LDK jep zgjidhjen për krijimin e Qeverisë, PAN dhe Vetëvendosje kundër

Politika

LDK jep zgjidhjen për krijimin e Qeverisë, PAN dhe Vetëvendosje kundër

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 qershor 2017 Në ora: 12:56
LDK, Lëvizja Vetëvendosje

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk kanë sjellë një zgjidhje për formimin e një qeverie stabile dhe kjo për shkak që koalicioni PDK-AAK-Nisma, i cili ka fituar më shumë vota se sa partitë tjera, përsëri nuk i ka fituar 61 mandate për të formuar qeverinë si e vetme.

Mos arritja e 61 madanteve nga koalicioni PAN, por edhe nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja Vetëvendosje, ka rezultuar që partitë garuese duhet të bashkohen që ta formojnë qeverinë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati për formimin e qeverisë fillimisht i ipet partisë me më shumë vota, në këtë rast koalicioni PAN, ndërsa në rast se ata nuk arrijnë të formojnë koalicion me partitë tjera, Presidenti ka të drejtë që edhe një herë t’ua jap mundësinë, e nëse nuk arrijnë atëherë mandati i kalon partisë, e cila arrin të formojë 61 mandate.

Gjersa koalicioni LDK- AKR- Alternativa kanë përjashtuar të formojnë koalicion me PDK- AAK- Nismën, edhe Lëvizja Vetëvendosje e përjashton një koalicion të mundshëm me ta. Mos arritja e koalicioneve për të formuar qeverinë, sipas analistëve do të rezultojë në zgjedhjet e reja apo në krijimin e një qeverie teknike.

LDK ripërsërit: Jo koalicion me PDK-në, më mirë qeveri teknike

Image
Sadri Ferati

Krijimin e një qeverie teknike gjersa të formohen zgjedhjet e reja, e kërkon koalicioni LAA.

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Sadri Ferati ka përsëritur se LDK-ja nuk do të formojë koalicion me PDK-në, mirëpo ata nuk përjashtojnë një qeverisje teknike.

“Jo nuk ka mundësi të ndodh diçka e tillë, koalicion LDK me PAN nuk do të bëjë, përjashtojmë çdo mundësi. Përjashtojmë çdo mundësi të koalicionit, por jo mundësinë që të ketë një qeverisje teknike kalimtare, nuk e pranojë atë mundësi, por koalicion të ndarë, që quhet qeveri kalimtare, kur merren vesh që zgjedhjet do të bëhen shpejt, domethënë që të mos shkojmë menjëherë në zgjedhje”, ka pohuar Ferati për “Bota sot”.

Sipas Feratit, zgjedhjet duhet të ndodhin shpejt, por fillimisht duhet të shkohet me marrëveshje, pra me qeveri teknike.

“Zgjedhjet duhet të ndodhin shpejt, por njëherë shkohet me marrëveshje, domethënë bëhet qeveria e gjallë apo qeveri teknike, si emërtohen është çështje teknike. Mirëpo, koalicionin me PAN-in në çfarëdo forme e përjashtojmë, domethënë një koalicion me PAN nuk do të ketë, unë nuk e besoj që do të ketë”, ka thënë Ferati.

Ndërsa, kundër një qeverisje teknike është koalicioni PAN dhe Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tyre, vendi nuk ka nevojë për qeveri teknike, e as për zgjedhje të reja.

PAN kundër qeverisë teknike: Qeveria me Haradinajn do të formohet

Image
Pal Lekaj

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është shprehur se nuk ka arsye të mendohet për qeveri teknike, pasi që koalicioni i tyre është koalicioni fitues.

“Kosova do të bëhet me qeveri të legjitimuar nga Kuvendi i Kosovës si përfaqësues i popullit. Nuk ka asnjë arsye të mendohet për qeveri teknike, përderisa kemi fitues të zgjedhjeve dhe përderisa do të kemi mazhorancë në Kuvendin e Kosovës ”, ka thënë Lekaj.

I pyetur nëse ka nevojë Kosova për një qeveri teknike dhe sa janë mundësitë që të formohet ajo, Lekaj ka thënë se nuk është e nevojshme, sepse një qeveri do të formohet me Ramush Haradinajn kryeministër.

“Nuk është e nevojshme të ketë qeveri teknike,  sepse Kosova do ta ketë qeverinë të legjitimuar nga Kuvendi bazuar në vullnetin e popullit me Kryeministër z.Haradinajn”, ka deklaruar Lekaj për “Bota sot”.

Selimi: Vetëm Vetëvendosja do të mund ta krijojë shumicën

Image
Rexhep Selimi

Njëjtë sikur koalicioni PAN, ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje përjashton nevojën e Kosovës për një qeveri teknike.

Sipas Vetëvendosjes, ata do ta krijojnë shumicën,  rrjedhimisht  edhe qeverinë.

“Kosova ka nevojë dhe mundësi për qeverinë e shumicës. Vetëm Vetëvendosja do të mund ta krijojë  shumicën, rrjedhimisht edhe qeverinë.  Në këto rrethana nuk ka nevojë për Qeveri teknike”, ka thënë Rexhep Selimi, kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Edhe zyrtari i tyre për medie Shkodran Hoti, ka shprehur një qëndrim të tillë, duke thënë  se nuk ka mundësi që të bëhet një qeveri teknike, sepse sipas tij, ajo do t’i mbante në pushtet ata njerëz.

Sipas Hotit, nuk ka nevojë për qeveri teknike, sepse ashtu mirëmbahet kriza dhe njerëzit e pushtetshëm.

Image
Shkodran Hoti

“Çështja duhet të diskutohet pak, mirëpo jo, në parim jo. Nuk ka mundësi që të bëhet një zgjidhje e tillë, sepse nuk është relevante, sepse ajo do t’i mbante ende këta njerëz në pushtet. Nuk ka nevojë, sepse ky model e mirëmban krizën dhe i mirëmban njerëzit në pushtet. Esenca dhe e mira e këtyre pushtetarëve ka qenë që këta pushtetarë janë ndëshkuar me votë dhe kjo është një sinjal që ky vend ka nevojë për ndryshim”, ka pohuar Hoti.

I pyetur se çfarë do të bëjë Vetëvendosje në rast se nuk do të gjendet një zgjidhje për formimin e qeverisë, Hoti  është shprehur se duhet të gjendet një zgjidhje dhe t’i jepet mundësia Vetëvendosjes për të formuar qeverinë.

“Do të gjendet një zgjidhje, nuk ka ndonjë kuptim të mos gjendet një zgjidhje për shkak se shumica e votës është anti pushtet, anti PDK, anti këtij koalicionit të territ, kështu që nuk ka kuptim që të mos gjendet, duhet t’i jepet mundësia Vetëvendosjes me formuar qeverinë”,  ka përfunduar  Hoti.

Kurse, sipas analistëve formimi i një qeverie teknike do të ishte një gabim nga subjektet politike, mirëpo ata nuk e përjashtojnë mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Gojnovci: Shkuarja në zgjedhje të reja, e panevojshme

Image
Ejup Gojnovci

Analisti Ejup Gojnovci, ka thënë se duhet të formohet një zgjidhje për formimin e qeverisë, e jo një qeveri teknike.

“Mendoj se formimi i një qeverie teknike në rrethanat kur ka shumë kombinatorika në terrenin politik, do të ishte një gabim që do të bënin subjektet politike. Gjithsesi, edhe kjo mbetet një alternativë, dhe, edhe pse nuk do të ishte zgjidhje më afatgjate e situatës, natyrisht do të ishte më pak e dëmshme sesa ta zëmë prolongimi i gjatë i krijimit të institucioneve”, ka pohuar Gojnovci.

Ai e përjashton edhe mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, sepse sipas tij është e panevojshme një gjë e tillë.

“Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, vlerësoj se është e panevojshme, marrë për bazë ofertat e bollshme për krijim të institucioneve. Në një situatë të tillë, do të thoshte abstenim i politikës nga shumë prej problemeve kruciale jetësore të qytetarëve të Kosovës, rrjedhimisht papërgjegjësi e shfaqur nga subjektet politike në vend. Po ashtu, zgjedhjet e tilla nuk është fare e sigurt se do të prodhonin ndonjë rezultat shumë më ndryshe dhe ndoshta edhe pas atyre zgjedhjeve do të ishim po në këtë situatën e tashme. Ky opsion, i cili nuk i konvenon vendit, nuk besoj se u konvenon as vetë partive politike në vend”, ka përfunduar Gojnovci.

Beqaj: Ka mundësi për zgjedhje të jashtëzakonshme

Image
Belul Beqaj

Ndërsa, analisti Belul Beqaj, formimin e qeverisë teknike e konsideron opsion nëse nuk krijohet qeveria, mirëpo Beqaj nuk e përjashton as mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Nëse nuk krijohet Qeveria, formimi i Qeverisë teknike mund të jetë një opsion nëse për këtë pajtohen partitë politikë që nuk kanë mundur të krijojnë  Qeverinë. Mundësia për të shkuar në  Qeveri të përkohshme nuk përjashtohet, por më shumë gjasa ka të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme për shkak se kjo do t'i konvenonte shumë VV, ndërsa të tjerët nuk do të kenë argumente shumë të forta për ta kundërshtuar këtë”, ka pohuar Beqaj.

Sipas Beqajt, një qeveri teknike mund t’i konvenojë shumë VV-së e cila do të rritet, ndërsa nuk i konvenon partive që kanë dominuar gjatë 17- 18 viteve.

“Pikërisht për faktin se një zgjidhje e tillë kalimtare i konvenon shumë VV e cila do të rritet, ndërsa nuk i konevenon partive që kanë dominuar skenën gjatë 17-18 viteve, për shkak se atyre ju nevojiten reforma përmbajtësore dhe kadrovike që nënkupton një proces më të gjatë, vështirë se mund të realizohet por nëse nuk i detyron faktori ndërkombëtar”, ka theksuar Beqaj.

Beqaj ka shtuar se ka mundësi të ndodhin zgjedhjet e jashtëzonshme nëse subjektet politike kanë nxjerrë ndonjë mësim nga mashtrimet e deri tanishme.

“Ka mundësi që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse subjektet politike kanë nxjerrë ndonjë mësim nga mashtrimet e deri tanishme dhe dëshirojnë  t’i kthehen  të vërtetës, e cila është rruga e vetme për politikë afatgjate. Shkuarja në zgjedhje të reja nënkupton rritjen e mëtejme të VV. Por, në anën tjetër, fillon këndellja dhe reformimi i domosdoshëm kadrovik dhe ideologjik i partive që kanë dominuar gjatë 17-18 viteve. Reformat e këtyre partive  do të shkaktonin ngritje të kualitetit të politikbërjes në Kosovë” ka përfunduar Beqaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat