Tronditet koalicioni PAN! Kaq vota i humbi nga viti 2014

Politika

Tronditet koalicioni PAN! Kaq vota i humbi nga viti 2014

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 qershor 2017 Në ora: 08:58
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Pavarësisht se PDK-ja dhe koalicioni PAN e shohin veten si fituese të këtyre zgjedhjeve, ata vlerësohen si humbësit më të mëdhenj të 11 qershorit. Kjo pasi, grupi prej 12 partish nuk arriti të marrë më shumë se 33,92% të votave.

Ky rezultat i pamundëson këtij koalicioni që si i tillë të formojë qeverinë. Andaj këtij grupi partish i duhet edhe një koalicion paszgjedhor për formuar institucionet. Duket se problemet për formimin e qeverisë fillojnë pikërisht tani kur koalicioni PAN do të bllokojë sërish instituionet e vendit dhe funskionalizimin e tyre. Kjo për shkakun se asnjë parti tjetër nuk do të bashkëqeverisë me ta.

Kështu, bashkë me PDK-në janë edhe ky grup partish që llogariten si humbës në këto zgjedhje: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Konservatore e Kosovës, Alternativa Demokratike e Kosovës, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, Partia Socialdemokrate, Balli Kombëtar i Kosovës.

Ndonëse zyrtarë nga këto parti falendëruan qytetarët për përkrahje për ‘fitoren’ e tyre, ata nuk deshën të komentojnë nëse janë fitues apo humbës të këtyre zgjedhjeve.

Kelmendi: PDK-ja, humbësja më e madhe e zgjedhjeve

Image
Muhamet Kelmendi

Zyrtari nga AAK-ja, Muhamet Kelmendi mendon se humbës ishte vetëm PDK-ja, pasi partitë tjera në koalicion kanë mbetur të njëjta me rezultat.

“Tash dihet se koalicioni ka pësuar një humbje relative. Ndërsa, partitë si AAK dhe NISMA, kanë mbetur të njëjta në përqindjen e vitit 2014 ose janë edhe më shumë vota. Dështimi është i PAN pse nuk i ka numrat për qeverisje dhe se ka për detyrë të gjejë partner të ri”, thekson Kelmendi.

Sipas tij, tani ekzistojnë vështirësitë në gjetjen e partnerëve.

“Kushtetuta e ka përcaktuar qartë mënyrën e ndërtimit të qeverisë. Shpjegim të mëtejshëm ka dhe në vitin 2014 edhe Gjykata Kushtetuese. Shpresoj se do të gjenden forca për të ndërtuar një qeveri funksionale. Natyrisht se jo. Edhe pse minoritetet i kanë 20 deputetë dihet se me ata nuk bëhen  numrat”, ka thënë ai.

Sipas Kelmendit, PAN nuk mund të ndërtojë qeveri pa gjetur së paku edhe disa deputetë të subjekteve te tjera.

Dy koalicionet e mundshme

“Se a do të arrijnë këtë mbetet të shihet. Mendoj se juridikisht ekzistojnë dy mënyra të mundshme: PAN dhe LDK ose AKR nëse i ka mbi 5 deputetë; dhe VV dhe LDK e AKR. Pra, opsionet janë të hapura dhe shumë do të varet edhe nga Presidenti, se a do t’ia jep ai mandatin partisë së dytë, nëse nuk ndërtohet qeveria nga PAN”, ka theksuar Kelmendi për “Bota sot”.

Por si humbës këtë koalicion e shohin njohësit e çështjeve politike.

Aliu: PAN humbi 92,664 votues

Image
Luljeta Aliu

Kështu analistja politike Luljeta Aliu, ka thënë për “Bota sot” se rezultatet e këtyre zgjedhjeve si fitues kryesor e nxjerrin vetë qytetarin e Kosovës, sepse ai ka arritur të vetëdijësohet rreth të drejtave, mirëpo edhe detyrimeve të tij për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e proceseve demokratike.

“Demokracia nuk funksionon me qytetarë pasivë e të dëgjueshëm. Përkundrazi, mendimi kritik i një mase qytetarësh të arsimuar dhe të pavarur është sine qua non për avancimin e secilës shoqëri demokratike. Votuesi i Kosovës ka bërë përvojën e nevojshme, por edhe ka përjetuar zhgënjime të mjaftueshme për t’u këndellur dhe për të marrë vendimet e duhura”, ka theksuar ajo.

Sipas Aliut, koalicioni PAN, në bazë të rezultateve preliminare, del si fitues i zgjedhjeve, por me shumëfish votues më pak se zgjedhjet e kaluara.

“Krahasuar me rezultatet e vitit 2014, kur PDK kishte 222,181 votues, AAK 69,793 dhe NISMA 37,680 sosh, të cilat përkthyer në përqindje do të ishin mbi 45 %, rezultatet e këtij viti janë nën pritjet e kalkuluara. Totali i votuesve për koalicionin PAN këtë vit ishte 236,990, pra 92,664 votues më pak se herën e kaluar. Kjo është rënie në shifra, ndaj së cilës nuk mund të qëndrojnë neglizhent asnjëri prej subjekteve të këtij koalicioni. Unë mendoj se përshkrimi i koalicionit si krahu i luftës e dëmtoi koalicioni PAN, sepse 18 vite pas luftës qytetari nuk identifikohet më me narracionin e heroizmave të komandantëve”, ka thënë tutje ajo për “Bota sot”.

Por si humbëse në këtë zgjedhje, ajo e sheh edhe LDK-në.

“Parë nga një perspektivë konceptuale, humbëse ishin partitë, të cilat nuk kanë ditur të përkthejnë kritikat ndaj tyre në një ofertë programore, e cila do kuptohej si zgjidhje e atyre kritikave. Humbja erdhi, sepse partitë filluan më shumë vonesë ta marrin seriozisht kërkesën për ndryshim nga ana e qytetarit. Ndërsa, VV e kapi këtë moment dhe u tregua shumë vigjilente”, ka vlerësuar analistja Aliu.

Burjani: PAN t’ia jap dikujt tjetër postin e kryeministrit, për moseskalim të situatës

Image
Blerim Burjani

Si humbës absolut të këtyre zgjedhjeve, koalicionin PAN e sheh edhe analisti Blerim Burjani. Madje ai ka thënë se ky koalicion duhet t’i jap dikujt tjetër postin e kryeministrit për të evituar eskalimin e situatës në vend.

“Humbës në kuptimin e synimeve gjithsesi, ishte një përllogaritje e dobët dhe një parashikim i dobët i këtij koalicioni e tash shteti ndodhet në të njëjtën gjendje që ishte në 2014, pa qeveri dhe pa numra. Pra, PAN duhet t’ia jep dikujt tjetër postin e kryeminsitrit, në të kundërtën, shteti mund të shkojë në zgjedhje jo më larg se katër muaj, pra nëse veç sërish jep këtë post në rregull, mund të dalë diçka, të nxjerret një qeveri e lodhët me numra, pasi në të kundërtën, shpresat janë të vogla shumë, për këtë koalicion, i cili është fitues me numër jo mjaftueshëm mandatesh”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit nxorën koalicionin PAN-in fitues me vetëm 32% të votave, Lëvizja Vetëvendosje u rendit e dyta me 27% të votave, derisa në vendin e tretë doli koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa me 25 % të votave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat