Vetëvendosje thirrje për koalicion: Bashkë me LDK-në mund ta dërgojmë PDK-në në opozitë

Politika

Vetëvendosje thirrje për koalicion: Bashkë me LDK-në mund ta dërgojmë PDK-në në opozitë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 qershor 2017 Në ora: 13:21
Zëdhënësi i VV-së, ka pohuar se për të dërguar PDK-në në opozitë, duhet që LDK-ja bashkë me partitë e tjera në koalicion, t’iu përgjigjen negativisht kërkesës për koalicion me PDK-në.

Derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar ende rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura me 11 qershor, partitë politike kanë nisur tashmë negociatat për formimin e një koalicioni të madh, me të cilin do t’i sigurojnë numrat për formimin e Qeverisë së re. Dy ditë më parë, Lëvizja  Vetëvendosje i ka bërë ftesë publike koalicionit LDK-AKR-Alternativa, që para certifikimit të rezultateve të takohen për të biseduar rreth formimit të Qeverisë.

Megjithëse për takimin e tyre nuk është dhënë ende asnjë informatë më shumë, një koalicion i mundshëm mes LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë përkrahjen edhe të Partive Popullore Evropiane.

Në një komunikim zyrtar të një deputeti gjerman në Parlamentin Evropian, është bërë e qartë se Partitë Popullore Evropiane, përfshirë edhe Doris Pack, i japin përkrahje ndërtimit të qeverisë nga Albin Kurti dhe Lidha Demokratike e Kosovës.

Ndërsa, në një takim të zhvilluar ditë më parë mes ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie dhe delegacionit të Lëvizjes Vetëvendosje,  ambasadori citohet të ketë thënë se Ëashingtoni “do të bashkëpunojë me atë qeveri që i siguron numrat, pra 61 deputetë”.

Image
Sadri Ferati

Ferati: Ndërkombëtarët nuk po shohin pengesa për koalicionin LDK-VV

Duke komentuar deklaratat e ambasadorit Delaëie dhe Partive Popullore Evropiane, Sadri Ferati nga LDK, ka thënë se kjo po dëshmon se ata nuk shohin pengesa në formimin e koalicionit mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Por, ai ka hezituar të tregojë nëse LDK ka nisur tashmë bisedimet me Vetëvendosjen, derisa ka përjashtuar çdo mundësi të formimit të një koalicioni me PAN.

“Realisht kjo është më tepër  pasi ata nuk shohin pengesa në rast se formohet një koalicion i tillë, por se a ka biseda në mes të LDK-së dhe VV-së për koalicion dhe cila është gjendja, nuk kam informacione. Mirëpo, ajo që thonë Partitë popullore Evropiane dhe SHBA-të, nënkupton se kjo është çështje e qytetarëve të Kosovës. Pra, qytetarët e Kosovës, vendosin për koalicionin. Me këtë koalicion çfarë është PDK-AAK-Nisma, LDK nuk do të shkojë në qeveri me këta. Por a do të shkojë në opzitë, apo ka vend për të biseduar me Vetëvendosjen, këtë po i’a lëmë kohës”, ka deklaruar Sadri Ferati për gazetën “Bota sot”.

Image
Shkodran Hoti

Vetëvendosje: Bashkë me LDK-në mund ta dërgojmë PDK-në në opozitë

Ndërsa, në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë thënë se është e rëndësishme që PDK të shkojë në opozitë.

Duke folur në një prononcim për “Bota sot”, zëdhënësi i VV-së Shkodran Hoti, ka pohuar se për të dërguar PDK-në në opozitë, duhet që LDK-ja bashkë me partitë e tjera në koalicion, t’iu përgjigjen negativisht kërkesës për koalicion me PDK-në.

 “Ne kemi dhënë qëndrimin tonë në konferencat e fundit për media por edhe në deklarime të tjera, kemi thënë që është tejet e rëndësishme që partia që duhet të shkojë në opozitë është PDK-ja dhe ajo duhet të shkojë në opozitë. Kjo sigurisht që është e mundshme nëse edhe LDK-ja me partitë e tjera, të cilat janë në koalicionin e madh me të, i përgjigjen negativisht kërkesës për koalicion me PDK-në. Mu për këtë, ne tashmë i kemi bërë ftesë publike LDK-së për t’u takuar dhe për të biseduar për modalitetin, i cili  do ta mundësonte një qeverisje të re, normalisht me PDK-në në opozitë”, është shprehur Hoti.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Vetëm LDK-VV mund ta çlirojnë vendin nga klani “Pronto”

Ndërkaq, sipas analistit politik Jeton Kelmendi, deklaratat e SHBA-ve dhe Partive Popullore Evropiane, janë shumë të rëndësishme për skenën politike në Kosovën, e cila siç ka thënë ai, duhet t’i marr shumë seriozisht.

“Në radhë të parë deklarata e ambasadorit të SHBA-vë në Kosovë Greg Delaëie, se qeverinë duhet ta bëjë ai që i ka numrat, mendoj se është shumë demokratike, logjike dhe e arsyeshme, dhe po ashtu edhe deklarata e dytë që vjen nga Partitë Popullore Evropiane, ku thotë se LDK bashkë me Vetëvendosjen duhet ta bëjë qëverinë”, ka vlerësuar Kelmendi.

Ai ka thënë se deri më tani është parë se çdo kombinim që bashkëpunon me atë që ai e ka quajtur parti të klanit “Pronto”, nuk mund ta çlirojë vendin nga krimi dhe korrupsioni. Prandaj, sipas tij, koalicioni mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, është e vetmja shpresë që do t’i luftojë të këqijat në vend.

 “Realisht kemi parë deri më tani se çdo kombinim që bashkëpunon me partinë e klanit “Pronto” nuk mund ta çlirojë dhe ta çkap shtetin, prandaj është e vetmja shpresë që LDK-ja duhet ta pranojë disfatën e vet dhe t’i shërbejë popullit, sepse ka qenë pjesë e institucioneve se fitues i këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti. Partia e tij është bindshëm më e madhja në vend. Prandaj, mendoj se LDK duhet medoesmos të futet pa asnjë mëdyshje në koalicion me Vetëvendosjen. Natyrisht po flas jo vetëm për LDK-në, por edhe për AKR-në dhe Alternativën dhe kësisoj do t’i kenë 61 deputetë pa minoritete, prandaj ajo është një qeveri stabile, mund ta luftojë krimin dhe të këqijat e vendit”, është shprehur Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se çdo kombinim tjetër mes partive politike, do të jetë improvizim.

“Çdo kombinim tjetër mendoj se është improvizim, ajo që nuk i duhet Kosovës hiq, është ajo që qeverinë ta bëjë koalicioni rreth “Prontos”, që përbëhet nga PDK-AAK-Nisma, parti të cilat janë me ideologji të majtë dhe që dihet që në kohën e tyre pushteti është zhvatur, ndërsa institucionet janë keqpërdorur, pra janë parti të cilat janë të inkriminuara në korrupsion dhe në gjëra të tjera të jashtëligjshme”, ka thënë tutje analisti Kelmendi.

“Kurti kryeministër, LDK-gjysmën e Qeverisë”

Sipas tij, Kosova do të përfitonte shumë me qeverisjen LDK-Vetëvendosje dhe Albin Kurtin kryeministër.

 “Mendoj se LDK duhet të jetë e vetëdijshme dhe të mos dalë e papërgjegjshme. LDK duhet të çlirohet nga gama e vjetër, disa i ka dënuar populli, të tjerët duhet t’i largojë kryesia dhe duhet të sillet një frymë e re. Së bashku me Vetëvendosjen, kam bindjen që Kosova do të përfitonte shumë me ta në të gjitha proceset. Kryeministri natyrisht se i takon Albin Kurtit, pasi është lideri më i votuar dhe qytetarët kanë votuar për ndryshim.  LDK mund t’ia kërkojë gjysmën e qeverisë, ndërsa me këtë kombinim kreu i Kuvendit, sipas interpretimit totalisht të gabuar të Gjykatës Kushtetuse i takon shumicës parlamentare, të koalicionit PAN, ndërkaq qeverinë duhet ta formojë Vetëvendosje me koalicion LAA, në mënyrë që vendi të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni”, ka shtuar Kelmendi.

Ai ka parashikuar që Qeveria e re do të zgjas vetëm dy vjet dhe më pas do të shkohet sërish në zgjedhje.

“Kjo qeveri do të zgjas deri në dy vjet, nuk do të shkojë më gjatë, për faktin se nuk është shumë e natyrshme për shkak të dallimit të qëndrimve të tyre, njëra e djathtë tjetra e majtë. Pastaj LDK-ja ka mundësi të reformohet dhe të shkojë në zgjedhje me njerëz të ri”, është shprehur më tej Jeton Kelmendi.

Frika nga zgjedhjet lokale

Por, sipas tij, janë zgjedhjet lokale ato që po e prishin balancin qeveritar, pasi siç ka thënë ai, LDK-ja është e frikësuar nga Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit, ia ka marrë shumicën e komunave të mëdha.

“Unë jam skeptik se kjo do të ndodh, pasi janë afër zgjedhjet lokale dhe LDK është e frikësuar nga VV, sepse kjo ia ka marrë të gjitha komunat e mëdha, si Prishtinën, Ferizajn, Gjilanin.. LDK do të shkonte në një koalicion të tillë po të mos ishin zgjedhjet lokale. Zgjedhjet lokale po e prishin këtë balanc qeveritar. Vetëvendosje nuk shkon në opozitë, ndërkaq të shkohet në zgjedhje të reja sërish është e dëmshme për Kosovën, por gjithsesi do të jetë shumë e mirë për Vetëvendosjen, sepse në rast se shkohet në zgjedhje të reja ajo, do të dal subjekti i parë dhe do ta mund vetëm koalicionin PAN”, ka përfunduar analisti Jeton Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat