mirëpo, shumë herë, politikanët në Kosovë, të gjendur përballë etiketimeve dhe akuzave të tilla, ata kanë zgjedhur të heshtin.

Haradinaj, Veseli, Thaçi, e shumë politikanë të tjerë janë akuzuar shpesh si vrasës, mafiozë, e bosa të kazinove e udhëheqës të mafias.

Image
Faton Mehmeti

“Veseli kriminel, Haradinaj bos i kazinove”

Lidhur me këtë analisti Faton Mehmeti, thotë se Veseli e di fare mirë opinionin e qytetarëve për të pasi ishte urdhërdhënësi i krimeve dhe kërcënimet ndaj oponentëve të tij. Ndërsa për Haradinajn thotë se është përfolur si bos i kazinove dhe harraqit dhe nuk e ka dëshmuar të kundërtën.

Sipas tij, duke qenë njeri i nëntokës, Veseli ka një biografi jo te pastër.

“Fakti se është indiferent ndaj akuzave për krime është dëshmi e mos reflektimit për të gjitha të zezat që i ka bërë. Derisa Ramushi i përfolur si bos i kazinove dhe haraqit nuk ka dëshmuar asnjëherë të kundërtën, këta të dy i ka bashkuar interesi për të ndarë reketin dhe milionat nga populli i varfër i Kosovës. Kadri krimineli dhe Ramush haraqi janë alfa dhe omega e krimit në Kosovë”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Image
Ismet Haziri

Politika ta ruaj fjalorin, të merret Gjykata

Kurse njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka thënë për “ Bota Sot”, se gjerat e tilla i zgjidhë gjykata, ku sipas tij politika duhet ta ruaj fjalorin e arsyes dhe të unitetit.

“Dilemat e tilla i zgjedh dhe i cilëson gjykata e cila është profesionalë, kompetente dhe e paanshme. Më ketë dua te them se ne do të gabojmë nga perspektivat e bindjeve dhe interesave personale nëse e shpallim kriminale të kaluarën e rezistencës se forcave patriotike dhe atdhedashës. Kështu që politika duhet ta ruaj fjalorin e arsyes dhe të unitetit, ngase shërbimet e huaja duke përfshirë atë serbe edhe në këtë forme mund ta destabilizojnë situatën politike dhe te cenojnë e degradojnë interesin kombëtar, e që është shumë e ditur se cilat janë ambiciet shqiptare”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat