Incizimi i Adem Jasharit për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, “shpërthejnë” akuza të reja

Politika

Incizimi i Adem Jasharit për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, “shpërthejnë” akuza të reja

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 qershor 2017 Në ora: 07:57
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, është vënë sërish në mesin e akuzave se ai posedon një incizim të Adem Jasharit, në të cilin thuhet se ai flet për Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Faton Ramadani, vëllai i Burim e Arsim Ramadanit, të dënuar me burg në rastin e njohur si rasti “Kiqina”, përmes një postimi në Facebook, i ka bërë thirrje Lladrovcit që ta bëjë publik këtë incizim.

Sipas tij, Lladrovci duhet të të tregojë që ekziston ai incizim.

 “Ramiz Lladrovci duhet me bëjë publik incizimin e Adem Jasharit çfarë thotë për Hashimin e Kadrinë.
Për atë incizim ka folur Jakup Krasniqi, për të njëjtin rast tregon Rexhep Selimi që thotë, Hashim s’po tham du qysh të ka deshtë Adem Jashari se e merr kërcënim! Ramiz Lladrovci e kundërshton Jakupin duke i thënë se atë incizim e ka dëgju vetëm vet Ramizi e Djali i Ademit, e jo Jakupi. Po me këtë çka thotë Ramizi tregoje që ekziston ai incizim”,  ka shkruar Ramadani.

Image
Faton Ramadani

Ramiz Lladrovci nuk dëshiron t'i dëmtojë Thaçin e Veselin

I pyetur nga gazeta “Bota sot” se pse sipas tij, Lladrovci nuk po e publikon incizimin e shumëkërkuar, Faton Ramadani ka thënë se ai nuk po e bën një gjë të tillë, për shkak se nuk dëshiron t’i dëmtojë Thaçin e Veselin.  Kjo pasi sipas tij, meqë Lladrovci është kryetar i Drenasit nga partia që e drejton Veseli.

“Këtë pyetje është mirë t’ia bëni vet Ramzit. Ndoshta, tash pasi është kryetar dhe në parti me Veselin, nuk e bën publike atë CD. Veç nëse ai, nuk dëshiron t’i dëmtojë Thaçin dhe Veselin, pasi është kryetar i Drenasit nga PDK-ja, e cila udhëhiqet nga Kadria. Është mirë që këtë pyetje t’ia drejtoni vet Ramizit, pasi përgjigja e tij është më e rëndësishme”, ka thënë Faton Ramadani për gazetën.

Image
Ramiz Lladrovci

Lladrovci i quan spekulime

Por, kundër thirrjes së tij ka reaguar Ramiz Lladrovci, përmes një prononcimi të shkurtër për gazetën “Bota sot”. Ai i ka quajtur spekulime dhe konspiracione deklarimet e Ramadanit.

“Ju lus të mos merreni me spekulime e konspiracione as ju si medium, as qytetarët”, është shprehur Lladrovci për gazetën.

Gjatë fushatës zgjedhore për kryetar të Komunës së Drenasit, Lladrovci kishte debatuar gjatë me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të njohur si debati i “Komandantëve të luftës”.

Edhe Krasniqi, sikurse Faton Ramadani, kishte deklaruar se Lladrovci ka një incizim të komandantit Adem Jasharit, me të cilin ai i ka shantazhuar Thaçin dhe Veselin.

“Ai ka shantazhuar me një incizim të Adem Jasharit. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë qenë në armiqësi. Raportet e tyre me familjen e Adem Jasharit unë i kam balancuar. Incizimi nuk e di që çfarë është, por nuk është në favor as të Kadriut as të Hashimit”, kishte thënë Krasniqi në dhjetor të vitit të kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat