Vetëvendosje, porosi Haradinajt: Kuptoje se historia jote ka përfunduar kur të njihnin me nofkën “Smajli”

Politika

Vetëvendosje, porosi Haradinajt: Kuptoje se historia jote ka përfunduar kur të njihnin me nofkën “Smajli”

Nga: A.Zh Më: 23 qershor 2017 Në ora: 22:25
Ramush Haradinaj

Kandidati për Kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma Ramush Haradinaj, ka deklaruar sonte se PAN i ka siguruar numrat për formimin e qeverisë.

Ai ka thënë se  se nuk bëhet fjalë për kontrabandim të deputetëve, por për vullnet të lirë të bazuar në respekt.

“Ajo që mundem me konfirmu sot është që ne votë kemi për Qeverinë, 61 + e kemi me votë të dakordume, të konfirmume me pakicat dhe deputetë të tjerë të zgjedhur. Duhet të gjithëve me ju thanë: Bëhuni gati për një Qeveri Haradinaj. 4 vjet keni me e pasë në Kosovë. Bëhuni gati me i pranu rezultatet e kësaj Qeverie se ka me qenë e mirë për fëmijët tuaj”, ka deklaruar Haradinaj në “Argument plus”.

Por, ndaj tij ka reaguar menjëherë Lëvizja Vetëvendosje, përmes zyrtarit të saj për media, Shkodran Hoti, përcjell Bota sot.

Hoti, në një postim në Facebook, ka thënë se këmbëngulësia e Haradinajt për t’u bërë kryeministër i Kosovës, është e pakuptueshme, madje është një “lloj çmendurie”.

Sipas Hotit, Haradinaj duhet ta kuptojë se historia e lavdishme e tij ka mbaruar gjatë kohës kur njihej me nofkën "Smajli".

 Ai ka shtuar se figura e Haradinajt, po bëhet gjithnjë e më tragjikomike, përcjell Bota sot.

“Sinqerisht është rast për studim ky insistimi i Haradinajt për postin e kryeministrit tash e sa vite. Disi sikur ka filluar të besojë se i takon gjithsesi ai post, në çdo variant. Këmbëngulësia e tij është e pakuptueshme dhe një lloj çmendurie. Haradinaj duhet ta kuptojë se historia e lavdishme e tij ka mbaruar gjatë kohës kur njihej me nofkën "Smajli". Në politikë, figura e tij secilën herë po bëhet më tragjikomike”, ka shkruar Shkodran Hoti në Facebook./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat