Rama përballë Bashës! Analistët flasin se cili do të jetë fituesi

Politika

Rama përballë Bashës! Analistët flasin se cili do të jetë fituesi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 qershor 2017 Në ora: 15:18
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen të dielën (sot), ndërsa fushata elektorale është mbyllur të premten.

Gjersa  partitë politike në Shqipëri kanë pasur mundësinë që deri mbrëmë vonë të përmbyllin fushatën e tyre për ta bindur popullin për votën e tyre, analistët politikë shqiptarë kanë folur për  fituesin e mundshëm të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Shahu: Zgjedhjet i fiton Basha

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik, Rexhep Shahu, ka thënë se zgjedhjet e së dielës do t’i fitojë Partia Demokratike, në krye me Lulzim Bashën.

Shahu, duke folur rreth partisë fituese të zgjedhjeve, është shprehur se PD-ja do t’i fitojë, sepse Edi Rama, sipas tij, vetëm është tallur me njerëzit dhe qeverisja e tij ka qenë “fasadë”.

“Unë besoj se zgjedhjet në Shqipëri do t’i fitojë Partia Demokratike dhe kryeministër do të jetë Lulzim Basha. Kjo për arsyen se Edi Rama është tallur përgjithësisht me njerëzit, qeverisja e tij ka qenë fasadë, shou, nuk ka bërë punë,  por vetëm llafe, duke qenë lilipute është  sjellë  si gjigant. Ka ardhë në pushtet me tritol, me burgosje,  me gjoba, me ndëshkime të pamundurish, të vobektish. Tani më  le të provon  t’i  fitojë  votat vetëm,  por kjo vetëm njerzëve u kujton diktaturën e Enverit që qeveriste  vetëm. Rama erdhi në  pushtet me një  set gënjeshtrash e mashtrimesh dhe pa program”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Programi i PD-së, i hartuar me gjermanët

Sipas Shahut, ndoshta është hera e parë që PD dhe Basha vijnë me një program konkret, të mundshëm dhe të hartuar me gjermanët.

“Ështe mbase hera e parë  ë PD dhe Basha vijnë me një program konkret, të mundshëm, të hartuar me gjermanët.  Në  Shqipëri  është  i  thellë  hendeku mes të majtës dhe të djathtëve. Partia e Punës  Shqipërisë,  Partia komuniste e konvertuar në Socialiste, ka atë mentalitet të komunizmit. Pushteti është  ndërtuar mbi bazën e strukturave të vjetra të komunismit” , ka theksuar Shahu.

Kikia: Shumicën e merr PS-ja, pastaj koalicioni me PDIU

Ndërsa, për dallim nga Shahu, analisti Mentor Kikia, është shprehur se zgjedhjet nuk do ta kenë një fitues të vetëm, mirëpo shumicën e votave do t’i merr PS-ja.

Image
Mentor Kikia

Kikia ka thënë se pasi Rama t’i merr shumicën e votave, do të ketë nevojë për një koalicion sado modest për ta formuar qeverinë.

“Zgjedhjet besoj se janë nga më të paparashikueshmet. Gjithsesi, unë mendoj se nuk do të ketë një fitues të vetëm, pra një parti që të formojë e vetme qeverinë, ashtu siç  po kërkon faktikisht PS nga elektorati. Por,  mendoj se shumicën e votave do ta marrë PS, e cila do të ketë nevojë për një koalicion sado modest për të formuar qeverinë. Tani se cila do të jetë kjo parti, është vështirë të themi, por ajo që mund të themi me siguri është se kjo nuk do të jetë LSI. Nëse PS-së do t’i duhen një numër i vogël votash, atëherë PDIU është gati të ofrohet me menjëherë për t’u bërë pjesë e koalicionit. Por,  edhe nëse do të duhen më shumë, unë mendoj se Rama është gati të bashkëpunojë me Bashën për krijimin e qeverisë, dhe jo më me Metën. Retorika e të dyja partive të mëdha në raport me LSI-në ka dëshmuar pikërisht këtë, përgatitjen e terrenit në opinion, që PS e PD të ndjehen më mirë me njëra-tjetrën sesa çdo njëra prej tyre me LSI-në”, ka pohuar Kikia për “Bota sot”.

I pyetur se cili është kandidati më i duhur për qeverisjen e Shqipërisë, Kikia është shprehur se për momentin qeverisja Rama është më e duhura për vendin.

“ Unë mendoj se PS ka akumuluar shumë pakënaqësi në popull. Pushteti aq sa prodhon vota aq edhe të gërryen si pasojë e dështimeve. Por,  për momentin mendoj se qeverisja e Ramës do të ishte më e duhura për vendin, në kushtet kur mungon një Alternativë më e besueshme dhe realisht potenciale për të matrrë drejtimin e vendit ”, ka theksuar Kikia.

Vata: Politika shqiptare në shteg të panjohur

Ndërsa, sipas analistit Ilir Vata, duke parë procesin si kanë shkuar zgjedhjet, si janë regjistruar partitë dhe si janë shkelur afatet ligjore, është vështirë  të jepet një mendim i saktë se nga do të shkojë vota e shqiptarëve.

Image
Ilir Vata

Sipas Vatës, nga  mënyra se si është konfiguruar,  e gjithë politika në Shqipëri ka hyrë në një shteg të panjohur.

“Zgjedhjet në Shqipëri në tërë procesin zgjedhor kanë qenë të delegjitimuara, përsa i përket afateve dhe respektimit të vetë Kodit Zgjedhor, sepse pas bojkotit të opozitës për afro 3 muaj mazhoranca u detyrua të bëhet shkelëse e afateve ligjore, si për regjistimin e partive politike, ashtu dhe për datën e koalicioneve që u skumua me manover juridike për të përjashtuar partitë e vogla politike. Po të njëjtin fat e pati edhe data 29 prill që ishte dhe dita e regjistrimit të kandidatëve për deputetë, dhe po ashtu dhe futja e opozitës në zgjedhje ishte në aspektin ligjor jo legjitime dhe të gjitha përfunduar në një marrëveshje të madhe që parë nga koncepti politik ishte e gjetur, mbase e vetmja zgjidhje, ndonëse la pasoja në aspektin e pruralizmit, sepse u pa si një lëvizje monopartiake në dëm të kolorit politik në Shqipëri të arritur më 1990. Pas kësaj panorame  u regjistruan në garë 18 nga 64 parti që kanë marrë pjesë në dy raundet e fundit zgjedhore, duke prishur njëherash koalicionet dhe balancën politike. Në këtë konteks është e vështirë të japësh një mendim të saktë se nga do anojë vota e shqiptarëve në këto zgjedhje, por mënyra se si është konfiguruar politika jep për të kuptuar se politika në Shqipëri ka hyrë në një shteg të panjohur”, është shprehur Vata për “Bota sot”.

Vata ka treguar edhe arsyet e tij se pse ai mendon që politika në Shqipëri ka hyrë në shteg të panjohur.

 “Sepse, ky proces delegjitim të parë në aspektin ligjor, solli zhvillime politike të pa hasura më parë. Në fillim u regjistruan në KQZ pra brenda fatit 9 prill 45 parti, por duke qenë se u godit me manover juridike data 19 e koalicioneve, mbetën të regjistruar që plotësuan 5000 firma vetëm 13 parti politike dhe nga këto të gjitha janë të spektrit të majtë, madje një e përfaqëson një deputet i PS, një tjetër ish-presidenti që ka pas dasi nga e djathta, një tjetër një ish- drejtor i qeverisë, pra një palë partish me kah nga pushteti. Pas marrëveshjes, opozita arriti të bëjë bashkë 29 parti politike, të dalë me një sigël PD dhe të konfigurohet si një trup zgjedhore në aspektin politik. Edhe mazhoranca arriti të bëjë një takim me aleatët duke lënë të nënkuptohet se përveç 13 partive në zgjedhje ka dhe aleat të fshehtë”, ka pohuar Vata.

Sipas tij, në tërë këtë ekspoze është e djathta favorite që do ta konkurojë të majtën, madje sipas tij ajo do të jetë edhe forcë e parë.

“Praktikisht  me këtë ekspoze e djathta është favorite të konkurojë të majtën, madje të jetë dhe forcë e parë, sepse praktikisht përvoja ka treguar se përplasja PS-LSI që vijën nga spektri i majtë favorizon të djathtën. Ka elementë të tjerë që e bëjnë analizën të pamundur për të shkuar në një definicion të sakët se cila nga partitë do të marrë shumicën, sepse ende në Shqipëri ka elementë kriminal që shoqërojnë procesin zgjedhor dhe kanë akses në rezultat, madje dhe çmimi që i kanë vënë votës prej vitesh është një arsye më shumë në deformim të rezultatit dhe të gjykimit tone, sepse janë ashpërsuar në kodin penal ligjet për dënimin e shit-blerjes së votes dhe është e vështirë të ndalohet”, është shprehur Vata.

Të mirat e marrëveshjes PS-PD

Sipas tij, e vetmja e mirë në këto zgjedhje është marrëveshja PS- PD.

“E vetmja e mirë në këto zgjedhje është marrëveshja PS-PD, pra e dy forcave politike që bëri të mundur miratimin e ligjit të Vettingut të reformës në drejtësi dhe finalizoi votimin e trupës së vetingut prej 27 presonash me 100 vota në një seancë të jashtëzakonshme javën e kaluar, pra reforma në drejtësi e mbështetur nga ndërkombëtarët, BE/SHBA dhe vetë shqiptarët po ecën përpara dhe kjo marrëveshje pritet të funksionojë dhe pas zgjedhjeve, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, siç është hapja e nagociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, apo dhe reforma zgjedhore apo reforma kushtetuese. Thjeshtë, ka një përpjekje politike progresive në Shqipëri kah perendimit dhe integrimit të vendit në Europë” , ka nënvizuar Vata.

Ai ka treguar edhe arritjet e qeverisë aktuale PS- LSI dhe PDI.

Sipas tij, mazhoranca qeverisëse ka arritur të ketë impakt pozitiv në reforma në tërësi si ajo e energjitikës, reforma administrative territoriale dhe kryesisht reforma në drejtësi.

“Qeveria aktuale, pra mazhoranca qeverisëse PS-LSI dhe PDI ka arritur të ketë impakt pozitiv në reforma në tërësi si ajo e energjitikës, reforma administrative teritoriale, dhe kryesisht reforma në drejtësi që ka qenë edhe “arma” e kryeministri aktual Rama, por sigurisht që këto reforma kanë qenë të dhimbshme dhe kanë prekur qytetarët ne aspektin social-ekonomik dhe ka pakënaqësi. Por, opozita vjen me një tjetër dimension Republika e Re me ekonomi të fortë dhe të ardhme të sigurtë, duke pretenduar taksën e sheshtë në 9%, rritje rrogash dhe pensionesh dhe në këtë fushatë opozita po kap terren politik dhe ka fituar besueshmëri, që mundet ta çojë drejtë një qeverie edhe nëse nuk del forcë e parë politike”, ka theksuar Vata.

Përsëritet skenari i Kosovës dhe Maqedonisë?

Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit, mund të jetë përsëritës sikur në Maqedoni apo në Kosovë.

“Aktualisht për të dalë forcë e parë pretendohet të jetë PS me Edi Ramën, me një dallim jo shumë të madhe me PD opozitë aktuale, por rezultati pas zgjedhor mund të përsëris skenën e Maqedonisë  apo të Kosovës ku fituesi do ta ketë të vështirë të kombinojë  një koalicion të mundshëm dhe të besueshëm  dhe ka mendime që dy partitë e mëdha ta rifreskojnë  marrëveshjen për të qeverisur bashkë, pra një bashkëqeverisje për interesa të mëdha kombëtare dhe në këtë koncept nëse do të ndodhë kjo ska shumë rëndësi se kush fiton. Bashkëqeverisja dhe stabilitetin në Shqipëri do të ketë ndikim pozitiv edhe për politikën në Kosovë, madje në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndiomor, për faktin se Shqipëria është anëtare e NATO-së dhe thellë është qendra e politikës së shqiptarëve në rajon”, ka përfunduar Vata.

Në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, janë të regjistruara si subjekte elektoralë 18 parti dhe në zgjedhjet forcat politike konkurojnë të vetme dhe nuk janë grupuar në koalicione.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat