Bllok koalicionit me PDK-në, LDK-ja nuk sakrifikohet më

Politika

Bllok koalicionit me PDK-në, LDK-ja nuk sakrifikohet më

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 qershor 2017 Në ora: 15:09
Kandidati për kryeministër i LDK-AKR-Alternativa, njëherësh ministri i Financave, Avdullah Hoti me kryeministrin Mustafa

Koalicionet e mundshme pas zgjedhore për formimin e Qeverisë janë çështja që po diskutohet më së shumti aktualisht. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka përjashtuar çdo koalicion të mundshëm me PAN-in, dhe aty ku është PDK, por ka lënë mundësinë e hapur për bashkëpunim me subjektet tjera, pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

“Në asnjë rast”, LDK nuk bën asnjë lloj marrëveshje me PDK-në. LDK-ja nuk ka vota as për Haradinajn e as për Kurtin kryeministër”, ka thënë Mustafa, duke lënë mundësinë të hapur për bisedime me të tjerët, përveç PDK-së, me kusht që LDK të marrë postin e kryeministrit.

Por edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ka vija të kuqe ndaj koalicionit PAN për të bërë koalicion, nga Partia Demokratike Kosovës thonë ndryshe.

Zyrtari i PDK-së, Rrustem Mustafa ka thënë se kanë biseduar për marrëveshje politike për formimin e Qeverisë dhe se i kanë numrat.

“Me LDK-në kemi biseduar për marrëveshje politike, sepse për numra s’ka nevojë, ekzistojnë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se PAN ka fituar dhe nuk ka pse të ikë nga fitorja e të shkojë në opozitë. Por, ekzistimin e një marrveshje të tillë është mohuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Image
Besa Gaxherri

LDK nuk sakrifikohet më

Deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri ka mohuar çdo marrëveshje me PDK-në dhe mundësinë për të qeverisur sërish bashkë, duke thënë se nuk di se për çfarë marrëveshje ka folur Rrustem Mustafa.

“Vetë kryetari i LDK-së e ka dhënë sqarimin se LDK-ja nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj marrëveshje me PDK-në. Çfarë ka thënë Remi dhe me kënd ka bërë marrëveshje Remi, unë nuk e di. Unë e di çka thotë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe çka unë personalisht veproj. Por për të folur për koalicion, me përjashtim që ne nuk do të kemi asnjë lloj marrëveshje me PDK-në, është herët, duhet të presim rezultatet që të certifikohen e pastaj të fillojnë negociatat dhe të vijnë procedurat administrative, siç shkojnë ato”, ka deklaruar Gaxherri për gazetën “Bota sot”.

Më tej ajo ka shtuar se PDK-ja e ka rrëzuar një qeveri pjesë e të cilës ka qenë dhe kjo e tregon se sa ju intereson shteti, duke thënë se LDK-ja më nuk do të sakrifikohet për procese.

“Nuk dua të mendoj as të lodh kokën se çka mendojnë ata. Të gjithë e dinë se çka mendojnë ata dhe sa ju intereson shteti dhe proceset në këtë vend. Normal që ata gjithë rrugëtimin e tyre e kanë çuar me shantazh dhe intriga dhe atyre absolutisht nuk ju intereson që të jenë konstruktiv asnjëherë, sepse po të ishin të tillë nuk do ta kishin prishur qeverinë në të cilën kanë qenë vetë pjesë e saj, qeveri e cila ka bërë punë të mrekullueshme. Atyre nuk ju intereson kjo, ju interesojnë shantazhet dhe intrigat dhe le të merren me to. Kësaj radhe Lidhja Demokratike më nuk do të sakrifikojë elektoratin e vet dhe vet subjektin e vet për procese. Kemi qenë gjithmonë ne subjekt që kemi sakrifikuar për çdo proces në vend, tash është një situatë tjetër, elektorati na ka votuar për të qenë në opozitë dhe tash duhet të presim. Nuk kemi të bëjmë me deklarata të askujt. Po e theksoj që më vjen shumë mirë që Lidhja Demokratike e ka këtë qëndrim, i cili më përshtatet dhe pajtohem plotësisht, në të kundërtën qëndrimi dhe vota ime nuk është me PDK-në”, është shprehur ajo.

Image
Teuta Haxhiu

AAK në pritje të rezultateve finale

Në anën tjetër, kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu ka thënë se nuk di për një marrëveshje të tillë, por që sipas saj do të formohet Qeveria Haradinaj.

“Nuk e di. Por ajo që e di është se qeveria do të ndodh, qeveria Haradinaj do të bëhet, normalisht që këtë e di dhe presim daljen e rezultateve definitive, finale, në mënyrë që të ecim sa më parë sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka deklaruar Haxhiu për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Hoti

Qeveria të formohet sa më shpejtë

Duke mos i komentuar deklaratat e tilla për një marrëveshje mes koalicionit PAN dhe LDK-së, anëtari i kryesisë së Nisma për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë se pritet formimi i Qeverisë, çështje kjo që është e Ramush Haradinajt.

“Jemi duke pritur konfirmimin zyrtar të rezultateve nga KQZ, jemi në pritje. Besoj se duhet të reflektojnë të gjithë që të formohet sa më parë Qeveria dhe kjo është një çështje direkte e kandidatit tonë për kryeministër, Haradinaj. Sigurisht Haradinaj ka kontakte dhe do të vazhdojë kontaktet që të formojë qeverinë në një afat të shpejtë dhe të krijojë një qeveri stabile dhe të efektshme për vendin. Nuk i komentoj as deklaratat e Rrustem Mustafës as pjesën e LDK-së”, ka thënë Hoti për “Bota sot”.

Image
Ramush Tahiri

Nuk ka qeverisje LDK-PDK

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri mendon se nuk do të ketë më qeverisje PDK-LDK, pasi nuk është në interes të dyjave të qeverisin bashkë.

“Nuk besoj se më do të ketë koalicion qeverisës PDK-LDK sepse kjo do të kishte pasoja katastrofale për LDK-në sepse u konsumua gjate tri viteve të kaluara dhe LDK-ja mori përgjigje nga elektorati duke humbur besimin. Elitat politike më nuk do të mund të anashkalojnë as nëpërkëmbin votën e qytetarit, për këtë konsideroj se nuk është në interes të dy partive kundërshtare ideologjikisht të qeverisin bashkë sepse humbet sensi i opozitarizmit. Mund të ndahet një grup si në çdo parti që për interesa vetanake nën mbështjelljen me interesa kombëtare e madhore të bërjes marrëveshje me PAN-in që është e kuptueshme”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat