Vetëvendosje i përgjigjet LDK-së: Keni dy zgjidhje për formimin e Qeverisë! - Bota Sot
Vetëvendosje i përgjigjet LDK-së: Keni dy zgjidhje për formimin e Qeverisë!

Politika

E mërkurë, 23 gusht 2017

Vetëvendosje i përgjigjet LDK-së: Keni dy zgjidhje për formimin e Qeverisë!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 qershor 2017 Në ora: 13:49
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Ndonëse ditë më parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar se në rast të koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, ata do t’ia kërkojnë VV-së postin e kryeministrit. Megjithatë, zyrtarët nga Vetëvendosje kanë pohuar se posti për kryeministër do të duhej t’i takonte kandidatit të tyre, Albin Kurtit. Ndërsa, zyrtarët e LDK-së nuk kanë dashur të përgjigjen në lidhje me këtë çështje.

Vetëvendosje: LDK ka dy zgjidhje, t’ia zgjas jetën PDK-së, ose të mbështes Kurtin për kryeministër

Image
Faton Topalli

Deputeti i VV-së Faton Topalli ka thënë për “ Bota Sot” se VV, është duke pritur certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, meqë qytetarët e Kosovës kanë përcaktuar me votën e tyre se cilës parti i takon të shkojë në opozitë.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshimin dhe me pjesëmarrjen e tyre me 11 qershor, ata treguan gjithashtu bindshëm se kënd e duan për kryeministër.

“Ky vendim i qytetarëve nuk mund të ndryshohet, sepse Albin Kurti do të jetë kryeministër. Mendoj se i takon LDK-së të vendosë se a dëshiron t’ia zgjas jetën atyre që shkatërruan shtetin, apo ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta pranojnë Albin Kurtin për kryeministër. Ne nuk bëjmë pazare me interesat e vendit, por punojmë për të mirën e vendit”, ka thënë mes tjerash deputeti Topalli.

Mehmeti: Vetëm LDK-ja mund ta largojë nga pushteti klanin “Pronto”

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka pohuar se në politikë janë numrat ata që e bëjnë diferencën dhe sipas tij, në këtë logjikë është e pritshme që LDK-ja të kërkojë postin e kryeministrit.

Image
Faton Mehmeti

“Në këtë rast, LDK-ja ndodhet në komoditet pasi nuk ka presionin e fituesit ose të partisë së dytë fituese për të formuar qeverinë dhe kjo e sjellë në një situatë që ose të marr atë që e dëshiron, ose të shkojë në opozitë. Personalisht, mendoj se më e mira për LDK-në në këtë fazë është shkuarja në opozitë, pasi kësaj partie i duhen reformat pas debaklit që pësojë në zgjedhje”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, në rast se PAN nuk arrin të formojë qeverinë, potezi më i mirë politik për LDK-në do të ishte që të shkojë në opozitë, por të votojë kandidatin e VV për kryeminstër.

“Kjo do t’i mundësonte që edhe të largonte PDK-në njëherë e përgjithmonë nga pushteti dhe në të njëjtën kohë do t’i mundësonte asaj që të reformohet në opozitë. Kjo do të sillte poena politike për LDK-në, që edhe e largon PDK nga pushteti, por edhe vetës i bën mirë duke u reformuar. Tek qytetarët do të rikthejë besimin në LDK-në e dikurshme, e cila i përmbahet parimit për rivalitet me PDK-në si e keqja më e madhe në këtë vend, si dhe do të arrinte të rikthente votuesit e humbur gjatë këtyre viteve në bashkëqeverisje me PDK-në”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka vlerësuar se çdo qëndrim më tutje i LDK-së në pushtet do t’i pamundësonte kësaj partie të reformohet.

“Mendoj se tani është koha për reflektim brenda LDK-së dhe jo marrje pushteti, pasi asnjë parti nuk reformohet në pushtet, por në opozitë. Gjithsesi, primare është largimi i klanit " Pronto " nga pushteti dhe këtë mund ta bëjë LDK-ja, nëse nuk e bën qoftë edhe duke e votuar VV e vetë të qëndrojë në opozitë, asaj do t’i faturohet edhe më tutje në zgjedhje, sepse fati i LDK-së është në duart e saj”, ka thënë Mehmeti.

Burjani: Gjasat për të luajtur me postin e kryeministrit, minimale

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani, ka vlerësuar se të gjitha këto mund të jenë të mundshme, por siç ka theksuar ai, nuk duhet harruar se këtë nuk e lejon assesi Kushtetuta e shtetit.

Sipas tij, një gjë e tillë është provuar edhe dikur rreth vitit 2014 nga VLAN dhe ka rezultuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese që ka ndaluar këtë.

“Kjo Gjykatë nuk bën më interpretim për këtë çështje, sepse ka një vendim përfundimtar. LVV edhe ashtu nuk do të jep postin e kryeministrit meqë dihet se gjasat për të luajtur në këtë janë minimale dhe në fund të fundit e gjithë kjo varet nga vullneti politik dhe nga interesi”, është shprehur Burjani.

Haziri: LDK-ja, parti e kujtesës historike

Image
Ismet Haziri

E njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, ka thënë se LDK-ja do të jetë parti e kujtesës historike si një lëvizje gjithëpopullore, ku gjenerata e mesme dhe ajo e moshës së tretë ta kujtojnë me nostalgji.

Ai ka theksuar se LDK-ja nuk e ka asnjë arsye që të merret me Kadri Veselin dhe as me PDK-në, ngase sipas tij, sa herë që është përfshirë rreth tyre, ajo gjithmonë ka pësuar debakle, që nuk do t’ia dal hiq më lehtë as në këtë rast.

“VV si parti më e madhe, me ambicie dhe premtime me plot ngjyrime shtetërore e kombëtare, e ka shansin që të formojë një qeveri edhe me të tjerët. Pra, do të ishte mirë që të provohet energjia, guximi, dhe mençuria e gjeneratës së re të Kosovës”, ka thënë Haziri.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test