Eurodeputetja Fajon, “shuplakë fytyrës” Ramush Haradinajt

Politika

Eurodeputetja Fajon, “shuplakë fytyrës” Ramush Haradinajt

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 29 qershor 2017 Në ora: 08:02
Tanja Fajon, Ramush Haradinaj

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të mos bëjnë premtime për liberalizimin e vizave dhe të tregojnë datën, meqë vizat mund të mos liberalizohen edhe për dy vite.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, eurodeputetja Fajon, ka deklaruar se Kosova, duhet ta përfundojë marrëveshjen e diskutueshme të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe ta luftojë korrupsionin.

Fajon ka thënë se shpreson që, brenda dy viteve të ardhshme, derisa ajo të ketë rolin e raportueses për liberalizimin e vizave, lëvizja e lirë mund të bëhet e mundur.

Por ajo i ka vlerësuar si të papërgjegjshme deklaratat e ndryshme nga politikanët e Kosovës, duke vendosur datat për heqjen e kufizimeve të vizave.

“Premtimi i datës më duket… shumë i papërgjegjshëm … dhe do t’u thosha politikanëve të Kosovës që të përmbahen nga premtime të tilla, sepse kur bëjmë premtime si politikanë, njerëzit presin që ne t’i mbajmë ato dhe ata do të na gjykojnë për atë”, ka thënë ajo.

Gjatë fushatës zgjedhore kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka premtuar se nëse koalicioni i tyre fiton zgjedhjet, liberalizimi i vizave mund të zgjidhet brenda tre muajve.

“Në takimet e shumta anë e kënd Kosovës e kam thënë se brenda 3 muajsh Qeveria jonë do ta mundësoj Liberalizimin e Vizave. Edhe sot e përsëriti këtë Zotim: Me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Evropën”, ka deklaruar ai, duke mos shpjeguar në detaje se si do të bëhet liberalizimi i vizave.

AAK nuk tregon se si do ta realizojë premtimin për vizat

Image
Time Kadrijaj nga AAK

Duke folur lidhur me këtë çështje në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, ka thënë se liberalizimi ka gjasa të ndodhë, nëse Qeveria punon me seriozitet.

“AAK nuk ka ndryshuar qëndrim në këtë raport për demarkacionin. Mendoj se nëse Qeveria punon me seriozitet, gjasat për të hequr liberalizimin, janë të mëdha”, ka theksuar Kadrijaj.

E pyetur se si mendon ta zgjidh AAK-ja çështjen e demarkacionit meqë Mali i Zi tani ka hyrë në NATO, ajo ka thënë se pret që ky shtet fqinj të rinegociojë për zgjidhjen e tij.

“Nuk e mendoj që Mali i Zi do ta refuzojë rinegociimin dhe uljen për bisedime për zgjidhjen e këtij problemi. Mali i Zi është vend fqinj, vend që do të krijojë fqinjësi të mirë me shqiptarët sikurse ne që e konsiderojmë një vend shtet mik dhe fqinj, dhe unë mendoj që do të ketë gjasa reale të ulet dhe të shqyrtohet për këtë çështje”, ka deklaruar deputetja Kadrijaj.

Selimi: Politikanët mashtrues u ndëshkuan me vota

Image
Rexhep Selimi nga Vetëvendosje

Ndërsa, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, politikanët tanë kanë dhënë premtime jo reale gjatë fushatës zgjedhore.

Ai ka thënë se kjo ishte arsyeja se pse “politikanët mashtrues” kanë marrë ndëshkimin e qytetarëve me votë.

“Premtimet e oponentët tanë në fushatë kanë qenë krejt jorealiste, prandaj edhe e kanë marrë ndëshkimin e qytetarëve me votë. Ta kesh si premtim diçka që nuk është në dorën tënde, është mashtrim që nuk mund të fshehet”, ka deklaruar Selimi.

Ndërkohë, sipas analistëve politikë, premtimi i Haradinajt për liberalizimin e vizave, është i njëjtë me atë të presidentit Hashim Thaçi, të cilin e kishte dhënë që nga viti 2010.

Haziri: Deklarata e Fajon, “shuplakë fytyrës” Haradinajt

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri, ka vlerësuar se deklarata e eurodeputetes Fajon, është e bazuar në realitetin politik në Kosovës dhe mos kryerjen e detyrave nga ana e institucioneve të vendit tonë.

Sipas tij, deklarata e Fajonit është një “shuplakë fytyrës’, për politikanët tanë, gjegjësisht Ramush Haradinajn.

“Eurodeputetja me anë të kësaj deklarate, ua tërheq vërejtjen politikanë tanë që mos ta vënë në lajthitje qytetarin e Kosovës, sa i përket afateve për liberalizimin e vizave. Kjo është një “shuplakë fytyrës” për liderët tanë, të cilët gjatë fushatës zgjedhore premtuan, siç është rasti me Ramush Haradinajn nga koalicioni PAN,  i cili përcaktoi edhe afatin për tre muajsh, ku qytetarët e Kosovës do ta kenë liberalizimin e vizave nëse ai zgjidhet për kryeministër. Ky premtim i Haradinajt, ta kujton edhe premtimin vit për vit, që nga 2010, nga ish-kryeministri Hashim Thaçi tash president i vendit, sa i përket liberalizimit të vizave”, është shprehur Haziri.

Sipas tij, Kosova duhet të përmbush kriteret për të arritur liberalizimin dhe për këtë duhet një konsensus politik.

“Është thënë për të satën herë edhe nga zyrtarë të BE-së , se ky proces varet shumë se si Kosova, do t’i përmbush disa nga kriteret kryesore, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, dhe luftimi i krimit të organizuar. Këto kritere duhet përmbushur Kosova, e për të cilat duhet një konsensus i gjerë në mes forcave politike, që për fat të keq nuk duket se ka konsensus politik për këto çështje. Andaj, çdo premtim për liberalizim të vizave duke përcaktuar edhe afate kohore, pa përmbushjen e këtyre dy kritereve, janë vetëm premtime të kota për konsum të brendshëm politik”, ka shtuar analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Mehmeti: Haradinaj sikur Thaçi

Image
Faton Mehmeti

Edhe sipas politologut Faton Mehmeti, Haradinaj po e bën të njëjtën gjë sikurse dikur Thaçi.

“Nuk është e panjohur për ne se si politikanët tanë kanë bërë premtime që nuk varen nga ata, por që faktikisht masa i ka “ngrënë” si premtime, duke i shpërblyer me vota politikanët. Thaçi nga viti 2010 ka premtuar liberalizim të vizave, ndërkohë që të njëjtën gjë po e bëjnë edhe politikanët e tjerë, të cilët edhe vet e din se kjo nuk varet nga ta”, është shprehur Mehmeti.

Ai ka theksuar se deklarata e eurodeputetes Fajon, është goditje direkte për kandidatin e PAN-it për kryeministër.

“Deklarata e Tanja Fajon, është në përputhje me politikanët e BE-së dhe në të njëjtën kohë është edhe goditje direkte për Ramushin, i cili po premton liberalizim të vizave. Kosova është peng i gënjeshtrave të politikanëve tanë. Këta dalin përtej mundësive edhe ligjore dhe politike të tyre. Këta që nuk po realizojnë ato që varen nga ta, të realizojnë diçka që varet nga BE-ja, është non sens i llojit të vet. Kjo tregon papjekurinë e klasës politike në Kosovë, kryesisht të Thaçit dhe të Haradinajt, të cilët e kanë përdorur këtë deklaratë për vota, por që nuk justifikon aspak hipokrizinë e tyre përballë një gjëje që nuk varet nga ta”, ka thënë politologu Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat