U largua nga AAK për të kaluar në Vetëvendosje, deputetja trefishon votat

Politika

U largua nga AAK për të kaluar në Vetëvendosje, deputetja trefishon votat

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 16:20
Donika Kadaj-Bujupi

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi që rrugëtimin e saj në legjislativin e kaluar të Kuvendit të Kosovës e nisi me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe e përfundoi bashkë me Vetëvendosjen, ka trefishuar votën e saj.

Kadaj-Bujupi kishte arritur që në zgjedhjet e vitit 2014 të mbledh 4,794 vota gjithsej, kur kishte garuar në zgjedhjet e përgjithshme në kuadër të AAK-së.

Por votat e Kadaj-Bujupit janë trefishuar në zgjedhjet e fundit të 11 qershorit. Deputetja e ardhshme, sipas rezultateve preliminare, ka arritur gati ta trefishojë votën e saj.

Merret vesh se Kadaj-Bujupi ka arritur të mbledhë më shumë se 13 mijë vota në zgjedhjet e 11 qershorit, duke garuar për deputete nga radhët e Vetëvendosjes.

Kadaj-Bujupi kaloi në Vetëvendosje vitin e kaluar, kur vendi po kalonte një krizë të thellë politike, për shkak të kundërshtimit të dy marrëveshjeve, atë të demarkacionit dhe të Asociacionit, nga ana e opozitës.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma u bashkuan në një trup politik për t’i kundërshtuar dy marrëveshjet, por jo gjithçka shkoi si duhet. Aleanca e Nisma nuk pajtoheshin me metodat e VV-së, siç ishte gazi lotsjellës, kundërshtimi fizik me sigurimin e Kuvendit, ngacmimi i deputetëve të mazhorancës, si hedhja me ujë, ndërprerja e fjalimeve përmes zhurmimit etj.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë televizive pati thënë se “nuk është për sporte të lehta”, duke nënkutpuar metodat e lartpërmendura. Nisma e ndoqi pas Haradinajn në çdo veprim e vendim të tij.

Pikërisht në kohën e përçarjes së “opozitës së bashkuar”, siç quhej atëkohë, Kadaj-Bujupi dha dorëheqjen nga AAK dhe kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje. Ish-deputetja ishte një ndër më aktivet në hedhjen e gazit lotsjellës dhe në forma të tjera të rezistencës që organizoheshin nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

Sot, AAK-ja dhe Nisma janë ende të bashkuara, por janë edhe në koalicion me PDK-në e Kadri Veselit, ndaj politikave të së cilës protestuan e kundërshtuan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat