Situata e re në Shqipëri, ja si pritet të formohet qeveria nga Edi Rama

Politika

Situata e re në Shqipëri, ja si pritet të formohet qeveria nga Edi Rama

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 qershor 2017 Në ora: 14:13
Edi Rama

Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Shqipëri, kanë dhënë Partinë Socialiste në vend të parë me 48 për qind duke siguruar kështu 74 mandate, Partinë Demokratike në vend të dytë me 29 për qind dhe me 43 deputetë,  pastaj Lëvizja Socialiste për Integrim duke fituar 14 për qind të votave dhe 19 deputetë, pastaj vjen PDIU me 3 deputetë dhe PSD 1 deputet.

Dalja e votuesve në zgjedhje është konsideruar e ulët me vetëm 46.72%,  ka pasur raportime për shkelje të ndryshme ligjore gjatë votimit, shumë persona në vende të ndryshme shqiptare janë arrestuar, ka pasur rrahje për shkak të votimit, fotografime të votave, shantazhe e pa rregullsitë tjera.

 Duke i parë të gjitha këto parregullsitë, analistët shqiptarë vlerësojnë se zgjedhjet nuk kanë pasur përparim krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, mirëpo është dhënë vullneti i popullit pasi që ata kanë votuar për partinë e jo programin.

Ata pohojnë se për formimin e qeverisë nuk do të ketë pengesa, mirëpo populli nuk do të përfaqësohet në parlament.

Image
Enver Bytyçi

Zgjedhjet me probleme serioze

Analisti  Enver Bytyçi, thotë  se zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri mund të njihen si zgjedhje që japin legjitimitet, por nuk vlerësohet se këto zgjedhje nuk kanë pasur përparim në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013.

Bytyçi përmend rastin e Durrësit në të cilën ishte manipuluar nga nëntoka e krimit, drogës dhe hashashit, sipas tij gjithçka ka qenë e organizuar nga nëntoka e krimit shqiptar dhe çdo gjë është llogaritur me ekspertët e manipulimit e mashtrimit.

Ai pohon se përveç PD- së, të gjithë fituesit, PS, LSI, PDIU dhe Tomë Doshi i PSD-së kanë përdorur paratë e drogës e të krimit për ta tjetërsuar votën e shqiptarëve.

“Zgjedhjet e 25 qershorit në Shqipëri, siç raportojnë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, u zhvilluan me problem serioze. Natyrisht ato do të njihen si zgjedhje që japin legjitimitet, por nuk vlerësohet se kishte përparim krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013. Në fakt këto janë zgjedhjet që i ka drejtuar nëntoka e krimit shqiptar. Ka disa javë që në çdo miting elektoral zoti Rama ka thënë se PS do të ketë ose dëshiron të ketë 74 deputetë. Dhe në fakt ka 74 deputetë. Një numër i paracaktuar pikërisht nga nëntoka e krimit, drogës dhe hashashit. Në Durrës zoti Rama thoshte se Agron Duka nuk do të ishte deputet. E kishte ndaluar orën te numri katër. Agroni ishte i pesti. Pra Rama kishte urdhëruar nëntokën e krimit që PD në Durrës të kishte vetëm katër deputetë, kurse PS dyfishin. Asgjë nuk është e rastësishme. Gjithçka ishte llogaritur me ekspertë të manipulimit e mashtrimit. Ndërsa maska e gjithë manipulimeve e mashtrimeve ishin batutat e kryeministrit në fushatë. Ndërkaq janë shënuar një numër i madh shantazhesh, presionesh, shit-blerjesh, falsifikimesh, fotografimesh, kontrollesh deri te cenimi i të drejtës ligjore e kushtetuese për fshehtësinë e votës. Përveç PD-së, të gjithë fituesit, PS, LSI, PDIU dhe Tomë Doshi i PSD-së përdorën paratë e drogës e të krimit për ta tjetërsuar votën e shqiptarëve! Hallall e paçin! Gjejnë shesh e bëjnë përshesh!”, shprehet Bytyçi.

Sipas Bytyçit, nuk është përfaqësuar vullneti i popullit, por është përfaqësuar vullneti i trafikantëve të krimit dhe drogës.

“Nga ajo që thamë më lart, duket qartë se nuk është përfaqësuar vullneti i popullit, por është përfaqësuar vullneti i trafikantëve të krimit dhe drogës. Druaj se legjislatura që vjen do të jetë një katastrofë për shqiptarët. Oligarkia ka fituar, ajo do ta imponojë politikën e saj. Shikoni, në Rusi Vladimir Putin fiton vazhdimisht me 54 përqind të votave, në Turqi fiton Erdogan me 49 përqind dhe në Serbi Vladimir Vuçiç me 48 përqind. Edi Rama ka marrë 49 përqind. Në këto vende autoritare votat paracaktohen nga oligarkitë. Demokracia është në reaminacion”, pohon Bytyçi.

Qeveria e re, në fillim të shtatorit

Ai thotë se nuk do të ketë pengesa për formimin e qeverisë së re, mirëpo përsëri politikanët nuk do t’ia prishin qejfin e pushimeve të verës, prandaj në fillim të shtatorit do të formohet qeveria e re.

“Nuk ka asnjë pengesë që qeveria e re të formohet shumë shpejt, sapo të marrin fund proceset e animimit e të çertifikimit të votave. Por besoj se nuk do ta prishin qejfin e pushimeve të verës dhe në fillim të shtatorit do të formohet qeveria e re. Gjithçka është shumë më e thjeshtëzuar se më parë. PS ka shumicën absolute plus Tomë Doshin, që ia shiti Gjinushit si dhe tre deputetë të Shpëtim Idrizit. Por, ky i fundit pësoi fiasco në Tiranë. Dmth PS ka 77 deputetë nga 71 që i duhen. Rama do të tentojë të tërheqë edhe Partinë Demokratike në koalicion. Atij i duhet kjo për imazh ndërkombëtar dhe do ta justifikojë kërkesën e tij me domozdoshmërinë e reformave kushtetuese e reformave të tjera të mëdha. Mundet që edhe ndërkombëtarët të bëjnë presion për krijimin e këtij koalicioni të ashtuquajtur të madh, ku PD do të shërbente si dekor. Nëse ndodh kjo atëherë lamtumirë Parti Demokratike! Por besoj dhe shpresoj që lidershipi i PD-së të kuptojë se duhet të bëjë opozitë të fuqishme për të rikuperuar humbjen katastrofale që ajo pësoi në këto zgjedhje!”, thekson Bytyçi.

Image
Afrim Krasniqi

“Vota militante partiake dhe klienteliste, dy votat përcaktuese të zgjedhjeve”

Ndërsa, analisti Afrim Krasniqi, thotë se përkundër parregullsive ndikimi nuk ka qenë aq i madh në rezultatin final, kjo sepse diferenca midis mazhorancës dhe opozitës është shumë e madhe.

Sipas Krasniqit, nëse diferenca do të ishte e vogël në mes pozitës dhe opozitës atëherë me siguri do të kishte dikim dhe kontestim të zgjedhjeve.

“Po, ka pasur raporte, pa pasur disa arrestime dhe ka pasur edhe informacione që nuk janë mundur të verifikohen në kohë. Në  raportin e ODIHR dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, është  cituar fenomeni i tregtimit të votës. Nuk ka raporte që mund të verifikojnë cilat parti e kandidatë  e kanë aplikuar më shumë, por ka disa tregues të habitshëm në këto zgjedhje: p.sh. disa individë  të pasur kanë  konkurruar me parti të vogla dhe kanë fituar mandate në  zonat më të varfra të periferisë, gjithashtu individë biznesmenë brenda partive kryesore politike kanë  fituar në zona tradicionalisht të kundërta politike, kryesisht përmes influences personale, trafikut të votes dhe përdorimit të pushtetit/burimeve financiare për ndikim. Gjithashtu,  kemi pasur individë  që  kanë  bërë  shpenzime të jashtëzakonshme në fushatë dhe gjithsesi nuk kanë fituar mandat, tregues se tregu i votave nuk është horizontal, por është i fokusuar në  zona të veçanta dhe raste specifike. Nuk besoj se ndikimi ka qenë aq i madh në rezultatin final, sepse diferencat midis mazhorancës e opozitës është shumë e madhe (mbi 30 mandate). Nëse diferenca do ishte e vogël, me siguri do të kishim ndikim dhe kontestim të zgjedhjeve”, pohon Krasniqi.

Ai shprehet se është përfaqësuar vullneti i popullit, në tërësi qytetarët e interesuar për partitë kanë votuar dhe vota e tyre ka shkuar tek partia e spektrit të tyre politik.

Sipas Krasniqit, në zgjedhje ka munguar vota programore, vota alternative apo vota e ndryshimit dhe për këtë vetë opozita dështoi sepse nuk ka arritur ta shndërrojë ofertën e saj në alternativë serioze, bindëse dhe frymëzuese.

“Besoj se po. Në tërësi qytetarët e interesuar për partitë  kanë  votuar dhe vota e tyre ka shkuar tek partia e spektrit te tyre politik. Ka fituar partia dhe partitë që kanë pasur potencial më  të madh për të mobilizuar anëtarët e tyre, partitë me struktura të forta në bazë dhe që ofrojnë edhe potencial më të madh për të marrë qeverinë ose për të qenë në koalicion në qeverinë e re. Pra, vota militante partiake dhe vota klienteliste kanë qenë dy votat përcaktuese në  këto zgjedhje. Mungoi vota programore, vota alternative apo vota e ndryshimit dhe vetë opozita dështoi sepse nuk arriti ta shndërrojë ofertën e saj në alternativë serioze, bindëse dhe frymëzuese”, thekson Krasniqi.

Skenarët e formimit të qeverisë

Ai thotë se qeveria do të formohet brenda afatit të caktuar, mirëpo problem qëndron ndryshe në qeverisje, ndryshe në bërjen e reformave të thella.

“ Po, lehtësisht do të formohet qeveria brenda afatit të caktuar. Duhen 71 vota dhe PS e vetme ka më  shumë se 73 mandate. Asaj do t’i bashkëngjiten edhe 3-4 deputetë të tjerë  të  PDIU dhe PSD, ndaj shkon në 77-78 mandate, mjaftueshëm për të qeverisur pa shqetësime. Problemi është se ndryshe është të qeverisësh, ndryshe të bësh reforma të thella. Këto të fundit kërkojnë  ndryshime në kushtetutë dhe ligjet e rëndësishme, dhe për këtë duhen 84 ose 92 vota, pra kërkohet një konsensus më  i gjerë sesa numri i votave qe kërkohet për qeverinë. Për këtë kemi pasur dy pika në marrëveshjen Rama-Basha në maj 2017, të cilat mbeten ende në fuqi. LSI e drejtuar nga Presidenti i zgjedhur Meta kalon në opozitë dhe nëse ajo e PD në opozitë bashkojnë aksionin e tyre politik, pavarësisht numrave në mandate, mund të përbejnë  një  opozitë shumë më  aktive sesa ajo që lamë pas. Megjithatë, nëse PD e LSI afrohen, çmimin më  të  madh do ta pagujë PD, e cila ka prekur fundin historik të mbështetjes së saj popullore” shton Krasniqi.

Image
Mentor Kikia

Diferencë e madhe mes humbësit e fituesit

Edhe analisti politik, Mentor Kikia, thotë se parregullësitë nuk kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, kjo sepse diferenca mes fituesit dhe humbësit është e madhe.

Sipas Kikis, blerja e votës është akti më i rëndë që dëmton demokracinë, devijon dhe e korrupton deri në qelizë pushtetin.

“Është e vërtetë se ka patur arrestime, raportime dhe denoncime, si nga policia e shtetit ashtu dhe nga LSI e PD, për tentativa dhe akte të shitblerjes së votës. Unë mendoj se fenonemi ka qenë edhe më i gjerë se sa është raportuar, pasi blerja e votës ka qenë një plagë e madhe e zgjedhjeve në Shqipëri dhe shumë kandidatë apo parti, e ka patur paranë si mjet për të siguruar vota. Edhe pse në këtë proces pati një presion të madh publik dhe ndërkombëtar, si dhe u miratuan akti ligjore që dënojnë me burg ata që shesin dhe blejnë votën, sërish fenomeni ishte present. Por,  unë besoj se ai nuk ishte përcaktues në rezultat, kjo sepse diferenca mes fituesit dhe humbësit ishte shumë e madhe. Kështu që këto dhe parregullsi të tjera që u shënuan, nuk ndikojnë në tërësinë e procesit për ta konsideruar atë të pranueshëm. Por, duke u kthyer sërish të blerja e votës, unë mendoj se ky është akti më i rëndë që dëmton demokracië, devijon dhe e korrupton deri në qelizë pushtetin. Derisa edhe një votë e vetme të shkëmbehet me para, ushqime, apo favore të tjera, unë them se demokracia nuk është demokraci por një pazar mes pushtetit dhe parasë”, nënvizon Kikia.

Sipas Kikisë, vullneti i popullit është përmbushur, mirëpo ai nuk është i përfaqësuar në parlament.

“Tani, derisa ka një shumicë votash që kan shkuar për një parti të caktuar, mund të themi se vullneti i popullit është përmbushur. A është populli i përfaqësuar në parlament? Unë them jo, sepse ata që janë deputetë nuk janë të zgjedhurit e popullit, por të zgjedhurit e kryetarëve të partive. Populli voton partinë dhe partia cakton deputetët për mes të famshmes listë, që është ekskluzivitet i kryetarit. Ky është një tjetër problem i madh i sistemit elektoral shqiptar, që shpresoj të ndryshojë. Qytetarët duhet të votojnë kandidatin, personin, dhe atëherë ata janë 100% përgjegjës për njeriun që kanë zgjedhur t’i përfaqësojë” pohon Kikia.

Ai thotë se nuk ka pengesa për formimin e qeverisë.

“ Nuk ka asnjë pengesë për formimin e qeverisë. PS nuk ka nevoje të bisedojë me parti të tjera për formim koalicionesh ndaj dhe nuk ka pse të ketë vonesa siç ndodh rëndom kur arritja e marrëveshjeve mes partive kërkon kohë. Kështuqë mendoj se cdo gjë do të shkojë brenda afateve kushtetuese”, përfundon Kikia.

Partia Socialiste në Shqipëri ka shpallur menjëherë fitoren e saj në zgjedhjet e 25 qershorit, duke u shprehur e përkushtuar për pastrimin nga gjyqtarët e korruptuar, krijimin e vendeve të reja të punës dhe goditjen e tregtisë me kanabis, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kanë akuzuar Partinë Socialiste për blerje të votave në këto zgjedhje, por këto akuza janë hedhur poshtë nga PS-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat