“Qeverinë e re e formon Vetëvendosje me koalicionin LAA”

Politika

“Qeverinë e re e formon Vetëvendosje me koalicionin LAA”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 qershor 2017 Në ora: 08:53
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit kanë nxjerrë renditjen e koalicioneve dhe subjekteve politike, por partitë thonë se po i presin rezultatet përfundimtare për formimin e qeverisë.

Në ndërkohë, ato po flasin edhe për koalicionet e mundshme që mund të bëhen për të qeverisur vendin.

Derisa koalicioni PDK-AAK-Nisma thotë se si fitues do ta formojnë qeverinë, Lëvizja Vetëvendosje thotë se qeverinë do ta formojë ajo pasi është partia fituese, e këtu po flitet edhe për koalicion me LDK-AKR-Alternativën, për të qeverisur Kosovën.

Duke pasur parasysh situatën e vitit 2014 kur vendi ishte në krizë institucionale për gjashtë muaj, sa ekziston rreziku që një gjendje e tillë të përsëritet, në qoftë se nuk formohet qeveria.

Lidhur me këtë, LDK dhe PDK nuk kanë dashur të komentojnë.

LDK: Po presim rezultatet e zgjedhjeve

Image
Arben Gashi

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Arben Gashi ka thënë se po presin rezultatet dhe se nuk ka koment.

“Nuk kam koment për këtë. Po presim certifikimin e rezultateve dhe të shohim”, është shprehur Gashi për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, kandidati për deputet nga PDK, Zenun Pajaziti nuk ka dashur të prononcohet, duke thënë se nuk qëndron edhe shumë mirë me informacione.

Hoti: Qeverinë e re do ta formojë Vetëvendosje me koalicionin LAA

Në anën tjetër, zyrtari për media nga Lëvizja Vetëvendosje, Shkodran Hoti mendon se nuk duhet të ketë bllokadë institucionale, pasi Vetëvendosje duhet ta formojë Qeverinë dhe për këtë koalicioni më i mirë do të ishte me LDK-AKR-Alternativën.

Image
Shkodran Hoti

“Zgjedhjet e 11 qershorit i kanë dhënë ato rezultate që e pasqyrojnë ndëshkimin për partitë që kanë qeverisur vendin deri më tani. Rrjedhimisht këto zgjedhje e afirmojnë nevojën për ndryshim, këto zgjedhje e kanë nxjerrë partinë e parë Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është më lart se partitë e tjera me numër të deputetëve dhe mbi të gjitha këto zgjedhje e shprehin një nevojë që e kemi një model të ri të qeverisjes që në të njëjtën kohë Partia Demokratike e Kosovës është në opozitë. Pra, sa po shihet deri më tani, koalicioni që ka dalë i pari, me numra të pamjaftueshëm për ta bërë qeverinë, duket që nuk i ka numrat dhe në rast që has në refuzimin, siç ka hasur deri më tash të partive tjera, mendoj që nuk ka më arsye që të ketë bllokadë. Pra, duhet të kuptohet që qeverinë nuk mund ta bëjë partia e 3 apo 4, por do të duhej ta bënte Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë, me një koalicion potencial me koalicionin LDK-AKR-Alternativa”, ka deklaruar Hoti për gazetën “Bota sot”.

“Koalicioni i territ, s’mund ta mbajë peng më Kosovën”

Tutje, ai ka thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma nuk duhet ta mbajë peng fatin e Kosovës, pasi sipas tij, ata i kanë sjellë mjaft të këqija vendit.

“Mendoj që situata apo realiteti politik është i tillë që do të duhej të mos ngulte këmbë koalicioni i cili në fakt, është koalicion i interesave, koalicion i territ, koalicion i cili i ka sjellë vetëm të këqija Kosovës, pra për çdo bllokadë janë tri partitë që nuk i kanë numrat dhe nuk mund ta mbajnë peng fatin e Kosovës, e kam fjalën për PDK-në, AAK-në dhe Nismën. Tash është e qartë se cila është partia e parë në vend dhe është e qartë se e drejta për formimin e qeverisë duhet t’i takojë Vetëvendosjes”, është shprehur zyrtari për media i VV-së.

Abazi: Specialja eviton destabilizimin e situatës

Se nuk do të ketë bllokim të institucioneve mendon edhe njohësi i çështjeve aktuale në vend, Haki Abazi.

Image
Haki Abazi

Ai ka thënë se partitë politike nuk kanë guxim për të thelluar problemet me ligjin, në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, derisa ka theksuar se nëse nuk formohet qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Nuk e besoj që do të ketë bllokim të procesit. Po duket që nëse nuk formohet qeveria e re, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja komunale dhe qendrore bashkë apo një formë tjetër të kombinimit. Nuk e besoj që para se të fillojë veprimin Gjykata Speciale kushdo të merr guximin për të thelluar problemet me ligjin dhe të shkaktojë situatë destabiliteti si në vitin 2014. Nuk jam shumë i sigurt që as faktorët e jashtëm janë të interesuar në jostabilitet edhe pse kanë mundësinë për të bërë një gjë të tillë, sepse nuk ka disponim tek njerëzit që ajo gjë të bëhet. Edhe militantët politikë që dikur ishin në gjendje të dalin në rrugë për të djegur flamuj dhe objekte më nuk janë ata të njëjtit, sepse e kanë parë që në fund të fundit ata janë humbësit më të mëdhenj përderisa njerëzit në pozita kyçe përfitojnë për veten dhe interesin e tyre personal”, ka deklaruar Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat