Deputetët me rroga të ‘majme’, të ‘zhytur’ në kredi

Politika

Deputetët me rroga të ‘majme’, të ‘zhytur’ në kredi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 qershor 2017 Në ora: 10:58
Foto ilustruese

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të shtetit.

Në mesin e tyre edhe deputetët kanë deklaruar pasurinë e tyre, shtëpi, banesa, vetura, tokë, hotele. Por, pavarësisht pagës së lartë prej deputeti, shumë prej tyre kanë deklaruar kredi bankare.

Gazeta “Bota sot” ka bërë një përmbledhje të deputetëve që kanë deklaruar kredi.

Deputetët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kredi në bankë, siç u sjellim më poshtë.

Kreditë e deputetëve të LDK-së

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri ka kredi 20 mijë euro.

Deputeti Sadri Ferati ka deklaruar 35,241.47 euro huazim për djalin, ndërsa Armend Zemaj ka hua ndaj një personi fizik 30 mijë euro.

Deputetja Besa Gaxherri ka deklaruar kredi në vlerë prej 15 mijë eurosh, ndërsa bashkëshorti i saj kredi në vlerë prej 31 mijë eurosh.

Një kredi 36 mijë euro e ka deklaruar deputeti Arben Gashi, ndërsa një në vlerë prej 35 mijë euro deputetja Doruntinë Maloku Kastrati.

Ndërsa deputeti Muhamet Mustafa ka tre kredi, një në vlerë 36 mijë euro, një 2 mijë e 800 dhe një 510 euro.

20 mijë euro kredi i ka deklaruar deputeti Naser Osmani, ndërsa deputetja Melihate Tërmkolli ka deklaruar kredi 25 mijë euro.

Ndërkaq, deputetja Njomza Emini ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit kredi 25 mijë euro, Teuta Rugova kredi konsumuese 15 mijë euro dhe një tjetër personale kredi 8 mijë euro, ndërsa Vjosa Osmani kredi në vlerë 10 mijë euro ndërsa bashkëshorti kredi 69,640.31 euro.

E Adem Salihaj ka një pagesë me këste prej 500 eurove.

Kreditë e deputetëve të PDK-së

Në anën tjetër, kredi në vlera të larta kanë edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Deputeti Bekim Haxhiu ka dy kredi që bashkë kapin vlerën e 9840 euro. 43 mijë euro kredi ka deklaruar deputeti Agim Çeku, ndërsa deputetja Blerta Deliu-Kodra ka një kredi prej 10 mijë eurosh.

Ndërsa, deputeti Shaip Muja ka deklaruar detyrim financiar 54 mijë euro për Aparat laserik mjeksor, 60 mijë euro për makinë me leising dhe një kredi 10 mijë euro.

E dy kredi në vlerë prej nga 15 mijë eurosh, gjithsej 39 mijë i ka deklaruar deputeti Shukri Buja.

24,607.50 euro është shuma e kredisë që e ka deklaruar deputeti Besim Beqaj, ndërsa Nait Hasani ka deklaruar kredi 20 mijë euro.

Dy kredi në vlerë prej 55 mijë eurosh i ka deklaruar deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, Safete Hadërgjonaj kredi 25 mijë euro, ndërkaq Zenun Pajazaiti kredi në vlerë prej 50 mijë eurosh.

Kredi personale nuk ka deklaruar se ka ish shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së,  Adem Grabovci, por ka deklaruar kredi të bashkëshortes në vlerë prej 15 mijë eurosh, ndërsa që deputetja Flora Brovina ka një kredi me vlerë 380 euro.

Kreditë e deputetëve të AAK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj në Agjencinë Kundër Korruspionit ka deklaruar kredi në vlerë 75 mijë euro, ndërsa Daut Haradinaj ka tri kredi, një në vlerë 40 mijë euro, një 30 mijë dhe një 10 mijë euro.

Deputeti i AAK-së Ali Berisha ka deklaruar një kredi në vlerë 15.200 euro, Lahi Ibrahimaj dy kredi, njërën 10 mijë e tjetrën 7 mijë euro, ndërsa deputeti Rrustem Berisha ka deklaruar katër kredi, një 5 mijë euro, një 1,308.57 euro, një tjetër 95,948.31 euro dhe të katërtën në vlerë 10 mijë euro.

Kreditë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje

Edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar kredi në vlera mjaft të mëdha.

Deputetja Aida Dërguti ka deklaruar kredi në vlerë 30.672.82 euro, Fisnik Ismaili dy kredi nga 15 mijë euro, ndërsa Mytaher Haskuka dy kredi, një në vlerë 25 mijë dhe një 15 mijë euro.

Tre kredi i ka deklaruar ish deputetja e AAK-së, tani deputete e VV-së, Donika Kadaj Bujupi, një në vlerë 19 .608.00 euro, një tjetër 14,487.40 dhe kredia e tretë në vlerë 5,121.00 euro.

Ndërsa deputetja e VV-së, Besa Baftiu ka deklaruar huazim ndaj një personi fizik 3 mijë e 500 euro.

Kreditë e deputetëve të Nismës për Kosovën

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar një kredi në vlerë prej 40 mijë eurove.

Ndërsa, deputeti Zafir Berisha ka deklaruar 200 mijë euro borxh ndaj personit fizik, ndërsa kredi në bankë 40 mijë euro.

Në anën tjetër ish deputeti i VV-së, tashmë deputet i pavarur, Ilir Deda, ka deklaruar dy kredi, një në vlerë prej 20 mijë euro dhe një në vlerë prej 10 mijë euro.

Kredi ka deklaruar edhe deputetja e Grupit 6+, Duda Balje, dhe atë në vlerë prej 5 mijë e 58o euro, ndërkaq që deputeti Nenad Rashiç ka deklaruar një kredi në vlerë 22 mijë e 680 euro. Kreditë që janë deklaruar nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë qenë për arsye të ndryshme, blerje të shtëpive, banesave, veturave, për shkollim, rinovime e të tjera./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat